Flasin Mjekët/ Ja si u përhap fruthi tek fëmijët

0

Në shërbimin Infektiv Pediatrik në QSUT mbahen të shtruar 12 fëmijë të dyshuar me fruth, ndërsa rastet e mëhershme konsiderohen të shëruar dhe kanë lënë spitalin.

Sipas mjekëve, asnjë nga fëmijët nuk manifeston formë të rënduar të fruthit dhe se ata po mbahen në observim nga mjekët për të mos kaluar në komplikacione.

Ndërkohë burime nga ISHP thonë për BË se në 75% të rasteve të paraqitura fëmijët janë të pavaksinuar me moshë nën 1 vjeç.

Mjekët infeksionistë në QSUT pranojnë se nga fruthi janë prekur edhe persona më të rritur që rezultojnë të kenë kryer vetëm një vaksinë në jetë nga dy që përmban sot protokolli i vaksinimit kundër fruthit.

Pas analizës së kryer mjekët kanë arritur në konkluzionin se të gjithë fëmijët e prekur me fruth kishin kaluar fillimisht nga urgjenca pediatrike ku janë paraqitur me simptoma të gripit.

Qëndrimi i gjatë në një vend të vogël të mbyllur ka favorizuar përhapjen e shpejtë të virusit nga burimi i sëmundjes që rrezulton të jetë një fëmijë dhe një i rritur nga Kosova të cilët janë paraqitur në ndihmën e parë pediatrike në 27 dhjetor 2017.

Ndërkohë ekspert të ISHP-së i bëjnë thirrje prindërve të mos anashkalojnë vaksinën MMR pasi nuk prodhon asnjë efekt anësor, e aq më tepër të ketë lidhje me autizmin.

Ekspertë të këtij institucioni thonë se fruthi mbetet një sëmundje me rrezik për të prodhuar komplikacione tek ajo pjesë e popullatës e pa-vaksinuar në kushtet kur afër 1200 fëmijë nuk e kanë kryer vaksinën e parë MMR e po kështu edhe mijëra qytetarë të lindur në dhjetëvjeçarin 80-90 ku procedura e ruajtjes së vaksinës ka qenë jashtë standardit të OBSH.

Të imunizuar 100% ndaj sëmundjes konsiderohen ata që e kanë kaluar një herë në jetë sëmundjen e fruthit e po kështu edhe të vaksinuarit pas viteve 90 që kanë kryer dy vaksina.

Në kalendarin vaksinal, doza e parë kundër futhit është vaksina MMR që i bëhet foshnjës sapo mbush një vjeç ndërsa vaksina e dytë përforcuese kryehet në moshën 5 vjeçare.

Lini nje pergjigje