1 shkurti në vend të 7 marsit

0

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

Nuk është fake news, (lajm i rremë) as ndonjë shaka, tallje apo ironi. Është realiteti i hidhur, që e prodhon një qeverisje e papërgjegjshme, në fushën e arsimit (si kudo në çdo sektor) nga viti në vit. Se çfarë ka ndodhur në 7 mars këtë e dinë të gjithë, ose së paku diku duhet ta ketë dëgjuar edhe ata që nuk i njohin asnjë meritë arsimit kombëtar.

Por çfarë do të ndodhi më 1 shkurt 2018, vështirë se mund të na e thotë njeri.

Gjithsesi na ngelet të dëgjojmë, përpiqemi të kuptojmë e në fund të japim ndonjë mendim, ose më mirë të tallemi me fatin tonë të zi kur nuk na dëgjon njeri. Çfarë pritet të ndodhi më 1 shkurt? Nxënësit do të kenë më pak peshë? Po dije do të kenë më shumë. Në 1 shkurt e tëhu, nxënësit do të jenë më pak të stresuar, apo më shumë të mësuar? Më 1 shkurt e deri në epokën e artë të rilindjes së tyre, nxënësit do të rrinë dy orë në klasë, do të flasin me mësuesen, do të qeshin, do të bëjnë detyrat e më pas në pasdite çfarë do të bëjnë me çfarë do të merren? Më 1 shkurt, gjithë mësuesit, shkolla, “komuniteti”, do të fillojnë mësimin nga e para me një qëllim të vetëm dhe një kërkesë të një prindi: Më pak peshë, më pak stres më shumë lumturi në sytë e fëmijëve tanë. Prej 1 shkurtit buzëqeshja do të ndrijë në sytë, buzët, fytyrën dhe flokët e nxënësve tanë, ndërsa mësuesit që në mëngjes, apo pasdite si ta kenë vaktin do të shkojnë në shkollë me hap rreshtor dhe me këngën që do të dëgjohet në sfond “Me gëzim po shkoj në punë”. Parullat dhe banderolat e shumta me mbishkrimin “Rroftë 1 shkurti”, “Ta gëzojmë ditën e parë të mësimit të njeriut të ri”, “Të rrojë Kryeministri, Ministri i Arsimit dhe Komiteti Qendror i Prindërve pa Fëmijë”, për këtë dhuratë të madhe që i bëri popullit tënë. Pastaj mësimi do të vijojë rregullisht. Me nga dy orë blloki, siç do të thoshte një qeveritare e lartë e ardhur nga diaspora drejt e në qeveri. Nuk ka rëndësi nëse fëmijët a mësuesit pas 180 minutave me 10 minuta pushim, i zë pipija (apo shura siç i thonë fshaçe), i merr urija, janë të lodhur, mjafton që plani të realizohet e madje të tejkalohet. Ka shumë mësues e nxënës që me entuziazëm e vrull revolucionar nuk do të dalin për të bërë 5 minuat pushim, por do të rrinë e të punojnë që me vetëmohim të realizojnë detyrat e dhëna nga Rilindja dhe përfaqësuesit më të denjë të saj në popull, parti e qeveri. Kushtet për mësimdhënie e mësim nxënie do t’i kenë si në asnjë vend tjetër. Pa ngrohje, pa mjete mësimore, pa dritare, a dyer, pa laborator dhe  mbi të gjitha shkollë me dy turne e klasa kolektive. Shkolla do të jetë e hapur nga sabahu e derisa të mos këndoj as gjeli e të mos kakaris pula. Dikur i thoshin shkollë nate, shkollë nga halli. Sot në gjuhë moderne i thonë shkollë komunitare. Po mos e ngatërroni me shkollën digjitale a klasa te zgjuara siç i thonë andej nga kasabaja. Ato i kemi harruar prej kohësh. Hyyy, që më 2014-tën.

Pse nuk ka më rëndësi 7 marsi?

Sepse kemi hapur një epokë të re, atë të internacionalizmit të shkollës shqiptare. Modelet i kemi gjithandej, prej zonës elektorale të ministrit të arsimit e deri tek shtete më të përparuar në arsim. Nëse flasim më konkretisht nuk e di dhe nuk do ta kuptoj asnjëherë se cila është ngjashmëria mes arsimit tonë, sistemit dhe strukturës së shkollës tonë, kushteve ekonomike, sociale të  vendit tonë me ato të : Hungarisë, Holandës, Anglisë dhe Greqisë, Finlandës, etj. Ndërsa në gjithë këto vite bërtisnim se fqinji ynë jugor Greqia ka një sistem arsimor parauniversitar të dobët, krejt parapritur, Greqia del ndër modelet më të dëshiruar për arsimin shqiptar. Arsyeja? I bën orët e mësimit bllok. Prandaj mendoj se 7 marsi, nuk shumë rëndësi. Nuk është e dobishme t’i kujtojmë brezave se përse luftuan, u vranë, u helmuan, investuan fuqi intelektuale dhe të holla Rilindësit tanë të shek.XIX dhe fillim shek.XX-të për të hapur një shkollë kombëtare. Kjo sepse tani kuptimi shkollë kombëtare nuk ka më një domosdoshmëri, as një politikë prioritare, përpara internacionalizimit të saj. Nuk rëndësi modeli që marrim. Është një guzhinë kontinentale e përzier me atë ishullore, për të zhvilluar një nga eksperimente më të mëdha në arsimin shqiptar: Dorëzimin pa kushte para shkollës “moderne evropiane”. Prandaj të dashur bashkëkombës, kudo që jeni mos përkujtoni më shkollën e parë shqipe në Korçë, Janjevë, Zadrimë, Blinisht, Strugë,Ulqin, Shkup, Ohër, Janinë a Paramithi. Mos mendoni në asnjë çast se shkolla ka karakter kombëtar. Ajo siç thonë baballarët e Rilindjes së shek.. XXI, ecën në trendin kontemporan të Bashkimit Evropian, Amerikës, Xhibutit, Sri Lankës dhe Trindad Tabakos. Tani nuk kemi nevojë të përkujtojmë veprën dhe kontributin e Petro Ninit, Motrave Qiriazi, Bajo Topullit, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Ibrahim Hafiz Dalliut, Aleksandër Xhuvanit, Luigj Gurakuqit, etj. Jo sepse tani ne kemi një shkollë të ndërkombëtarizuar duke marrë pak nga të gjitha: Orarin e shkollës ndërkombëtarë në zonën elektorale të ministrit, orët bllok të Greqisë, pushin mes orëve të Hungarisë dhe tekstet e Anglisë. Ah se harrova: Trajnimi i mësuesve do të bëhet si Holanda, laboratorët pas 30 viteve do t’i kemi si Finlanda.

Prandaj them e mendoj në heshtje e plot dhimbje, se arsimi kombëtar ka vdekur. Ai është varrosur diku në oborrin e rikonstruktuar të ministrisë së arsimit, pa një pllakat që të shënojë ditën e  lindjes dhe atë të vdekjes. Varrmihësit e arsimit kombëtar, prej Kryeministrit e deri tek ministri, e bënë këtë punë në mes të ditës, në kohë me diell, në sytë e të gjithëve, pa ju dridhur qerpiku, pa u skuqur, pa u zverdhur dhe me një kënaqësi të pa njohur më parë.

Prandaj do të kërkoj një video konferencë me madhërinë e tij e t’i jap lajmin e gëzueshëm, se porosia e tij vate tek vendi që donte: 1 shkurti do të zëvendësoj 7 marsin, ashti sikundër ai vetë ai, mund të zëvendësoj në një të ardhme shumë të afërt diellin e të na ndriçoj ditë e natë duke na i bërë dimrin behar. Prandaj propozoj me zë të lartë e do të bërtas derisa bota të na dëgjoj: 1 shkurtin ta bëjmë festën e arsimit ndërkombëtar, e cila, do të kremtohet vetëm në vendin tonë.

Lini nje pergjigje