Kush e bëri lëmshin tek ARMO? Investitori i huaj padit Tatimet

0
241

Kur zhurma për situatën e krijuar në rafinerinë e ARMO-s ende mbetet pjesë e debateve mes qeverisë dhe naftëtarëve, si për ironi kompania IRTC tërësisht e distancuar, ka çuar në Gjykatën Administrative të Apelit institucionet shqiptare. Në një çështje të regjistruar në 15 janar 2018 shoqëria “Ionian Refining & Trading Company-IRTC” sha ka paditur Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Tiranë dhe Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Në objekt të padisë lidhet një akt administrativ i Tatimeve për një vlerësim detyrimesh si dhe rrëzimi i pretendimeve të kompanisë nga apelimi tatimor. Konkretisht në objekt të padisë kërkohet “Shfuqizimi i akteve administrative përkatësisht (i) “Njoftim Vlerësimi për Detyrimet Tatimore nr. 70318/3 Prot, datë 27.12.2016 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, dhe (ii) Vendimit Nr. 261/2 prot, datë 25.07.2017 të Drejtorisë së Apelimit Tatimor, pranë Ministrisë së Financave, për shkak të paligjshmërisë së tyre, pasi kanë dalë në kundërshtim me procedurën e kërkuar nga ligji si dhe me përmbajtjen e ligjit material”.

Kolapsi

Prej shtatorit 2016, Kompania Ionian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO dhe në fund të vitit të po atij viti filloi përpunimin e naftës, sipas një kontrate të lidhur me prodhuesin më të madh të naftës në vend, Bankers Petroleum. IRTC rezulton e regjistruar offshore në ishujt britanikë Virgin. Ardhja e IRTC dhe futja në punë e rafinerisë u cilësua nga qeveria në atë kohë si një marrëveshje e rëndësishme, që do të riaktivizonte prodhimin do të fuste të punë punonjësit dhe do të rriste investimet. Por situata e trumpetuar aq shumë si pozitive nga qeveria në fakt do të kthehej në problematike në fund të vitit 2017. Në fillim të dhjetorit kompania anuloi punën me argumentin e remonteve në rafineri por pas disa javëve në këtë situatë dhe mospagesën e pagës së nëntorit për punonjësit është bërë me dije se kompania ka pushuar aktivitetin. Kjo bëri që ngjarjet të pasonin me protesta dhe naftëtarët të trokisnin tek Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo për Financat dhe Ekonominë.

Situata e punonjësve të rafinerisë së naftës rezulton ende e pazgjidhur. Ministri për Financat dhe Ekonominë në një dalje para mediave pak ditë më parë deklaroi që punonjësit e dy rafinerive të Ballshit dhe Fierit të deklarohen si të papunë pranë Zyrave të Punës në mënyrë që të përfitojnë nga pagesa e papunësisë. IRTC ndërkohë rezulton debitore ndaj shtetit. Sipas të dhënave për 11 muajt e këtij viti, sasia e naftës e përpunuar nga ARMO dhe e hedhur në treg ka qenë 156 mijë tonë, duke bërë që ARMO të zërë 30% të tregut të furnizimit me karburant në vend për periudhën janar-nëntor . Për këtë sasi nafte të prodhuar, ARMO ka paguar akcizë në vlerën e 6.8 miliardë lekë, ose rreth 50 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare. Kompania është e detyruar të paguajë akcizën në momentin që hedh produktin për konsum, përndryshe nuk mund ta nxjerrë atë nga magazina doganore.

Por, ARMO rezulton të ketë paguar vetëm akcizën dhe jo taksat e tjera, përfshirë TVSH-në që është 20%, ose rreth 13 lekë për litër, taksë qarkullimi fikse prej 27 lekësh për litër dhe taksë karburanti prej 3 lekë për litër. Në total, për 184 milionë litrat e hedhura në treg, ARMO nuk rezulton të ketë paguar të paktën 43 lekë për litër taksa, ose 7.9 miliardë lekë detyrime (rreth 60 milionë euro). Pra nga të paktën 110 milionë euro taksa që ARMO duhet të derdhte në shtet, ka paguar më pak se gjysmën.

 Ish-pronari

Duket se problemet me drejtësinë të ish manjatit shqiptar të naftës, Rezart Taçi nuk kanë të përfunduar. Pasi mori pafajësinë 6 muaj më parë nga gjykata e Apelit për akuzën e mospagimit të taksave dhe tatimeve, Prokuroria e Tiranës e ka dërguar sërish për gjykim Rezart Taçin për të njëjtat akuza. Në fakt akuza është e njëjta por objekti është i ndryshëm. Kësaj radhe Taçi akuzohet se ka shmangur pagesën e TVSH-së, akcizës dhe taksën e karbonit, gjatë kohës që ka patur nën administrim kompaninë Armo. Sipas prokurorisë, shmangia e këtyre detyrimeve kap një vlerë që shkon mbi 8 milionë euro.

Këtë konstatim fillimisht e ka bërë një audit i tatimeve që kontrolloi veprimtarinë e Armo-s për vitet 2011-2013. Dhe në bazë të këtij raporti prokuroria nisi hetimet dhe e ka dërguar në gjykim. Një fakt i rëndësishëm që ka në dorë prokuroria kundër Taçit, është se në një kohë kur Armo nuk shlyente detyrimet tatimore me argumentin se nuk kishte likuiditet, janë regjistruar tërheqje të konsiderueshme disa milionë euro nga llogaritë bankare të firmës, të cilat nuk dihet se ku kanë përfunduar.

Tanimë i takon gjykatës së Tiranës të vlerësojë hetimin e prokurorisë dhe argumentet kundër. Ashtu si edhe në procesin e parë, Rezart Taçi po gjykohet në mungesë pasi prej më shumë se dy vitesh është larguar nga vendi. Ai u akuzua edhe nga autoritetet zvicerane për mashtrime me disa firma, por për momentin nuk dihet se si kanë përfunduar këto procedura. Ish manjati i naftës Rezart Taçi, pa një rënie të lirë të të gjitha firmave që kishte krijuar në Shqipëri, pasi privatizoi Armo-n.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here