Hyn në fuqi rritja e çmimit të energjisë për bizneset, pritet “kërbaç” mbi çmimin e produkteve të tyre

0

90 bizneset që furnizohen në nivelin e tensionit 35 kilovolt do ta blejnë energjinë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me çmim 11.6 lekë për kilovatorë në muajin janar (pa TVSH), nga 9.5 lekë/kvh, që e kishin blerë deri në dhjetor, me një rritje prej 22%. Duke përfshirë dhe TVSH-në, çmimi shkon në 13.92 lekë/kvh. Edhe në muajin shkurt do të kenë mundësi që të blejnë energjinë nga OSHEE me çmim të përafërt me janarin. Nëse deri në fund të shkurtit nuk kanë arritur që të shkëputen nga OSHEE dhe të gjejnë një furnizues alternativ, pjesës më të madhe të tyre (me përjashtim të 8 institucioneve buxhetore, kryesisht ujësjellës) do t’u ndërpritet energjia dhe do të mbeten pa furnizim.

Kjo lëvizje vjen në kuadër të procesit të liberalizimit të energjisë, të parashikuar në nenin 109 të ligjit 43 të vitit 2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i cili parashikonte që bizneset që furnizoheshin në 35 kv do të duhet të dilnin në treg të pavarur deri në 30 qershor 2016, por që ligji u shty disa herë dhe filloi zbatimin në 1 janar 2018. Deri në fund të vitit 2018 do të duhet të dalin edhe bizneset e linjës 20 kv, ku janë rreth 1,000 të tillë. Por, kjo do të pasohet nga rritja e çmimeve të produkteve të këryre kompanive,që në fund të fundit, do të rëndojë mbi buxhetet e familjeve.

Lini nje pergjigje