A ËSHTË INSTALUAR MAFIA NË ARSIM?

0

Nga Dr. Albano ZHAPAJ

Përpara se të tentojmë t`i japim përgjigje një pyetjeje të tillë, është e udhës të shpjegojmë se farë nënkuptohet gjerësisht me termin “mafia” dhe mandej të argumentojmë nëse është instaluar ajo në arsimin shqiptar apo jo. Me “mafie”, sipas kuptimit më të gjerë të termit, nënkuptohet çdo organizatë kriminale të udhëhequr nga qëllime përfitimi të paligjshme dhe kontrolli i një territori të caktuar.  Organizimi i saj është tërësisht vertikal nga lart poshtë, i fshehtë, priret nga lidhjet familjare, por edhe paktet ekonomike të përfitimit të ndërsjellët,  dhe si e tillë organizatë funksionon që secili anëtar i saj është i detyruar të respektojë dhe zbatojë urdhrat që vijnë nga lart, pa i diskutuar kurrë.

Pra, nga sa mund të kuptohet mafia ka dy qëllime kryesore: përfitimin e paligjshëm dhe kontrollin e territorit. Përdorimi gjerësisht i termit “mafie” edhe në jetën e përditshme shqiptare, aq më tepër prononcimi edhe i Ambasadorit Amerikan në Tiranë në lidhje me grupet e organizuara të krimit, na shton bindjen se këto forma organizimi të paligjshme ekzistojnë tashmë në vendin tonë. Historia dhe përvoja i ka mësuar këto organizata se për të operuar qetësisht e për të përfituar maksimalisht në të dy qëllimet e tyre, përfitim e kontroll territori, nuk mund t`i bëjnë gjithmonë duke i shpallur luftë shtetit demokratik, prandaj ata arrijnë ta bëjnë këtë gjë, mundësisht, ose në bashkëpunim me të (shtetin), ose duke futur elementë të caktuar të saj në administratën shtetërore. Edhe vetë biznesi i ligjshëm që merret me çshtje të arsimit është i detyruar të bashkëpunojë me mafian, e cila nëpërmjet njerëzve të saj në shtet, kontrollon se kush e merr punën. Përfitimi financiar dhe kontrolli i territorit natyrisht ekziston edhe në arsim, pasi arsimi ka një strukturë organike të shpërndarë në gjithë territorin e vendit me një armatë njerëzish prej afro 50 mijë personash rrogëtarë shteti, të cilët relativisht kanë një ndikim social në territorin ku jetojnë e operojnë. Në këtë territor përfshihen edhe mbi 600 mijë nxënës e studentë, të cilat përfitojnë nga shërbimet e “territorit” arsim, dhe që janë klientë potencialë pasi familjet e tyre paguajnë për shkollimin e tyre, që nga librat, taksat universitare, apo tarifat e tjera qendrore apo lokale.

Kush po përfiton sot nga miliardat e arsimit shqiptar.

Duke qenë që një armatë “klientësh” siç janë nxënësit, janë një burim i përvitshëm fitimi, për arsye se çdonjëri prej tyre paguan për blerjen vjetore të librave të shkollimit, natyrisht që mafia këtu s`mund të rrijë indiferente, kështu që shërbehet nga botuesit dhe autorët e teksteve për të nxjerrë përfitimet e veta. Konkretisht bëhet fjalë për një proces që quhet Altertekst, i cili shpërndan miliona euro çdo vit shtëpive botuese dhe autorëve të teksteve. Botuesi dhe autorët e teksteve shërbehen nga mësuesit, të cilët kanë detyrimin e përvitshëm të zgjedhjes së teksteve. Shteti si punëdhënës ka në dorë mësuesit logjikisht. Arsyeja të shpie të mendosh se për të kontrolluar këtë “territor” duhet me patjetër të kesh në dorë kreun e ekzekutivit që menaxhon këtë territor, dhe sa thamë më sipër mafia s`ka pse t`i bëjë karshillëk gjithë kësaj armate shtetërore, por blen bashkëpunimin e saj.

Argumenti se mafia ka shtënë në dorë menaxhimin e miliardave të Altertekstit është totalisht logjik. Vitet e fundit ka rezultuar se u transformua procesi dhe përmbajtja e Altertekstit, duke devijuar nga standardi i cilësisë, në mënyrë jo transparente, e duke shpërndarë këto lekë në duar të kompanive, që i`u përshtatën “baronëve të përfitimit”, dhe autorëve anonim që për gjithë natën angazhuan përkthyes për tekste të huaj, të cilët çuditërisht mësuesit i përzgjodhën si fitues.

Kundërargumenti se këtë lojë mund ta menaxhojë ndonjë shtetar i korruptuar brenda ekzekutivit të arsimit, nuk është aq i vlefshëm, pasi ata në të shumtën e rasteve këta shtetarë rezultojnë se janë marrë nga “rruga” dhe skanë eksperiencën e mjaftueshme as ta kuptojnë termin arsim, e jo më ta menaxhojnë shtetarisht. Kjo tregon se mafia nëpërmjet shtetit dhe pse jo edhe qeverisë, delegoi në krye të ekzekutivit të arsimit njerëz të kësaj kategorie.

Një tjetër argument i fuqishëm se mafia ka zënë rrënjë në arsim mund të shikohet tek arsimi i lartë, dhe specifikisht tek sistemi i pranimeve në universitete, i cili nga sistem “meritë-preferencë” në institucionet e larta arsimore publike, u tjetërsua në sistem “klient-preferencë” ku detyroi jashtë çdo kriteri logjik e ligjor që maturantët t`i drejtoheshin shërbimit të lartë arsimor privat me tarifa që ua kalojnë edhe tarifave të vendeve perëndimore, mirëqenia dhe ekonomia e të cilave njihet publikisht. Miliarda euro janë vjedhur padrejtësisht familjeve shqiptare e po vazhdojnë t`u vidhen.

Nuk do të ekzagjeroja aspak në qoftë se do të thosha se edhe Ligji 80/2015, i arsimit të lartë,  është produkt mafioz, pasi ka tre vjet që po “çon ujë” në “mullirin” e institucioneve private, duke i shpëtuar këto nga falimentimi i konkurrencës së ndershme dhe nga kthetrat e huadhënësve natyrisht. Vënia nën kontroll e institucioneve të arsimit të lartë publik, nëpërmjet bordeve të komanduar nga kreu i ekzekutivit të arsimit, si dhe kapjes së procesit zgjedhor në këto institucione, janë një provë më se logjike që mbas emrave të panjohur për arsimin, pra të paaftëve në krye të arsimit, të jenë organizime të tipit mafioz, ndryshe s`ka si shpjegohet shkatërrimi i universiteteve publikë dhe lulëzimi i atyre privatë. Ky argument shkon edhe më tepër se kaq, por që natyrisht nevojiten me tepër  hapësira editoriale e informative për ta zbardhur si çështje.

Si u arrit të shkohej deri në këtë pikë dhe sa është shteti përgjegjës.

Kush kishte menduar të fuste në dorë kontrollin e arsimit dhe përfitimet që vijnë prej tij, natyrisht që s`mund të jetë një njeri i vetëm, por një organizatë që e ka qëllim në vetvete përfitimin e paligjshëm. Kështu që logjika të thotë që ska qenë produkt i improvizuar nga politika e radhës, por e një mendjeje organizacionale e tipit hierarkik të ngjashëm me atë të organizimit mafioz. Nga raportet e dorëzuara ndërkombëtarëve nga qeveria teknike, për sa i përket sferës së arsimit u zbulua një gjë e pazakontë: vendimet reale nuk merreshin brenda institucionit por vinin të fabrikuara nga jashtë tij.

U kuptua përfundimisht se një institucion si Ekzekutivi i Arsimit jo se s`ka qenë në gjendje të hartonte bashkësinë e akteve nënligjore që duhej të pasonin ligjin e arsimit të lartë, por ka qenë i frenuar nga ta të cilët merrnin vendimet, jashtë zyrave të arsimit, e kësisoj përfitimet, që këto akte të vononin sa më tepër, pasi mund të cenonin prurjet e detyruara të studentëve në institucionet e arsimit të lartë privat.

U kuptua se edhe metodat e shkatërrimit të memories institucionale arsimore, flakjes në rrugë të specialistëve të mirëfilltë të arsimit, konkurseve fiktivë dhe komandimit të drejtuesve arsimorë në çdo qelizë të arsimit, rekrutimit të personave të paaftë, të paarsimuar, me të kaluar edhe kriminale në shumë raste, kishin për qëllim vetëm një gjë: vënien nën kontroll të sistemit, pra të “territorit arsim” e mandej  nëpërmjet tij të gjithë përfitimeve që vijojnë e pasojnë në këtë “territor”.

Qeveria teknike për aq pak sa duroi arriti të zbulonte fasadën, arriti të nxirrte zbuluar korrupsionin në procese e në persona direkt të përfshirë në afera të zymta, jo ligjore e jo shtetërore. Vetë qeveria e kuptoi që doli zbuluar me këta njerëz të korruptuar në arsim, dhe pranoi t`i largonte, i për të dhënë idenë e kthimit të ligjshmërisë në arsim, largoi por nuk i zboi, dhe ky është një tregues më i qartë se kush komandon në ekzekutivin e arsimit është thjesht një ushtar i bindur, dhe që s`ka lidhje as me misionin e shenjtë të arsimtarit, e as me dëshirën për të kontribuar për një shoqëri sa më të mirë e sa më evropiane.

Një element i fundit që shton dyshimet e instalimit të mafias në arsim është së fundmi edhe futja në mënyrë të papritur në arsimin parauniversitar e sistemit të orëve 90 minutëshe, pasi: është një tjetër produkt jo arsimor, s`ka asnjë lidhje me praktikat dhe përvojat evropiane,  është bërë në oskuritet, nuk është diskutuar në qarqet pedagogjike, duke shtuar dyshimet se ka prapavija përfituese nga pas.

Argumenti logjik është se modifikimi i sistemit orar e lëndor do të sjellë si pasojë edhe modifikimin e programeve mësimorë, çka do të thotë se duhen ribërë tekstet e reja nga e para. Tekstet e reja do të kenë autorë të rinj, shtëpi botuese të reja dhe natyrisht çmime të reja. Gjetjet jo arsimore brenda sistemit arsimor, dukshëm kanë ca vjet që bien erë të keqe, por për fat të keq kjo erë e keqe tashmë ka bllokuar hundët e çdo mësuesi dhe intelektuali. Tashmë sistemi është kapur në atë farë feje sa edhe mësuesit s`kanë më gojë të kundërshtojnë, pasi kapësit e sistemit ua kanë shtrënguar aq shumë litarin e bukës, sa zëri detyrimisht u është shuar.

Koment ekskluziv për gazetën “Standard” dhe “Standard.al”

Lini nje pergjigje