Protestojmë për vete, jo për Bashën !

0
227

Nga Nebil Çika

Protesta e 27 janarit është një mundësi për shqiptarët e pa kënaqur nga qeverisja Rama për të protestuar ndaj saj, e në këtë mundësi të përndjekurit politikë të komunizmit kanë arsye më shumë se kushdo për të qënë atje.  Në këto ditë të organizmit të protestës nuk kanë munguar zërat edhe nga radhët tona, kryesisht nga individë që jetojnë jashtë vendit apo që kanë inate personale me PD-në, të bëjnë thirrje publike të përndjekurve politike të mos marrin pjesë në protestë.

Nuk dua të merrem me ta, pasi gjithkush ka mendimin e vet që duhet respektuar, por dua të theksoj faktin që në këtë proteste dhe në çdo protestë tjetër kundër persekutorëve tanë të djeshëm e të sotëm dalim për veten tonë, familjet tona, hallet tona e dinjitetin tone!  Jo për Bashën! As për PD apo organizatorë të tjerë të saj!

Të përndjekurit politike kanë më shumë se kurrë sot motiv që të protestojnë ndaj një qeverie që ka hequr çdo maskë në raport me ne, e po shfaqet gjithnjë e më armiqësore në të njëjtën linjë politike e logjikë me etërit e tyre politikë e gjenetik të diktuarës komuniste.  Ditë më parë qeveria, nëpërmjet ministrit të financave deklaroi se ka ngrirë edhe atë fond modest që kishte miratuar në buxhet për dëmshpërblimin e te përndjekurve politike dhe po tenton të ndryshojë ligjin duke përjashtuar nga kompensimi trashëgimtarët.

Ky është një akt i pastër armiqësor i qeverise Rama një rikthim i pastër i luftës së klasave të aplikuar nga kjo parti për 50 vjet diktaturë komuniste.  Por ky nuk është akti i parë e i vetëm armiqësor i qeverisë Rama me të përndjekurit politike.

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2013 janë me qindra akte të tilla që dëshmojnë për një qëndrim të qartë politik, një strategji të llogaritur mirë kundër të përndjekurve sipas parimit të luftës së klasave.

Vetë fakti që pjesë e qeverisë Rama dhe të institucioneve shtetërorë të kontrolluara nga qeveria janë nga radhët e prosektorëve tanë apo pinjollë gjenetikë të tyre është i mjaftueshëm për të kuptuar qëndrimin dhe mendimin që kjo qeveri e ky pushtet ka dhe manifeston ndaj të përndjekurve politike antikomunistë gjë që është tashmë e vërtetuar edhe me vendimet apo veprimet e tyre. Kjo qeveri është në konflikt interesi me detyrimet e saja ligjore, politike e morale me të përndjekurit politike. Nuk mund të pritet që Edi Rama, Gramoz Ruçi, Ditmir Bushati e të tjerë autorë të krimeve të komunizmit apo pinjollë gjenetikë të tyre të kenë qasje pozitive ndaj atyre qe i kanë vrarë, dënuar, internuar e përndjekur.

Ata janë pala përgjegjëse për luftën civile dhe pasojat e saj të nisur në vitin 1943 e cila , fatkeqësisht, ende vazhdon. Nuk janë shkëputur, në fakt nuk kanë marrë mundimin të shkëputen nga e kaluara kriminale historike e familjes së tyre politike e gjenetike përkundrazi po vazhdojnë atë rrugë.

Në këtë mandat të dytë të qeverisjes së tij Rama ka vendosur të heqë maskën e të dale hapur ndaj te përndjekurve politike. Zgjedhja e ish ministrit të fundit të brendshëm të diktaturës komuniste, përgjegjës për krime kundër njerizimit dhe gjenocid në krye te parlamentit ishte sinjali i parë ogurzi i qëndrimit të qeverisë me të përndjekurit politike.

Hapi i dyte ishte mbyllja në ministrinë e drejtësisë e drejtorisë që verifikonte dhe miratonte statusin e të përndjekurve politike duke lënë pa status qindra të përndjekur që për arsye të ndryshme nuk kishin munduar ti plotësonin në kohë dokumentet.

Hapi i tretë është kjo përpjekje e lajmëruar këto ditë nga qeveria për ndërprerjen e kompensimit për mijë trashëgimtarë të të pushkatuarve dhe të dënuarve politike që nuk jetojnë më.

Ministri Ahmetaj me idiotësi natyrale cinike shkoi edhe më tej kur na krahasoi me trashëgimtarët e veteranëve komunistë në masën më të madhe autorë të krimeve të komunizmit.

Por ai gënjen pasi edhe në se do të marrim të mirëqenë të pa krahasueshmen trajtimi i ish komunistëve nga kjo qeveria e parti në pushtet është si nata me ditën me atë të të përndjekurve antikomunistë.

Po marr vetëm dy, tre shembuj për të kuptuar diferencën.

Në vitin 1998 qeveria e PS-së atëherë në pushtet shpalli “të pafajshëm” krerët e diktaturës dhe sigurimit të shtetit të dënuar në vitin 1996 për gjenocid dhe i kompensoi me një herë për burgun e bërë me dyfishin e të përndjekurve politike duke ua paguar dëmshpërblimin në dorë dhe pa këste.

Një vit më parë qeveria Rama shpërbleu me nga 100 mijë USD viktimat e protestës së partisë së tij të 21 janarit 2011, lekë që i morën të gjitha kesh pa këste trashëgimtarët e tyre.  Këta njerëz u vranë se sulmuan kryeministrinë në përpjekje për të sjellë në pushtet Edi Ramen, ndërkohë që të vrarët e komunizmit që ishin kundërshtarë të diktaturës që shumica e tyre u morën nga shtëpitë e tyre pa konsumuar asnjë vepër penale, marrin shumë më pak se këta, me këste dhe me e keqja, trashëgimtarët e tyre po tentohet të përjashtohen nga ky kompensim.

Para disa javësh qeveria vendosi të shpallë “varrezë historike” varret e ushtarëve pushtues grekë në Bularat të Gjirokastrës, ndërkohë që për varret e të përndjekurve politike jo vetëm që nuk ka asnjë investim, por shumica e të pushkatuarve dhe të vdekurve në burgje janë pa një varr, pasi këta që i vranë nuk tregojnë ku i kanë hedhur trupat e tyre. Ka edhe të tjera por besoj se këto janë te mjaftueshme për të bindur edhe më të pa informuarit se kjo është një qeveri armike me të përndjekurit politike, shumica nga ne të qartë për ketë situate.

Prandaj them se midis miliona shqiptarëve të pa kënaqur me këtë qeveri të përndjekurit politike kanë arsye më shumë se kushdo që të jenë në protestën e 27 janarit dhe në çdo proteste tjetër kundër komunistëve dhe pinjollëve të tyre politikë e gjenetikë.  Nuk protestojmë për Bashën dhe PD-ne, por për veten tonë!

Kjo është edhe restoja ime për ata pak të përndjekur politikë që për arsye jo politike, bëjnë thirrje për të mos marrë pjesë në protestë.  Nuk më duket as e ndershme e as e pranueshme logjika sipas parimit: “Për inat të sime vjehrre, do fle me mullixhinë”!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here