REFORMA ARSIMORE NËN THUNDRËN E TË PAAFTËVE

0

Nga Dr. Albano ZHAPAJ

Përditë dëgjojmë nga qeveritarë e politikanë të flitet shumë për nevojën e vazhdueshme të transformimeve, të reformave të thella, për modernizimin e gjithçka-je, por më shumë se për çdo degë tjetër të jetës për këtë nevojë flitet kur bëhet fjalë për arsimin, sidomos atë të lartë. Duhet me të vërtetë të jesh naiv që të mos vësh re një mospërputhje totale ndërmjet fjalëve dhe veprimeve të qeverisë, që shpjegohet jo aq me mungesën e dëshirës për të bërë reforma të thella, se sa me vështirësitë që hasen nga kapja përfundimtare që i ka bërë paaftësia dhe korrupsioni këtij të fundit, pa llogaritur këtu edhe shkakun e të qenit sferë delikate, që siç dihet, që është arsimi.

Me një përkushtim të devotshëm të bojatisjes së gjithçka-je për ta bërë të ngjajë si i gjeneratës tjetër, edhe në arsim ka vite që vihet re prirja për ta dhënë të dëshiruarën si realitet, domethënë, për ta zbukuruar situatën e rëndë e për ta bërë atë të duket e kundërta e asaj që perceptohet nga publiku. Flitet shumë për arritjet në arsim, vazhdojnë trumbetohen si arritje mbylljet e atyre pak “universitete kioska”, vazhdojmë dëgjojmë për përparime në shkencë, por pamë se si u degradua Akademia e Shkencave, flitet për arritje në Maturën Shtetërore, por veç kaos kemi parë, flitet për vëmendjen e madhe të ekzekutivit ndaj punës së pedagogëve të çdo rangu, për përmirësimin e mirëqenies së tyre, por ajo që dallojmë është se fjalët nga veprat ndahen.

Edhe në ato raste që ka pasur investime, me projekte qysh në kohën e qeverisë së kaluar natyrisht, ato jo gjithmonë janë realizuar me rendimentin e përfitimin e pritshëm, vihet re një tulatje përpara sipërmarrjeve të rëndësishme, që shpjegohet me mungesën e qartësisë së shikimit të problemeve, sidomos të atyre që lidhen me arsimin e lartë, me mungesën e padiskutueshme të elementëve profesionistë.

Prania në drejtimin e politikave ekzekutive të arsimit të njerëzve të paaftë, të korruptuar, arrogantë dhe qelepirxhinj, veprimet apo mosveprimet e të cilëve kanë shkaktuar një “status quo” të arsimit të lartë, për të mos thënë një kthim mbas në kohë, ka bërë që tashmë e ashtuquajtura “reformë në arsim” të ketë mbetur peng midis një “reforme cilësore” të trumbetuar dhe pamjes së tij degjeneruese reale në kthetrat e politikës së qeverisjes aktuale, interesave të grupimeve të ndryshme “intelektuale” apo thjesht marketingu ekonomik i arsimit të lartë, ndonjëherë me prevalencë nga një ndonjë grup oligarkësh me “petkun akademik”.

Ku duhet të bazohemi për modernizimin e sistemit të arsimit të lartë.

Si hallka më e parë, më e rëndësishme, pas së cilës një qeveri do t`i duhej të kapej sa më fort, është ajo që ka të bëjë me përgatitjen e personelit pedagogjik/akademik, si ekzistues ashtu dhe të ardhshëm. Ajo që realisht po ndodh në arsimin e lartë publik është lënia pas dore e personelit akademik të qëndrueshëm dhe rekrutimi i personelit të ri akademik nga radhët militanteske të partisë pushtet, të doktoruar në të vetmet shkolla aktuale të doktoratës, në ato private.

Ekzekutivi i arsimit nuk mungon asnjëherë të bëjë konstatime apo të japë mendime, ndonjëherë edhe “konstruktive” lidhur me çështje madhore të arsimit, por fjalët nuk po shoqërohen me vepra, domethënë, me masa konkrete për rregullimin e gjendjes, apo në stafe akademike formuese , edukuese, mësimdhënëse, që tashmë po rekrutohen me një nivel mediokër, apo një formim të cekët profesional e akademik.

Si hallkë të dytë padyshim që duhet dituk apo kuptuar se procesi i transformimeve nuk fillon vetëm nga strukturat drejtuese të arsimit të lartë, por fillon në institutet dhe qendrat kërkimore të universiteteve, pra në bazë dhe pikërisht në fakultete dhe në departamente, në punën e pedagogëve konkretë, në punën në auditor, në mbarëvajtjen e marrëdhënieve pedagog-student. Por kjo për fat të keq nuk ka ndodhur dhe mësimdhënia dhe vlerësimi në arsimin e lartë kanë mbetur në mëshirë të fatit, ku galopon paaftësia e mbrojtur nga lart, mitmarrja dhe poshtërimi përditë e më shumë i figurës së studentit. Kjo në arsimin e lartë publik, pasi në arsimin privat fjala student ka kohë që është zëvendësuar me fjalën klient.

Si hallkë të tretë, kur ndërmerret një reformë në arsim, është dhe mbetet domosdoshmëria për nevojën e një diskutimi të gjerë të synimeve që duhen përcaktuar dhe që duhen arritur në këtë shoqëri për të paktën 30 vitet e ardhshme, nën dritën e orientimeve dhe eksperiencës që na vjen nga hapësira evropiane e arsimit të lartë dhe politikave shtetare të vendeve perëndimore. Shpikjet dhe gjetjet afatshkurtra dhe jo në përputhje me direktivat perëndimore, janë thjesht objekt tjetërsimi dhe përfitimi i të ardhurave që shpenzon një shoqëri për arsimin e lartë. Ska njeri të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm të mos ta ketë kuptuar tjetërsimin e qëllimeve qeverisëse në arsimin e lartë, që nga qëllime akademike e zhvillimi i ka shëndrruan në qëlllime përfitimi klanor.

Kush duhet të jenë aktorët e vërtetë të reformës në arsim

Në praktikën e vendeve perëndimore kur flitet për nevojën e reformave në fushën e arsimit,  vendimtare atje nuk janë ato që thuhen në qarqet qeveritare e ministrore, as ato që thuhen nga drejtuesit e universiteteve, por janë ato që thuhen nga trupat pedagogjike e akademike. Janë pikërisht këta të fundit përcaktojnë strukturën dhe ecurinë e proceseve e të praktikave akademike e mësimore për një përgatitje sa më të mirë të studentëve e për një mbarëvajtje sa më të mirë të strukturave akademike e mësimore. Këtë qëndrim e shohim të realizohet në shkollat më të mira të vendeve të përparuara sot në botën e civilizuar,  mund të për bazë shumë përvoja e shembuj, dhe mjafton kjo për të kuptuar se sa mbrapsht është vepruar këtu tek ne reforma në arsimin e lartë. Sot po shohim se si po funksionon standardi (push)shtetëror për çdo gjë, ai dikton kushte, nëpërmjet “zhonglerëve” të vet në ekzekutivin e arsimit, të cilët kanë në mbikëqyrje të përcaktuar çdo institucion të arsimit të lartë publik, duke filluar që nga punësimi i pedagogëve e deri tek punësimi i punonjësve sanitarë, paaftësia e të cilëve është bërë tashmë pengesë serioze për realizimin e reformave.

Strategjitë arsimore janë e një rëndësie madhore për një vend, sepse ao lidhen direkt me perspektivën dhe zhvillimit e një vendi. Kjo prognozë kaq e rëndësishme u harrua shpejt nga qeveria, për të mos thënë se as ka ekzistuar në planet e saj, pasi hartuesit e “reformimit” veç u shpërblyen, duke lënë pas shumë mangësi të shoqëruara me dëme të shumta dhe të mëdha që fillojnë qysh nga maturantët, vashdojnë tek studentët e doktorantët, e përfundojnë te trupat akademike, të cilat janë më të papërfillshme se kurrë, më të padëgjuara, më të përkulura përballë pushtetit të paaftësisë ekzekutive.

Nga vëzhgimi sot dhe konceptimi i arsimit të lartë, duke filluar nga reformimi i tij me famëkeqin ligj 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë”, kuptohet padyshim se si dita ditës po ngushtohet hapësira arsimore dhe po errësohen qëllimet, po përcaktohen të tilla masa, që nuk janë në harmoni me kërkesat e hapësirës së gjerë arsimore dhe të synimeve pedagogjike të arsimit të lartë. E pra, kush nga ne nuk e di që qëllimet dhe hapësira arsimore (liria akademik) përbëjnë thelbin e arsimit e arsimit të lartë. Rezulton që në planet e reformimit po lihet jashtë pikërisht arsimimi. Sigurisht parametrat e hapësirës dhe të synimeve akademike e shkencore në institucionet e arsimit të lartë nuk mund të injektohen së jashtmi, e aq më tepër nga të paaftë dhe të korruptuar, pasi ato duhet të përbëjnë shtyllat mbajtëse të një reforme arsimore.

S’ka pse të na duket aspak paradoksale, sepse ajo çka po ndodh rezulton të jetë e vërtetë, pra që devijimi pushtetar i detyrave të përcaktuara nga Konventa e Bolonjës, të pranuara e firmosura nga shteti shqiptar, të tilla si, elitarizimi partiak i arsimit nëpërmjet komandimit/emërimit të të paaftëve, kontrolli pa kufi i institucioneve të arsimit të lartë, burokratizimi i tejskajshëm proceseve që rregullojnë mbarëvajtjen në arsimin e lartë, që të gjitha të arrira nën flamurin e reformës në arsimin e lartë, po na çon dita ditës jo në modernizimin e trumbetuar të arsimit të lartë, por në shndërrimin e tij në një arsim më pak cilësor, më më pak të arritshëm dhe më pak efektiv, arritur në atë pikë që nuk konkurron dot më as veten.

Lini nje pergjigje