Zbulohet SKANDALI: Si u abuzua me paratë e Lungomares së Edi Ramës në Vlorë!

0
423

Kontrolli i Lartë i Shtetit këto ditë ka përfunduar një raport auditimi mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare në zbatimin e dy projekteve: “Gjelbërimi i shëtitores së vijës bregdetare të Vlorës” dhe “Mbushja me rërë e Plazhit Vlorë”, të ushtruar në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, që është edhe autoriteti i zbatimit të projektit të “Lungomares” në këtë qytet bregdetar. Gjatë auditimit të projekteve “Gjelbërimi i shëtitores së vijës bregdetare të Vlorës” dhe “Mbushja me rërë e Plazhit Vlorë”, janë konstatuar mospërputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator, theksohet nga audituesit, shkelje, abuzime që mund të përkthehen edhe në vjedhje të parave të buxhetit, çka zbulon të vërtetën e qëllimeve të kryeministrit Edi Rama me projektet e palmave apo shëtitoreve shumë të shtrenjta.

Sa më poshtë vijojnë gjetjet e raportit në fjalë. Sipas KLSH, në të gjitha procedurat e prokurimit, të projekteve “Mbushja me rërë e Plazhit të Vlorës”, “Mbrojtja detare e projektit të mbushjes me rërë të Plazhit të Vlorës”, “Shërbimi i supervizimit të mbushjes me rërë të Plazhit të Vlorës” dhe “Gjelbërimi i shëtitores së vijës bregdetare Vlorë”, Njësia e Prokurimit nuk ka analizuar dhe nuk ka dokumentuar përllogaritjen e fondit limit, duke lënë vend për devijime nga fondi limit real dhe për përfshirjen e shpenzimeve të pajustifikuara. U konstatuan devijime me efekte financiare negative të shkaktuara nga vendimmarrja në fushën e prokurimeve publike në vlerën 25.111.774 lekë dhe dëm ekonomik për shkak të devijimeve në fushën e zbatimit të kontratave në vlerën 9.234.043 lekë.

Gjatë zbatimit të objektit “Mbrojtje detare e projektit të mbushjes me rërë e plazhit të Vlorës” u konstatua ndryshimi i gjurmës dhe vendosjes së gjeokonenierëve përgjatë bregut të plazhit të Vlorës”, në krahasim me gjurmën dhe vendosjen e përcaktuar në projektin fillestar.   Është konstatuar se projektimi dhe mbikëqyrja e objektit “Mbrojtja detare e mbushjes me rërë të plazhit të Vlorës” është bërë pa kosto financiare nga shoqëria X, por nga ana e FSHZH nuk është lidhur kontratë me këtë shoqëri, ku të përcaktohen detyrimet dhe të drejtat e palëve.

Nga auditimi është konstatuar se disa nga kriteret e veçanta të kualifikimit në lidhje me kapacitetet teknike (stafi teknik) dhe profesionale (kategoritë e licencave profesionale) të OE, janë diskriminuese. Në kontratën e firmosur nga ana e titullarit të AK për objektin “Mbushja me rërë e Plazhit të Vlorës”, është dhënë pagesë paraprake në vlerën 17.992.800 lekë, ndërkohë që në Kushtet e Veçanta të Kontratës është përcaktuar që Kontraktori nuk do të marrë pagesë paraprake

Në të gjitha procedurat e prokurimit, “Mbushja me rërë e Plazhit të Vlorës”, “Mbrojtja detare e projektit të mbushjes me rërë të Plazhit të Vlorës”, “Shërbimi i supervizimit të mbushjes me rërë të Plazhit të Vlorës”dhe “Gjelbërimi i shëtitores së vijës bregdetare Vlorë” Njësia e Prokurimit nuk ka analizuar dhe nuk ka dokumentuar përllogaritjen e fondit limit, duke lenë vend për devijime nga fondi limit real dhe për përfshirjen e shpenzimeve të pajustifikuara.

Për objektin “Shërbimi i supervizimit të mbushjes me rërë të Plazhit të Vlorës” me vlerë 92.400 Euro (rreth 12.936.000 lekë) pa TVSH, është propozuar lloji i procedurës së prokurimit “Negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Ky objekt prokurimi është trajtuar nga ana e Autoritetit Kontraktor si shtesë kontrate, duke marrë në konsideratë si kontratë fillestare “Projekti teknik i Vijës Bregdetare Vlorë”, me argumentimin e riskut të lartë që paraqitet gjatë zbatimit, natyrën e veçantë të këtij projekti, specifikimet teknike, nevojën e veçantë për një shërbim kompetent me stafin e kualifikuar që ka bërë studimin dhe zgjidhjen e projektit, si dhe zgjidhjen racionale teknike të paparashikuar që konsulenca e Projektimit i ka dhënë këtij projekti. Lloji i procedurës së përzgjedhur nga Autoriteti Kontraktor është në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20.10.2006 “Për prokurimin Publik”

Nga verifikimi i dokumentacionit të dosjes teknike të objektit “Mbrojtje detare e projektit të mbushjes me rërë e plazhit të Vlorës” dhe i korrespodencës midis FSHZH, “I” dhe kontraktorit, konstatohet se për shkak të mosplotësimit të dosjes nga ana e kontraktorit, objekti nuk është kolauduar ende, ndonëse punimet kanë përfunduar më datë 31.08.2016 dhe është lidhur kontratë për kolaudimin e punimeve në datë 02.11.2015, me vlerë 99.900 lekë pa TVSH, me operatorin “A&E”.

Gjatë zbatimit të objektit “Mbrojtje detare e projektit të mbushjes me rërë e plazhit të Vlorës” u konstatua ndryshimi i gjurmës dhe vendosjes së gjeokonenierëve përgjatë bregut të plazhit të Vlorës”, në krahasim me gjurmën dhe vendosjen e përcaktuar në projektin fillestar. Megjithëse nuk ka ndryshuar nga ana sasiore preventivi, autoriteti kontraktor nuk ka kryer asnjë urdhër ndryshimi ose amendim kontrate për këtë fakt.

Nga auditimi në terren u konstatua se mungonin tre pemë palma të llojit Washington h=500÷600 cm me vlerë 121,125 lekë, në pjesën ku bashkohet rruga e Lungomares me sheshin e mbiquajtur “Rrapi”. Sipas një dokumentit të siguruar nga menaxheri i kontratës, kontraktori “G L” sh.p.k ka bërë kallëzim në Policinë Gjyqësore, datë 14.08.2017, në lidhje me dëmtimin e tre palmave përgjatë “Lungomares”. Dita e kallëzimit është pas datës së kolaudimit të objektit dhe paraqitjes së situacionit përfundimtar.   FSHZH nuk ka bërë kërkesë për financimin e projektit “Mbrojtja detare e projektit të mbushjes me rërë e plazhit të Vlorës” në Fondin për Zhvillimin e Rajoneve 2014.

Dëmi financiar për buxhetin e shtetit

Nga auditimi i dosjes teknike të objektit “Mbrojtje detare e projektit të mbushjes me rërë e plazhit të Vlorës”, u konstatua se operatori ekonomik “S.C.P.A” ka përfituar më tepër vlerën 5.156.827 lekë me TVSH, për punime të pakryera. Nga auditimi i dosjes teknike të objektit “Gjelbërimi i shëtitores së vijës bregdetare Vlorë” u konstatua se është paguar dy herë nga ana e Autoritetit Kontraktor, në favor të firmës “G L Sh.p.k”, sasia prej 35 pishave, me vlerë 2.310.000 lekë me TVSH, ndërkohë që kjo vlerë, në bazë të kontratës të lidhur midis AK dhe OE, duhet të ishte mbuluar nga polica e sigurimit. (

Projekti i objektit “Gjelbërimi i shëtitores së vijës bregdetare Vlorë”, hartuar pa kontratë nga shoqëria I, është pjesë e projektit “Vija bregdetare e Vlorës, Lungomare”, i cili në përmbledhësen e preventivit, për pjesën e gjelbërimit ka vetëm dy zëra pune:

  1. Pemë tipi pinus halepensis me lartësi 600 cm (830 pemë x 600 euro/pemë), 498,000 Euro
  2. Pemë pseudoacacias (300 pemë x 400 euro/pemë), 120,000 Euro; në total 618,000 Euro ose rreth 86,520,000 lekë, aq sa është përcaktuar fondi limit i këtij objekti. Pra përllogaritja e fondit limit nga Autoriteti Kontraktor është bërë sipas projekt-preventivit “Vija bregdetare e Vlorës, Lungomare”, pjesa e gjelbërimit. Në preventivin e hedhur në tender përcaktohen 662 pemë pinus halepensis, ose 168 pemë më pak se projekti fillestar (168 x 55000 lekë/pemë = 9,240,000 lekë të parashikuara për tu investuar më pak) dhe 364 pemë pseudoacacias, ose 64 pemë të parashikuara për tu investuar më shumë se projekti (64 x 16780 lekë/pemë = 1,673,080 lekë të parashikuara për tu investuar më shumë). Nga sa sipër, në këtë objekt, me te njëjtën vlerë të preventivuar nga projektuesi, janë prokuruar 8,166,080 lekë (-9,240,000+1,673,080) volume punimesh më pak se projekti, i cili konsiderohet efekt negativ në Buxhetin e Shtetit.

Në procedurën e prokurimit me objekt “Mbrojtja detare e projektit të mbushjes me rërë të Plazhit të Vlorës”, me fond limit 29,550,381 lekë pa tvsh, është shpallur fitues OE “Kostruttiva” s.c.p.a. me ofertë ekonomike 29,435,994 lekë pa tvsh, ose 99.6% e fondit limit.

– OE i shpallur fitues nuk plotëson kriteret e dhëna në DT:

– Nga verifikimi në SEP i dokumentacionit të paraqitur nga BOE e skualifikuar “L”shpk & ”N”shpk & “B S”shpk, rezulton se argumentet e paraqitura nga KVO për skualifikimin e këtij BOE, kanë të bëjnë me mospagimin e detyrimeve nga OSHEE për muajin Korrik 2015 dhe nga një OE pjesëmarrës në BOE, nuk është paraqitur pagesa e taksës vendore në Komunën Markat. Nisur nga sa më sipër, operatorët ekonomikë pjesëmarrës në këtë procedurë, kanë mangësi në dokumentacion dhe duheshin skualifikuar. Autoriteti Kontraktor duhet të ndërpriste procedurën dhe të fillonte një procedurë të re prokurimi. KVO ka përdorur standard të dyfishtë në vlerësimin e operatorëve pjesëmarrës në tender, duke bërë kualifikim të padrejtë të OE “K”. Nëse do të përdorte të njëjtin standard, KVO duhet të kishte kualifikuar edhe BOE “L” shpk & ”N” shpk & “B S” shpk, duke e nxjerrë fitues me vlerën 25,416,300 lekë, ose 4,009,694 lekë më pak se oferta e OE fitues, vlerë e cila do të ishte kursim në Buxhetin e Shtetit.

Me Urdhrin e prokurimit nr. 4/1, datë 11.01.2015, për objektin “Shërbimi i supervizimit për mbushjen me rërë të plazhit të Vlorës”, është miratuar nga Titullari i Autoritetit Kontraktor procedura e prokurimit “Negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Zbatimi i nenit 33, pika 5/a të Ligjit nr. 9643, datë 20.10.2006, shtesa e kontratës nëpërmjet procedurës “Negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, mund të bëhet vetëm kur kontratës fillestare i ndryshojnë faktorët “kohë” / “vlerë” dhe i mbeten të pandryshuar faktorët “objekt” dhe “Palë”. Në rastin në fjalë, kontrata e quajtur “fillestare” nga ana e AK, ka objekt “Projektimi i vijës bregdetare të Vlorës, Lungomare”, ndërsa kontrata që po shqyrtojmë ka objekt “Shërbimi i supervizimit të mbushjes me rërë të Plazhit të Vlorës”, pra janë dy objekte prokurimi të ndryshme. Në këto rrethana, vlera prej 92,400 Euro (rreth 12,936,000 lekë) pa tvsh është shpenzim joefektiv.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here