Rritet sërish kërkesa e invidividëve për kredi bankare

0

Kërkesa e individëve për kredi u rrit përsëri në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, kërkesa e individëve për kredi u raportua në rritje si për kredinë konsumatore, ashtu edhe për kredinë për blerje banesash. Kreditimi i individëve është segmenti i tregut me ecurinë më të mirë në vitet e fundit. Bankat kanë lehtësuar vazhdimisht standardet e kredisë në këtë segment, e shprehur kjo kryesisht përmes uljes së normave të interesit.

Sipas bankave, standardet e kreditimit qëndruan të lehtësuara edhe në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, duke vazhduar të nxisin rritjen e kredisë në këtë kategori. Në nëntor 2017, vlera totale e kredisë dhënë individëve nga bankat dhe institucionet e tjera financiare arriti në afro 176 miliardë lekë, në rritje me 5.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, kërkesa për kredi ende paraqitet e luhatshme në segmentin e biznesit. Kërkesa për kredi në tremujorin e katërt të vitit 2017 ishte në rritje në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe në rënie për ndërmarrjet e mëdha.

Nga ana e tyre, bankat nuk kanë raportuar ndryshime të rëndësishme në standardet e kreditimit, që ngelen më të shtrënguara në raport me segmentin e individëve. Rritja e kredisë për biznesin ngelet sfida kryesore për sistemin bankar. Në fund të nëntorit 2017, portofoli i kredisë në këtë segment ishte 10 miliardë lekë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Lini nje pergjigje