Strehimi social, ja shtatë kategoritë që marrin shtëpi ose qira

0
211

Miratohen shtatë programet e strehimit për shtresat në nevojë. Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi dje projektligjin “Për strehimin social”.

Në mbledhjen e komisionit për të prezantuar projektligjin ishte zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Dajna Sorensen, e cila bëri një prezantim të nismës ligjore.

“Synimi i këtij projektligji është garantimi i një strehimi të përshtatshëm dhe një strehim të përballueshëm për t’i mundësuar qytetarëve një jetesë të denjët, të sigurt dhe mbi të gjitha duke u bazuar në ato aspekte dhe në aftësinë e tyre për të paguar, aftësinë qoftë individuale, por qoftë edhe aftësi financiare.

Ndryshimet që janë bërë në këtë projektligji, që është, gjithashtu, edhe një nga risitë e tij, për të respektuar kulturën dhe traditat e grupeve dhe komuniteteve të caktuara, të cilët mbështeten nga ky ligj”,- u shpreh Sorensen.

Programet

Programi i banesave sociale me qira është programi me anë të të cilit jepen me qira banesat në pronësi publike, nga fondi publik i banesave sociale, si dhe banesat që janë dhe mbeten në pronësi të subjekteve private, por që vihen në dispozicion të programit të banesave sociale me qira, me pëlqimin e pronarit privat. “Banesat sociale me qira përfshijnë:

a) banesat sociale që ndërtohen ose blihen nga tregu i lirë, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore apo persona juridikë privatë, me qëllim që të jepen me kontratë qiraje sociale;

b) banesat ekzistuese në treg, në pronësi të personave fizikë ose juridikë, të cilat ofrohen si banesa sociale që jepen me qira, që subvencionohen dhe të vlerësuara nga organet e njësisë së vetëqeverisjes vendore ose nga persona juridikë privatë, si banesa që përmbushin të gjitha kushtet teknike dhe normat e strehimit;

c) objektet e dala jashtë funksionit, si rezultat i mbylljes së një veprimtarie, të cilat kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe, në përputhje me planin e përgjithshëm vendor, janë miratuar për t’u kaluar në fond banesash sociale me qira, që subvencionohen”-thuhet në projektligj.

Aplikimi

Rregulla për aplikimin në programet sociale të strehimit janë tri. “Përfshirja në programet sociale të strehimit bëhet nëpërmjet aplikimit në zyrën përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore të vendbanimit/ vendqëndrimit të aplikantit. Individi/familja pa të ardhura, me të ardhura shumë të ulëta ose të ulëta, që aplikon, paraqet vetëm kërkesën për programin social të strehimit, sipas formatit të miratuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore.

Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore, për këta aplikantë. Dokumentacioni për të përfituar strehim sipas çdo programi, afatet dhe procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”-thuhet në projektligj.

Kategoritë përfituese

1. Përzgjedhja e subjekteve dhe familjeve përfituese bëhet nëpërmjet një sistemi pikëzimi.

2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore hartojnë, miratojnë dhe publikojnë sistemin e pikëzimit.

3. Në përzgjedhjen e subjekteve përfituese, me anë të sistemit të pikëzimit, përfshihen individë/familje, të cilët përmbushin nivelin e të ardhurave të parashikuara sipas çdo programi.

PROGRAMET SOCIALE TË STREHIMIT

Llojet e programeve sociale të strehimit

Programet sociale të strehimit përfshijnë:

1. Programin e banesave sociale me qira (BSQ);

2. Programin për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri;

3. Programin e banesave me kosto të ulët (BKU);

4. Programin për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;

6. Programin për krijimin e banesave të përkohshme;

7. Programin e banesave të specializuara.

Llogaritja e të ardhurave

“Të ardhura mesatare”, niveli mesatar i konsumit familjar, sipas nivelit më të ulët territorial të disagregimit të të dhënave nga INSTAT-i, dhe që publikohet në mënyrë periodike.

Për efekt të llogaritjes së nivelit të të ardhurave mesatare, familjet grupohen, si më poshtë:

a) Familje me të ardhura mesatare, që janë familjet me të ardhura mujore midis 100 dhe 120 për qind e të ardhurave mesatare;

b) Familje me të ardhura të ulëta, që janë familjet me të ardhura mujore midis 70 dhe 100 për qind e të ardhurave mesatare;

c) Familje me të ardhura shumë të ulëta, që janë familjet me të ardhura mujore më të ulëta se 70 për qind e të ardhurave mesatare;

Parimi i përballueshmërisë së strehimit

1. Strehimi konsiderohet i përballueshëm nëse familja me të ardhura:

a) mesatare nuk shpenzon më shumë se 30 për qind të të ardhurave të saj mujore për sigurimin e një strehimi të përshtatshëm;

b) të ulëta nuk shpenzon më shumë se 20 për qind të të ardhurave të saj mujore për sigurimin e një strehimi të përshtatshëm;

c) shumë të ulëta nuk shpenzon më shumë se 15 për qind të të ardhurave të saj mujore për sigurimin e një strehimi të përshtatshëm.

KUSHTET PËR FITIMIN E STATUSIT TË PËRFITUESIT NGA PROGRAMET SOCIALE TË STREHIMIT

1. Sipas këtij ligji, merr statusin e përfituesit nga programet sociale çdo individ që ka mbushur moshën 18 vjeç dhe familjet e regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësitë e vetëqeverisjes vendore që plotësojnë kushtet e këtij ligji. Përfituesit nga programet sociale duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

a) Nuk kanë në pronësi një banesë ose zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit apo banojnë në banesa jashtë standardeve në fuqi, për të cilat normat e strehimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave;

b) Kanë mbetur të pastrehë, si rezultat:

i. i fatkeqësive natyrore;

ii.i prishjes së objekteve të pakualifikuara si banesë;

iii.i zhvendosjeve për shkak të investimeve publike dhe nga objektet e përjashtuara nga procesi i legalizimeve;

iv. nga zbatimi i akteve administrative dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

c) Familjet që kanë një banesë të vjetër, në rrezik shembjeje, ose një banesë që i nënshtrohet një plani rregullues, për shkak të vjetërsisë së saj.

2. Përfitojnë nga programet e strehimit social të këtij ligji edhe shtetas të huaj, me qëndrim të rregullt në Shqipëri dhe që kanë përfituar nga organet kompetente statusin si “punëtor emigrant” dhe/ose “azilkërkues”.

3. Përfshihen në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, vetëm ato individë/familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura, sipas përcaktimeve në këtë ligj.

Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve

Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përzgjedhjen e individëve/familjeve përfituese, bazohen në kriteret e mëposhtme:

a) Kushtet e strehimit, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që:

i. nuk disponojnë banesë në pronësi;

ii. banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje;

iii. banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi;

iv. kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore;

v. familjet ose individët që humbasin banesën e tyre si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.

b) Kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:

i. familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat-nëna;

ii. të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore;

iii. familjet me më shumë se katër fëmijë;

iv. bashkëshortët, mosha e përgjithshme e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.

c) Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:

i. personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave;

ii. individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç;

iii. familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve;

iv. emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit;

v. familjet e policëve të rënë në detyrë;

vi. punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH);

vii. punonjësit e repartit RENEA;

viii. viktimat e dhunës në familje;

ix. viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;

x. anëtarët e komunitetit rom;

xi. anëtarë të komunitetit egjiptian;

xii. të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit;

xiii. vajzat nëna;

xiv. individët nga komuniteti i lesbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT), sipas rezolutës nr.6, datë 7.5.2015, “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT”.

SUBVENCIONI i QIRA-së

Përparësi në subvencionimin e qirasë kanë këto kategori:

a) Individët me statusin e jetimit;

b) Personat me aftësi të kufizuara;

c) Të moshuarit;

ç) Invalidët e punës;

d) Familjet e policëve të rënë në detyrë;

dh) Emigrantët e rikthyer;

e) Punëtori emigrant;

ë) Azilkërkuesit;

f) Familjet e komunitetit rom;

g) Familjet e komunitetit egjiptian;

gj) Viktimat e dhunës në familje;

h) Viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;

i) Prindërit e vetëm, që kanë në ngarkim fëmijë;

j) Individët nga komuniteti i LGBT-ve, në nevojë për strehim;

k) Të miturit, 14-18 vjeç, dhe të rinjtë, 18-21 vjeç, në konflikt me ligjin, kur dalin në lirim pas kryerjes së dënimit, kur kanë nevojë për banesë, sepse duhet të jetojnë larg familjeve, për shkak të rehabilitimit të tyre më të mirë në shoqëri;

l) Vajzat-nëna, pas daljes nga programi i banesave sociale të specializuara.

Programi i banesave të specializuara

1. Banesat e specializuara janë banesat në të cilat njësitë e vetëqeverisjes vendore adresojnë një nevojë specifike strehimi, në të cilat përfshihen banesat për:

a) të moshuarit dhe/ose personat me aftësi të kufizuara;

b) viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;

c) viktimat e dhunës në familje;

ç) fëmijët, të cilët janë pa kujdes prindëror ose janë marrë në mbrojtje nga institucionet shtetërore dhe që përgatiten për të kaluar në jetën e pavarur, të miturit, nga 14-18 vjeç, ose të rinjtë, nga 18-21 vjeç, pas lirimit ose kryerjes së programeve që lidhen me drejtësinë penale;

d) vajzat nëna.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here