Ku përfunduan investimet e bujshme të zotit Rama?

0
246

Sipas qeverisë shqiptare kontributi i TAP dhe HEC-ve në Devoll ka qenë shumë i ulët në rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit të kaluar. Ministri i Financave Arben Ahmetaj pohoi pak ditë më parë për mediat se TAP dhe Devoll janë dy projekte shumë të rëndësishëm, por efekti i tyre në rritje ekonomike është 0.1 deri në 0.25 në varësi të mënyrës si e kalkulojmë. Kjo përpjekje për të denigruar dy projekte madhore, të cilat qeveria e Ramës i trashëgoi të gatshmë nga Ekzekutivi i mëparshëm dhe deri tani është treguar totalisht e paaftë për të gjetur nëpër botë qoftë edhe një të vetëm që të rivalizojë me to, hidhet poshtë nga ndërkombëtarët. Investimet në gazsjellësin TAP dhe HEC-et në lumin Devoll kanë kontribuar me 0.8-1.2 pikë përqindje në rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto për vitet 2015 dhe 2016. Përllogaritjet i ka bërë Fondi Monetar Ndërkombëtar në marrëveshjen e fundit me Shqipërinë në lidhje me perspektivën e rritjes ekonomike të vendit. Fondi sqaron se, efekti i drejtpërdrejte i të dy projekteve kanë qenë 0.4 pikë për qind e PBB-së, por përfitimi që ka pasur ekonomia nga aktivitetet mbështetëse, si ndërtimi i rrugëve dhe nxitja e biznesit të shërbimeve e kanë rritur me tej kontributin e tyre në rritjen ekonomike. Sipas përllogaritjeve të Fondit, efekti total i dy projekteve është sa një e treta treta e vlerës së shtuar bruto gjatë 2015-2016. Të njëjtin kontribut projektet e kanë dhënë edhe më 2017. Ulrike Andreas, Drejtoreshë për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Menaxhere e TAP për Shqipërinë ka pohuar se punimet për gazsjellësin TAP, projektin më të madh të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë totale 1.5 miliardë euro, do të vijojnë edhe këtë vit me intensitetin e 2017-s.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT rritja ekonomike për vitet 2015-2016 ka qenë respektivisht 2.2 dhe 3.4 %, ndërsa kontributi i TAP dhe Devoll sipas FMN ka qenë 0.8-1.2 pikë përqindje. FMN vlerëson se, dy projektet e mëdha kanë dhëne efekte të rëndësishme në aktivitetin ekonomik të vendit. Kostoja totale për ndërtimin e tyre deri tani është sa 14% e PBB-së vjetore të vendit. Duke pasur parasysh intensitetin e kapitalit të tyre, importet përbëjnë një pjesë të madhe të kostove (rreth 60-70%) dhe pjesa tjetër korrespondon me pagat, kontraktorët lokalë dhe kompensimin për përdorimin e tokës. Projektet kanë krijuar rreth 3500 vende pune të drejtpërdrejta (6% e totalit të vendeve të reja të punës). Ndërtimi i tyre filloi në fund të vitit 2013 dhe u përshpejtua në vitet 2015-2017. Projektet po përmirësojnë transportin rrugor, pasi rrugë dhe urat e reja janë ndërtuar tashmë.

Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), i cili do të transportojë gaz natyror nga Azerbajxhani në Itali, do të sjellë një kontribut kyç të energjisë për Shqipërinë edhe pas përfundimit të punimeve. Projekti TAP në Shqipëri përfshin instalimin e 252 kilometër tubacione me një kosto totale prej 1 miliard eurosh (9% e PBB-së). Gjithashtu do të ndërtohen dhe përmirësohen 175 km rrugë hyrëse. Në vitin 2016, TAP përfundoi përmirësimin e 58 kilometra rrugë dhe punime në ndërtimin e urave. FMN përllogarit se, hidrocentralet e Devollit do të rrisin kapacitetin e instaluar të prodhimit të energjisë elektrike me 17%. Vlera e dy hidrocentraleve llogaritet 535 milionë euro (5% e PBB-së). HEC-i më i vogël Banja, tashmë i përfunduar, ka nisur prodhimin që në tremujorin e tretë.

FMN thotë se, në afat të mesëm, projektet mund të sjellin përfitime shtesë për Shqipërinë. Së pari, infrastruktura e përmirësuar do të zvogëlojë koston e transportit në zonat rreth projekteve. Së dyti, TAP hap derën për diversifikimin e energjisë, duke ndihmuar në reduktimin e varësisë së furnizimit me energji nga hidrocentralet. Rehabilitimi i termocentralit të Vlorës dhe lidhja e tij me TAP është çelësi për diversifikimin e energjisë. TAP do të rrisë produktivitetin e prodhimit, pasi bizneset do të zëvendësojnë energjinë elektrike me gazin natyror dhe kjo do të ulë kostot dhe do të hapë perspektivat e zhvillimit të industrive të reja.

Brukseli

Ndërkohë, vlerësimet e Bashkimit Evropian po bëhen gjithnjë e më shumë pesimiste. Ekonomia shqiptare u ngadalësua në tremujorin e tretë të vitit në Shqipëri, në 3.5% (nga 4.1% në tremujorin e parë dhe 4% në të dytin), për shkak të ngadalësimit të dukshëm të formimit bruto të kapitalit fiks dhe një tkurrje në eksportet e mallrave. Ky është konstatimi i Komisionit Europian në raportin e tremujorit të katërt për vendet kandidate dhe potencial kandidate. Sipas raportit, të shpërndarë dje, Rritja e formimit bruto të kapitalit fiks u ngadalësua dukshëm në tremujorin e tretë, nga 14.9% në tremujorin e dytë në 3.8 %, teksa dy projektet e mëdha të energjisë kanë hyrë në fazën finale, thekson raporti.

Eksportet u ngadalësuan me rritje vjetore prej 11.4% nga 17.8% në tremujorin e mëparshëm. Eksportet e shërbimeve u rritën me 14.3%, të mbështetura nga turizmi, që ka qenë në rritje të vazhdueshme. Eksportet e mallrave, megjithatë, ishin zhgënjyese, me një rënie prej 1.1% duke ndjekur një performancë të fortë në tremujorët e mëparshëm. Ndërsa rritja e importeve u përshpejtua, si rrjedhojë e zgjerimit të konsumit. Prodhimi shënoi ritmin më të lartë të rritjes në tremujorin e tretë me 10.0% me bazë vjetore. Aktiviteti i ndërtimit u ngadalësua nga 22.9% në tremujorin e dytë në 7.6%, teksa aktiviteti i investimeve në sektorin e energjisë u zvogëlua.

Premtimet e rreme

Po si po shkojnë investimet e tjera strategjike, të premtuara nga Edi Rasma qe prej pesë vitesh?

Aeroporti i Kukësit është lënë prej vitesh në mëshirë të motit, po ashtu si edhe TEC-i i Vlorës. Segmente të tëra të Rrugës së Arbërit po dëmtohen nëpër vite, pasi qeveria Rama nuk është e aftë të investojë për të mbyllur projektin. Linja e rëndësishme e interkonjeksionit me Kosovën, që do të zgjidhte shumë halle energjetike, gjithashtu, pasi u ndërtua me paratë e qeverisë gjermane, është lënë në harresë. Aty nuk kalon asnjë kilovatore energji. Tashmë, edhe Uzina e përpunimit të thellë të naftës po kthehet në një dështim total. Kompania Marriott e hotelerisë botërore deklaroi se u tërhoq nga dhënia e emrit Sheraton hotelit të Tiranës, pasi nuk përmbush kushtet.

Porti i Shëngjinit, që u tha se do të modernizohej dhe do t’i jepej Kosovës, ka mbetur siç ishte, një port peshkarexhash! Ndërsa porti 5 miliardë eurosh i pretenduar në Karpen të Kavajës mbeti një flluskë e thjeshtë sapuni. Jo vetëm kaq. Në takimin e Triestes, ku ishin miratuar projekte qindra milionë euro për vendet e rajonit, Shqipëria shkoi me duar në xhepa dhe natyrisht u kthye po ashtu, pa asnjë euro në xhep.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here