‘Bastet’ thyhen në Kushtetuese, fiton koncesioni i lojërave të fatit. Ja tarifat

0
169

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e bërë nga Shoqata e Shoqërive të Basteve Sportive që lidhej me koncesionin e mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online të lojërave të fatit. Në argumentet e saj Gjykata Kushtetuese ka nënvizuar se në rastin e sistemit online nuk jemi para cenimit të lirisë.

“Gjykata vlerëson se detyrimi për të paguar tarifat e shërbimeve publike nuk nënkupton se jemi para kufizimeve, të cilat cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike. Normat objekt gjykimi nuk përbëjnë rregullime materiale në fushën e lojërave të fatit, por përcaktojnë detyrimin për ngritjen e një sistemi monitorimi, i cili do të shërbejë për të kontrolluar veprimtarinë e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë fushë” thuhet në vendimin e Gjykatës.

Me radhë pikë pas pike e njëjta trupë ka rrëzuar edhe pikat e tjera të ngritura në kërkesën e Shoqatës së Shoqërive të Basteve Sportive duke bërë të qartë se qysh nga 16 janari vendimi është në fuqi. Kjo do të thotë se tashmë kompania fituese e koncesionit 30 vjeçar , bashkim i Admiral Sportwetten GMBH, ATSI Spolka Akcyjna dhe MC Networking sh.p.k nuk do të ketë asnjë ndryshim në planin e tarifave që do të aplikojë të miratuara më herët në qeveri gjatë vitit të shkuar.

Përplasja në Gjykatën Kushtetuese

Në datë 6 qershor 2017, në Gjykatën Kushtetuese u dorëzua një kërkesë nga Shoqata e Shoqërive që Operojnë në Fushën e Lotove dhe Basteve Sportive. Në objekt të kërkesës qëndronin tri pika që në linja të përgjithshme japin qartë kundërshtimin e vendimit të qeverisë, që industria e lojërave të fatit të paguajë tarifë shtesë që do shkojnë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit. Por cilat janë tri pikat që përmblidhen në objekt të çështjes:

1) shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 48, pika 2 shprehja “si dhe tarifën e mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara” të nenit 70 pika 12 shprehja “tarifa e mirëmbajtjes së tij që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara e ligjit nr.155, datë 21.12.2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar.

2)Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të fjalisë së fundit të pikës 1 të dispozitave të përgjithshme, të pikës 2 dhe 3, të kreut IV të mirëmbajtjes së sistemit të vendimit Nr. 647, datë 14.09.2016 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës dhe kritereve të përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit On-line (SQMO) si dhe autoritetin përzgjedhës për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes”;

3) Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e pikës 1, të vendimit Nr.331 të Këshillit të Ministrave, datë 12.04.2017 “Për miratimin e tarifës së mirëmbajtjes së sistemit qendror të monitorimit on-line që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara” në lidhje me tarifat e mirëmbajtjes për kategorinë e basteve sportive.

Tarifat e koncesionit

Në prill të vitit të shkuar qeveria miratoi një vendim me tarifat që zbatohen mbi kompanitë e bixhozit sipas kategorisë ku përfshiheshin ato për sistemin e monitorimit online.

Tarifa ditore për çdo pikë bastesh në vend është 0.70 euro, ose 21 euro në muaj. Kjo e çon totalin që do të paguajë një pikë basti në 252 euro në vit. Aktualisht sipas shifrave të deklaruara nga Shoqata e Shoqërive që operojnë në fushën e Lotove dhe Basteve Sportive në treg janë rreth 3 mijë pika. Kjo do të thotë që totali që do të paguajnë pikat e bastit te konceisonari është 756 mijë euro.

Kategoria e dytë që do të paguajë tarifë për sistemin e monitorimit është ajo e kazinove elektronike që do të jetë 1.25 euro për çdo aparaturë apo makinë loje. Kjo do të thotë që për një aparaturë në muaj do të paguhet 37.5 euro, çka në një vit e çon detyrimin për t’u paguar në 450 euro. Deri në vitin 2013, zyrtarisht rezultonin në treg 2200 aparate të instaluara brenda kazinove elektronike. Me këtë shifër, detyrimi total që ky segment do paguajë është 990 mijë euro nëse do të kemi të njëjtën sasi makinash.

Lidhur me Lotarinë Kombëtare, tarifa për t’u paguar është 1 euro në ditë për njësi. Në total gjithë njësitë do të paguajnë rreth 150 mijë euro për sistemin e monitorimit në vit./Monitor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here