Njerëzit në nevojë dhe “këpuca e ngushtë” e modelit social…

0
238

Padyshim kur filluam rrugën e lirisë, të ndërtimit të demokracisë dhe zhvillimit të ekonomisë së tregut, të gjithë në shqiptarët ishim me të drejtë entuziastë. Ndoshta nga që koha kishte krijuar modele dhe paradigma të shoqërive europiane të prosperuara, me nivel të lartë jetese. Ato ishin “piketa” politike, sociale dhe ekonomike që me të drejtë të bënin entuziast për rrugën në të cilën do të ecte shoqëria jonë në të ardhmen. Që padyshim do të ishte ajo europiane. Por atëherë ne dinim vetëm melodinë por nuk denim tekstin, ndaj nuk e mund të llogaritmin që pjesë e atij entuziazmi ishte i parakohshëm, duke parë dhe vlerësuar vetëm të mirat e sigurta të lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Por pa llogaritur risqet e natyrshme të sistemit demokratik, mundësitë e personalizuara për të shfrytëzuar në mënyra të ndryshme “shanset e barabarta”, si dhe pa vlerësuar rreziqet ontologjike të shoqërisë moderne, që janë gjithnjë të pranishme për njerëzit që nuk përshtaten me të, dhe që për pasojë të dështimit personal mbeten të margjinalizuar, të mërzitur, pa shpresë dhe pesimist. Ky është një aspekt për të cilin me sa duket procesi i nxjerrjes së mësimeve sociale në shoqërinë tonë akoma nuk ka marrë fund. Shumë njerëz vazhdojnë të enden të dëshpëruar rreth ideve paternaliste për shtetin social apo vazhdojnë të jenë në pritje se në të ardhmen mund të vijë ndonjë “shoqëri sociale”. Është fjala për praninë e një numuri jot ë vogël qytetarësh që jetojnë në varfëri, janë të papunë, kanë halle dhe probleme që nuk mund t’i zgjidhin vetë. Në këtë situatë ata kanë gjetur si “solucion social” të qëndrojnë duke u ankuar pasivisht për politikat sociale të shtetit, mungesën e humanizmit të shoqërisë, duke qënë në të njëjtën kohë në pritje që gjërat të ndryshojnë nga “jashtë tyre”.

Por besoj se ajo që shumica e shqiptarëve ka mësuar nga kjo periudhë tranzicioni demokratik, ka qënë e vërteta se shanset dhe mundësitë e demokracisë dhe ekonomisë së tregut nuk sjellin kurrë barazi të plotë, mirëqenie të barabartë për të gjithë. Suksesi, paraja, mirëqenia, fama sociale, progresi, karriera, e shumë gjëra të tjera që janë të lidhura me dëshirat e natyrshme të njeriut, nuk vijnë vetiu, nuk janë aq të lehta, që të realizohen nga të gjithë.

Ky nuk është “mësim moral” por është “mësim jetik” që duhet t’ua mësojmë njerëzve tanë, veçanërisht të rinjve, të cilët duhet të binden se në këtë shoqëri që jetojmë asgjë nuk realizohet me lehtësi, pa punë, pa aftësi, kualifikim, vullnet, sakrificë, shpirt gare, etj. Ka qënë iluzion i krijuar nga pesha e dhunës së diktaturës dhe atrofizimi i energjive nga natyra totalitare e shoqërisë tonë të së kaluarës që tek një pjesë njerëzish krijoi kundërkulturën e shfaqur në idenë e deformuar, se demokracia sjell liri ekonomike, mirëqenie sociale, prosperitet kulturor. Madje edhe iluzionin se atom und të arrihen me pak përpjekje, sepse në shoqërinë e lirë ka kushte që me pak përpjekje individuale, njeriu mund të arrijë më shumë rezultat.

Është tejet pozitiv fakti që tashmë një pjesë e shoqërisë dhe e njerëzve tanë e kanë kuptuar “tingullin e kohës” dhe kanë kuptuar të vërtetat e jetës që tashmë duken qartë. Kjo ka bërë që ata të bëhen më realist, të pranojnë jo vetëm “anën e ndritshme” të ekonomisë liberale të tregut, por dhe “anën e erët” të saj, të kuptojnë se në këtë shoqëri përgjegjësia për fatin individual rëndon më shumë mbi njeriun se sa mbi shtetin dhe shoqërinë, se plotësimi i dëshirave dhe realizimi i objektivave nëpërmjet garës dhe konkurencës nuk është aq i lehtë sa e kemi menduar në fillim. Mësimi i madh që duhet ta përvehtësojmë mirë të gjithë, është fakti që askush nuk mund të pres gjëra nga qielli, shteti dhe shoqëria. Askush nuk mund dhe nuk duhet të ushqejë iluzione se objektivat, synimet, prioritetet mund të realizohen vetiu, apo me besim të ekzagjeruar në veprimin automatik të drejtësisë sociale.

Në shoqërinë tonë janë të gjithë parametrat që të tregojnë bindshëm dhe fare hapur, se nuk mund të realizosh asgjë të madhe, me vlerë të qëndrueshme, në se nuk bind së pari veten, se në kushtet e ekonomisë liberale të tregut që tashmë është sunduese në shoqërinë shqiptare, janë vërtet kushtet që të besosh se asgjë nuk është e pamundur, por në të njëjtën kohë janë të gjitha kundërargumentet që të bindemi, se nuk ka as kushte ekonomike, as mundësi dhe shanse sociale që njeriu të arrijë “suksese të lehta”, pa punë, përpjekje dhe sforcime individuale. Kjo filozofi është sunduese. Dhe këtu nuk është fjala se ajo është sfidë vetëm për njerëz të veçantë, për njerëz që “lindin” apo që synojnë të bëhen në jetë persona me ambicje publike, në politikë, shkencë, art, biznes, etj, në të cilat suksesi padyshim që është sui generis i vështirë për t’u realizuar dhe për të cilat lufta personale e njeriut për afirmim, është akoma më e vështirë.

Përkundrazi kjo maksimë e “vështirësisë së suksesit” dhe e mungesës së hapësirës dhe kushteve për arritje pa konkurencë apo për të siguruar “suksese të lehta”, tani është një realitet i pranishëm, që njerëzit tanë pavarësisht rolit që luajnë, apo pozicionit social që kanë në shoqëri, janë të detyruar ta llogaritin si pengesë permanente që ndeshet në çdo fushë të jetës intelektuale, profesionale, empirike e prodhuese e cila qëndron përballë kujtdo. Sepse nga që nuk ka më “suksese të lehtë”, njerëzit duhet të bëjnë mirë llogaritë personale, sepse atë realisht askush nuk mund ta arrijë pa punë, vullnet, kualifikim, sakrificë, ndjenjë të fortë pragmatizmi dhe sens utilitarizmi.

Në se tani në shoqërinë tonë ka shumë njerëz që e ndjejnë veten të pasigurtë në jetë, që jetojnë në ankth, që ndihen në mënyrë permanente të shqetësuar nga pasiguritë e jetës, kjo në një masë të konsiderueshme nuk është vetëm pasojë e tipologjisë së shoqërisë se sa e qëndrimeve personale, e mungesës së aftësisë së orientimit social. Nga sa ka qënë e mundur të komunikojë me njerëz të tillë, që situata e tyre ekonomike dhe kushtet e jetës sociale i “detyrojnë” të jenë të pakënaqur, ankues, pretenciozë, ata përveç ndonjë të drejte sociale që kanë, më shumë ndodhen në këtë situatë nga që janë të sipërfaqshëm në vlerësimin e mundësive dhe gjetjen e shanseve të jetës së tyre. Kjo nga që një pjesë prej tyre lëvizin në “dallgët e jetës” pa llogaritur mundësitë, pa patur paraprakisht konsistencën e duhur personale. Duke llogaritur që në kohën tonë janë të pakta mundësitë për ta bërë shoqërinë më të mirë dhe shtetitn më human, përgjegjësia në një masë të konsiderueshmë mbetet mbi ta, në mënyrën si e kanë ndërtuar “stilin e jetës” së tyre.

Nuk është fjala për të mbrojtur shoqërinë tonë nga difektet, qoftë ato që janë universale, ontologjike, por dhe me natyrë kontekstuale të vecanta të shoqërisë tonë. Ato janë realisht të vërteta të padyshimta. Por që atyre nuk ka çfarë t’u bëjë individi, i cili individualisht më shumë se duhet të merret me “rregullimin e shoqërisë”, mund dhe duhet të merret me “rregullimin e vetes”. Sepse në se depërton në botën e tyre të brendëshme, do të dallosh se shumë difekte janë me natyrë ngushtësisht personale, të lidhura jo aq me shoqërinë dhe difektet e saj, se sa me “veten” e tyre, me paragjykimet e vjetra, pretendimet e tepërta sociale që ata kanë për jetën. Nuk kapërxehet kjo situatë në se përgjegjësitë i imagjinojmë sikur në çdo rast i kanë të “tjerët” që janë jashtë nesh.

Nga që kanë energji të pamjaftueshme në raport me kërkesat për të arritur suksesin apo nga që priren të punojnë me rezerva, me sa më pak punë, këta njerëz ose nuk janë në gjëndje, ose bëhen të paaftë të kuptojnë situatat e vërteta jetësore dhe të sigurojnë përshtatjen me to në mënyrë adekuate. Prandaj ata gradualisht humbin aftësitë orientative, sensing e duhur për të bërë gjykime realiste, të shëndosha për jetën e tyre.

Njerëzit e prirur për “suksese të lehta” janë përgjithësisht njerëz të dështuar në jetë, njerëz me anomali sociale, utopikë, për të cilët koha moderne ka rezervuar “tolerancë zero”. Ky është një nga shkaqet thelbësore që kjo kategori njerëzish nga që kërkon suksesin jo në rrugën e duhur, dështojnë dhe pastaj gjejnë si zgjidhje ngushëlluese “vetminë, vetëmbylljen, ankthin personal. Kjo mënyrë të jetuari që vlerëson dëshirën e njeriut për të arritur suksesin personal në rrugë të lehtë, por që nuk merr parasysh vështirësitë që ka jeta, e cila suksesin nuk e ka kaq shumë të shpeshtë dhe aq shumë të përhapur për të gjithë njerëzit, nuk është mënyra e duhur e të jetuarit dhe e organizimit të jetës.

Unë besoj se në këto kushte është detyrë e përgjithshme e shoqërisë, familjes, shkollës, medias, që të kultivojmë tek njerëzit tanë, sidomos tek të rinjtë, një tjetër kulture jete për afruar mundësinë e gjetjes së rrugës së suksesit personal, e cila nuk ka për të qënë kurrë rastësore, e lehtë, apo e lidhur në mënyrë deterministe me “fatin”. Kjo detyrë nuk është vetëm morale, por mbi të gjitha është një imperativ social, që na detyron të mbrojmë njerëzit tanë nga iluzionet sociale, nga paragjykimet fataliste. Ndryshe ka rrezik që situate e varfërisë dhe mungesa e vullnetit për tu shkëputur prej saj mund të na e bëjë shtresën e njerëzve të margjinalizuar si grup social me status të mbyllur.

Momentalisht kemi nevojë për një shikim tjetër të shkaqeve dhe pasojave sociale në shoqërinëe tonë. E sigurt është që iluzioni për të gjetur rrugë të lehta është i panevojshëm, i papërshatshëm për kohën dhe që njeriun e çon në disfatë të sigurt…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here