Luftar Paja: Teatrot në rrethe inekzistentë, arti duhet të dalë jashtë kornizës së Tiranës…

0
151

Në skenën e teatrit, por dhe në ekranin e kinemasë, me rolet e tij gjithmonë ka marrë vlerësimin e publikut. Në jetën artistike rolet më të fundit në teatër janë në dy shfaqje teatrore, por dhe në kinema, personazhet e interpretuar prej tij nuk mungojnë. Aktori i njohur Luftar Paja vjen në një rrëfim për punën me teatrin dhe kinemanë në vitin që lamë pas. Ai shpreson për të tjera projekte artistike në vijim, ndrësa pohon se ata artistë të vjetër që kanë mbetur, duhen angazhuar në role. Për “SOT”, aktori Luftar Paja “Artist i Popullit” ndalet dhe në mënyrën se si po bëhen vlerësimet për artistët, që sipas tij ka raste që janë dhënë çmime dhe të pamerituara. Shqetësimi i tij mbeten problemet në teatër dhe në kinema. Sipas tij, sot teatrot në rrethe janë inekzistentë, por dhe për Ministrinë e Kulturës ka një apel. Ai shpreson që ky institucion të bëjë atë që ka thënë për artin dhe kulturën.

 

-Si ka nisur ky vit për ju nëse flasim për krijimtarinë artistike, a keni projekte me role?

Për mua si zakonisht takimi i parë është me shokët e dikurshëm të kafes, me Sandrin, Xhelalin, Sazanin. Dhe aty kemi hasur dhe me disa talente të tjerë siç janë regjisorë, aktorë, dhe kemi shkëmbyer mendime se si do ta nisim 2018, pavarësisht se jemi në pension. Dhe parashikimet e mia janë optimiste, por kjo varet dhe nga mundësitë që do të krijohen. Ne jemi si puna e atij aeroplanit pa aerodrom. Ne kemi dëshirën dhe vullnetin e madh për krijimtari, por herë mungon salla e herë sponsori me buxhete, kështu që jemi pak të ndrojtur për këtë punë. Megjithatë me vullnetin e mirë do të krijohen dhe mundësi të mira.

-Vitin që kaloi e mbyllët me projekte, si në teatër apo dhe në kinema. Për ju, si ishte nga ana artistike?

Ishte një vit i mirë për mua. Unë kam marrë pjesë në dy spektakle, njëherë me regjisor Altin Basha në 2016 në “Made in Albania” dhe tjetra gjatë 2017 me Erion Isain te shfaqja “Ferma e kafshëve”. Gjatë kësaj kohe kam pasur dhe një rol tek filmi “Yjet e së ardhmes”, që po vijon në kinema me regjisor Edmond Topi. Pra ky është bilanci i vitit që lamë pas nga krijimtaria artistike. Perspektiva është e mirë për këtë vit, por varet nga mundësitë, që do të më krijohen me projekte.

-Keni pohuar gjithmonë që duhet të krijohen më shumë mundësi dhe për të qenë talentet e reja në skena. Çfarë duhet bërë?

Kjo është kryesorja. Ne kemi talente, por duhen mbajtur vazhdimisht në tension.

-Në çfarë kuptimi?

Institucionet që janë për këtë punë si Teatri Kombëtar, Eksperimental, Metropol apo dhe kompani të ndryshme private duhet të afrojnë dhe ti krijojnë mundësi talenteve të reja. E kam thënë dhe më parë dhe e kam dëgjuar dhe nga të tjerë, Shqipërisë i duhen regjisorë të kualifikuar në të gjitha zhanret. Ne sot kemi regjisorë të mirë, por këtë e them sepse Universiteti i Arteve nxjerr talente të reja, por duhet patjetër që këto të mos mbyllen në guackën e tyre, të mos jetë vetëm universiteti, por të ketë dhe specializime nga vetë shteti shqiptar. Duhet të krijojë mundësi që ti dërgojë për specializime në vende të ndryshme. Nëse do të shkonin 10-12 talente të regjisurës sikur 1 apo 2 të kthehen me sukses të madh, kjo është gjë e madhe për Shqipërinë . Por për teatrin ka probleme jo pak.

-Ku janë problemet në teatër?

Teatri shqiptar në kohën e diktaturës jo se ka shkëlqyer, por ka pasur një shtrirje pothuajse në të gjitha qendrat e mëdha të vendit dhe kanë qenë 10 teatro profesionistë. E keqja sot tek ne, teatri, arti dhe kultura konceptohet vetëm në Tiranë. Por nuk jetojnë njerëz vetëm në Tiranë, janë dhe në zona të tjera. Kështu që këto teatro me përjashtim të Tiranës në rrethe janë inekzistentë. Po kështu kemi pasur dhe 15 estrada profesioniste, që u zhdukën. Po të kërkosh defektin kjo nuk është sot, por ka 27 vjet. Vërtetë ndryshojnë disa gjëra, sepse sot duhen krijuar kopani private,etj, por ama në fund të fundit ashtu sikurse subvencionon shteti për Teatrin Kombëtar në Tiranë apo dhe atë Eksperimental, ashtu duhet të ketë dhe një buxhet për teatrin e rretheve. Nëse nuk kanë dorën e shtetit, teatrot nuk funksionojnë. Le të mundohen vetë këto institucione teatri sa të duan. E kemi thënë dhe më parë, nëse në kohën e diktaturës nuk ka pasur sadisfaksion material ka pasur dhe moral. Artisti në atë kohë kishte një tjetër vlerësim në publik. Vlerësohej maksimalisht. Ato vlera që iu jepeshin artistëve i diskutonte dhe i studionte mirë dhe populli. Që të merrej një titull Artist i Merituar atë kohë do të diskutohej në disa kolektiva në Komitetin Ekzekutiv, aty ku punohet artit, por dhe te njerëzit që kishin shijuar vlerat e artit, dhe më pas e firmoste Ministria e Kulturës dhe shkonte në Kuvendin Popullor. Por sot fatkeqësisht më vjen keq për presidentët në largim, e trajtojnë organin më të lartë ligjvënës të popullit shqiptar sikur e kanë pronën e tyre personale. Nuk bëjnë vlerësime sipas meritokracisë, por sipas nepotizmikracisë. Ky është i yni dhe ky jo. Po filluan figurat të parceliozhen do humbasim vlerat, që dhe mund të shkrepi ndonjë talent. Pa mbushur akoma 5 vjet nuk ke dhënë prova direkt dhe bëhesh mjeshtër i madh. Rri 20 vjet dhe bën kafe në Amerikë dhe kur kthehesh merr titullin “Nderi i Kombit”. Kjo është një padrejtësi e madhe, që i bëhet artit shqiptar.

-Në fushën e kinemasë ju erdhët në filmin e “Yjet e së ardhmes”. Me një rol pas shumë vitesh. Këtë herë regjisori ju besoi rolin e një pensionisti në azil…

Në film ky pensionisti në azil dikur ka pasur një funksion, ka qenë shef administrate dhe vijon si personazh në film me lavdinë e së kaluarës. Jep urdhra, sepse i duket vetja sikur është shef.

-Problemet sot në kinema, ku janë?

Kur thamë që teatri ka nevojë për njerëz të kualifikuar, këtu unë e kam dhe për kinemanë. Edhe në kinema kemi nevojë për njerëz të kualifikuar. Sigurisht që kemi dhe regjisorë dhe aktorë të mirë, por dhe problemet nuk mungojnë. Por po nuk dhembi dhëmballa nuk vete dot gjuha. Dhe kjo punë kështu është kineastët shqiptarë duhet të trajtojnë tema, që prekin popullin në shumë aspekte, që kur të vejë tjetri dhe kjo vlen dhe për teatrin të kemi tema që publiku të shikojë dhe një pjesë të vetes së tij. Problemet me skenarin në filma sot janë të dukshme. Nuk bëhet filmi duke marrë skenarin në krah, dhe duke gjetur një sponsor se ku të bëj një film. Ju pohova që duhen gjëra me pikësynime të larta dhe të projektuara me mend në kokë në teatër dhe në kinema.

-Ju përmendët probleme, në gjykimin tuaj sa ka bërë Ministria e Kulturës?

Kritikat për Ministrinë e Kulturës janë thënë dhe stërthënë, dhe është bërë pak si bajate. Ka gjoja njëfarë justifikimi, që do të ndërtojmë teatrin e ri, ja se do të shpërngulemi që këtu, etj., dhe këto gjëra shtyhen nga viti në vit. Ku ishe hiç gjëkundi, çfarë bërë hiç asgjë. Janë thënë e stërthënë gjëra për artin dhe kulturën dhe dashtë zoti i bëfshin nga 2018 e mbrapa.

 

-Ju keni pasur dhe kritika në përgjithësi për mënyrën se si punohet me teatrin apo dhe kinema?

Artistët e rinj dhe të vjetër mund ta vuajnë këtë që po u them, por po nuk derdhët djersë nuk ke produkt, nuk ke prodhimtari. Unë vetë kam marrë pjesë në shumë evenimente të reja pa i përmendur tani jo ky regjisor më i mirë apo ky auditor më i mirë, etj, po shpeshherë puna është bosh sepse nuk bëhen më analiza për rolet sot. Para se të fillojë këtë spektakël bëhet analiza e kësaj vepre, zbërthehet vepra, idenë kryesore, qëllimet, dëshirat, por këtu ka një koncept të gabuar të shumë regjisorëve që mendojnë: ju shikoni tekstin aty se këto i di unë. Por arti kolektiv nuk presupozon këtë çdo gjë në dorën e regjisorit, por duhet që ky kult të jetë i veshur me kontributin e të gjithëve. Pse lavdërohet dhe kritikohet aktori? Presupozohet nëse ka bërë punë apo jo të mirë. Pse lavdërohet dhe kritikohet regjisori, sigurisht për punën si e ka bërë. Drejtuesi kryesor është regjisori, por njerëzit nuk shtrohen tamam në punë që të krijojnë një vepër. Në kohën e Pirro Manit dhe Pandi Stillu mendohej mirë aktori para se të hynte në studio. Tani artisti vjen sipas qejfit. Unë nuk jam dakord sot me këtë lloj metode pune, sepse nuk ke rezultat. Ka dhe punë të mira dhe shumë të mira në teatër dhe duken artistët që punojnë. Përmend këtu dhe regjisorë që kanë rezultat si Altin Basha sepse punon. Përshembull shfaqja e fundit me dy aktorë të mrekullueshëm “Rojat e Taxhit” ishte plot salla, por ata ishin dy aktorë të mrekullueshëm që nga Gazmend Gjoka me një potencë të admirueshme por dhe Lulzim Zeqja. Përmenda këta sepse kanë qenë në skenë së fundmi, por sido që të jetë nuk mundet që të admirosh një shfaqje apo dy, sepse viti është i madh janë 12 muaj.

-Drama shqipe ka qenë mjaftueshëm në skena?

Të vjen keq se zhvillohen festivale, por ne nuk kemi një të dramës shqipe. Duhet të kemi festival për dramën më të mirë shqipe në skenë dhe duhet punuar me shumë seriozitet për këtë. Por sot dhe buxhetet në art janë jo pak problem. Maqedonia dhe Kosova kanë më shumë buxhet për artin dhe kulturën. Kosova sot ka disa gjëra më të mira në trajtimin e artistëve se sa në Shqipëri. I uroj suksese artistëve të rinj dhe ata pak të vjetër që kanë mbetur ti shfrytëzojnë me nikoqirllëk.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here