Fatos Lubonja: Shqipëria që drejton Edi Rama të kujton kohën e Hoxhës, mashtrim për popullin

0

Nga Fatos Lubonja

Loading...

Para disa ditësh dëgjova Edi Ramën, që po mbante një fjalim diku nga Rrësheni, ku ngriti në qiell atë që ai e ka quajtur bashkëqeverisje me popullin, që realizohet nëpërmjet portalit shqipëriaqëduam.al. Aty mësova se këtë “institucion” të ri, që deri dje e drejtonte Saimir Tahiri, tani e kryesoka ish drejtoresha e doganës, Erisa Spiropali, e cila, ashtu si Tahiri, është hequr nga administrata, sipas fjalëve të Ramës, sepse ka pasur performancë të lartë në punë dhe kjo e ka bërë më të vyer për punën në parti. Ajo që më mbeti nga fjala e Spiropalit, ishte pohimi se ende nuk e kemi pastruar plotësisht administratën nga njerëzit e tepsisë. Kurse, nga fjalët e Ramës më mbeti përsëritja dhe stërpërsëritja e asaj se, nëpërmjet shqipëriaqëduam.al, qytetari jo vetëm që zgjidh një problem që ka me administratën shqiptare (në 1600 ankesa sipas Kryeministrit janë zgjidhur 1400), por qytetari, gjithashtu ndien se ka një pushtet të madh sepse mund ta pushojë nga puna një x administrator, që i është bërë pengesë mirëqeverisjes për shkak korrupsioni apo paaftësie.

Siç merret me mend, pjesë e pandarë e fjalimit të gjatë të Edi Ramës qenë edhe sharjet dhe qesëndisjet ndaj atyre që e kanë kritikuar këtë lloj metode qeverisjeje, të cilët, siç ripërsëriti ai, s’dinë të bëjnë punë tjetër në jetë.

Personalisht, bëj pjesë ndër ata qytetarë, që e ka qesëndisur këtë metodë sepse nuk mendoj se Shqipëria që duam mund të ndërtohet kësisoj; madje, edhe më keq akoma: kam shkruar se këto praktika nuk janë tjetër gjë, veçse një formë e mashtrimit dhe keqpërdorimit të popullit për qëllime krejt të tjera nga mirëqeverisja e tij. Janë metoda që të kujtojnë kohën e Hoxhës, i cili në fundvitet ‘60, duke imituar Maon e Revolucionit Kulturor, doli me parullën, “Kur flet klasa, nuk flet burokracia” e me politikat e fletërrufeve, që në thelb synonin dobësimin e pushtetit të institucioneve të shtetit dhe zëvendësimin të tyre me kultin e udhëheqësit të pagabueshëm që mban lidhje direkt me popullin. Meqenëse ky mund t’u dukej lexuesve si një shembull i tepruar, kam sjellë edhe atë të një gjysmë demokracie, si Venezuela e Çavesit, ku ky delirant i sëmurë kishte hapur një program të vetin televiziv, nëpërmjet të cilit merrte telefonata nga populli dhe, me demek, u zgjidhte direkt njerëzve hallet që kishin, ndërkohë që keqtrajtonte opozitën dhe çdo zë kundërshtar.

Duke dëgjuar fjalën e Edi Ramës, i cili atë që normalisht duhet të funksionojë si një zyrë ankesash pranë çdo institucioni, kërkon ta quajë bashkëqeverisje me popullin, nuk mund të mos ngresh disa pyetje: Përse u dashkan atëherë mediat, që kanë detyrë, pikërisht të investigojnë të bërat dhe të pabërat e pushtetit dhe të kërkojnë llogari? Pse duhen institucione të tilla si opozita? Po një organ si Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka për detyrë të konstatojë shkeljet e abuzimet administratorëve, përse duhet? Mund të shkoja gjatë me pyetje të tilla, që do të përfundonin edhe me pyetjen: po pse duhet fare Parlamenti, që supozohet se duhet të kontrollojë e miratojë punët e qeverisë, kur të gjithë këta institucione mund t’i zëvendësojë portali i Spiropalit, shqipëriaqëduam.al?

Në fakt, po të bashkosh fjalën e Spiropalit me atë të Ramës, del qartë se ç’është shqipëriaqëduam.al. Ata na thonë: ne e identifikojmë veten me interesin e popullit dhe, me ndihmën e zërit të tij që seleksionojmë në shqipëriaqëduam.al, do ta pastrojmë tepsinë nga çdo trup i huaj që është kundër nesh. Pra, në fakt, kemi të bëjmë me shqipëriaqëdoedirama.al.

Megjithatë, për të provuar këtë portal, unë, si qytetar shqiptar, po i drejtoj atij publikisht një ankesë. U njoha këto ditë me vendimin e Gjykatës së Strasburgut lidhur me prishjen e pallatit në Vlorë. Rezultojnë mashtrime publike për qëllimin e prishjes së pallatit, shpronësime banditeske, shkelje të të drejtave të njeriut me rrethime policeske të pronave private, moszbatim i vendimit të gjykatave nëpërmjet kapjes së Gjykatës së Lartë, çfarë s’kishte në atë vendim për metodat Rama të qeverisjes– përpos shumës së majme prej 13 milionë euro, që do t’u hiqen xhepave të shqiptarëve nga këto metoda. Dhe, fatkeqësisht, ky nuk është rast i izoluar. Një dokument i paradokohshëm tregon se ish ministri i Drejtësisë, Vasili, i është drejtuar Edi Ramës me shqetësimin se, për shkak të këtyre metodave banditeske të qeverisjes, sipas Avokates së Shtetit, ne rrezikohemi që gjykatat ndërkombëtare të na ngarkojnë 2 miliardë euro dëmshpërblim. Tani, më falni ju të shqipëriaqëdoedirama.al, por kjo është katastrofike në krahasim me vonesën e dhënies së çertifikatës një qytetari për çka, ju, në bashkëqeverisje me popullin, vendosni shkarkimin nga puna të një punonjësi të hipotekës.

Pyetja ime është: çfarë do bëni ju, në bashkëqeverisje me popullin, për këto raste skandaloze? A do të pushohet kush nga puna, a do të paguajë kush dëmin material që është shkaktuar, a do t’i dërgohet kush Prokurorisë dhe Gjykatës?

 

Loading...

Lini nje pergjigje