Bytyçi: ‘Atentati kundër Ivanoviç drejtohet kundër Kosovës’!

0
219

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Vrasja e Oliver Ivanoviçit mëngjesin e 16 janarit 2018 ishte një tragjedi njerëzore, një akt barbar, ishte një vrasje politike, por dhe një sinjal i qartë për përkeqësimin e tensionimin e situatës në marrëdhëniet etnike në Kosovë e më gjerë në Ballkanin Perendimor. Ivanoviç, megjithëse i dënuar nga gjykata me kusht për “krime lufte në Kosovë”, me gjasa për shkak të involvimit të tij në spastrimmin e shqiptarëve etnikë, vlerësohet si një politikan karriere me një eksperiencë të gjatë prej më shumë se tri dekadash.

Njëkohësisht ai vlerësohet se ishte një politikan me një vision të ndryshëm nga politika zyrtare serbe sa i përket zgjidhjes së konfliktit në Kosovë si dhe të ardhmes së marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Shkurt ishte një politikan moderator, që nuk shihej me sy të mirë në Beogradin zyrtar.

Hetimet në 24 orët e para duket se kanë identifikuar pronarin e mjetit, një serb me pasaportë austriake, i cili nuk jeton më, por jo edhe vetë kriminelët. Ndërkohë deklaratat e Beogradit ditën kur u krye atentati shërbyen për tensionimin e situatës. Presidenti serb Vuçiç thirri menjëherë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe bëri komente kërcënuese për gjetjen ose mosgjetjen e atentatorëve. Dukej se gjithë halli i tij ishte që të shuante dyshimet se Beogradi zyyrtar kishte dorë në vrasjen e politikanit serb të veriut të Mitrovicës.

Ai u shpreh se “nëse autoritetet e Prishtinës nuk i gjejnë vrasësit, do të jetë Beogradi ai që do ta bëjë këtë”. Ndërsa kryeministrja serbe tha se i ka kërkuar OKB-së dhe BE-së që të lejojë palën serbe në hetime. Ambasadori i Hollandës në Prishtinë i dha atij një përgjigje Vuçiç, duke i kujtuar se policia e Kosovës është e aftë të hetojë përgjegjësit e kësaj vrasjeje.

Ndërsa politikanët e Prishtinës u shfaqën më të qetë, më të rezervuar, duke mos lënë asnjë shenjë dyshimi se Prishtina zyrtare të ishte pjesë e ngjarjes makabre. Dhe Tirana zyrtare nga ana e saj u shfaq me një dimension tjetër. Edi Rama dhe pasuesit e tjerë të partisë në pushtet u shprehën njëzëri, gati në formë ultimatum e me megalomani se “duhet të vijojnë bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit”. Madje u tha se “kjo vrasje duhet të shërbejë që keto bisedime të çohen përpara”.

Deklarimet e tri kryeqyteteve ballkanike shprehin dallueshmëri midis tyre. Mesazhi na paraqet faktin se Beogradi orientohet nga dëshira për të tensionuar situatën në marrëdhëniet e tij me Prishtinën, si dhe marrëdhëniet etnike në Kosovë. Jo më kot u ndërprenë menjeherë bisedimet dypalëshe në Bruksel. Eshtë Prishtina, e cila shpreh brengën e saj për imazhin e krijuar pas kësaj vrasjeje. Dhe kemi një Tiranë zyrtare, e cila shqetësohet e shfaq frikën se mos ndërpritet dialogu dhe tensionohen marrëdhëniet midis dy popujve prej dy shekujsh në konflikt me njëri-tjetrin.

Një ish-administrator civil i OKB-së i ka thënë, Ëilliam Nash, i ka thënë gazëtës amerikane Uashington Post se Ivanoviç ishte zë i dialogut në Kosovë.

Nga kjo pikëpamje duket se ka diçka që nuk shkon në segment e pohimeve të Tiranës. Eshtë për t’u respektuar “dëshira” për dialog e saj, por njëkohësisht për të dyshuar në “ultimatumin” ndaj Prishtinës për vazhdimin e dialogut.

Prej këtij arësyetimi do të më lejohet të shkoj te substanca e trajtesës.
Pse u vra Ivanoviç?

Të gjitha të dhënat dëshmojnë se ai u vra për ta shkatërruar një projekt pajtimi midis serbëve dhe shqiptarëve. Motoja e Ivanoviç ishte jo ndarjes së Mitrovicës. Argumenti i tij kishte të bënte me faktin se “shumica e serbëve jetojnë në brendësi të Kosovës dhe nëse do të kishte një ndarje të Mitrovicës, atëherë serbët në jug do të rrezikoheshin”! Kjo do të thoshte se Oliver Ivanoviç nuk e donte ndarjen, për pasojë nuk dëhironte që brezat e ardhshëm shqiptarë e serbë të jetonin në armiqësi me njëri-tjetrin. Ata që e vranë kanë një projekt tjetër, projektin e “zgjidhjes së problemit të Kosovës”, me anën e gërshërës. Në këtë projekt janë involvuar krerët e politikës e të shtetit të Serbisë. Vrasja kishte dy objektiva: T’u “dëshmonte” ndërkombëtarëve se paqja në Mitrovicë midis serbëve dhe shqiptarëve është e pamundur”. Dhe, të hiqte qafe një zë të rëndësishëm kundër ndarjes.

Në një intervistë të shtatorit të vitit të kaluar Ivanoviç lëshoi akuza ndaj përkeqësimit të situatës në Veri të Kosovës dhe deklaroi se “njerëzit aty janë të frikësuar jo nga shqiptarët, por nga serbët vetë”.

Kjo do të thotë se ai ishte dëshmitar dhe njëkohësisht kundërshtar i përpjekjeve të qeverisë serbe për të tensionuar në mënyrë të qëllimshme marrëdhëniet etnike në këtë zonë. Ai kishte denoncuar direkt lidhjet e presidentit të Serbisë, Vuçiç, me mafian kriminale në veri të Kosovës, si dhe kërcënimet e kësaj mafia kundër tij si dhe anëtarëve të partisë që ai drejtoi.

Situata në terren, e tensionuar qëllimisht me arrestimin e Haradinajt në Francë para një viti dhe me përpjekjen për të ndërtuar një linjë treni midis Beogradit e Prishtinës, favorizoi “lodhjen” me këtë konflikt të ndërkombëtarëve “mosbesimin” në rritje të serbëve lokalë si dhe zhgënjimin e shqiptarëve në jug të Mitrovicës.

Këta janë dhe tre faktorët vendimmarrës. Një skenar të tillë përpiqej ta ndalonte Ivanoviç, njoftojnë mediat dhe njohësit ndërkombëtarë të këtij konflikti.

Po Tirana pse nxit me “çdo kusht” vazhdimin e bisedimeve në rrethana të tilla?! Nuk duhet të hamendësojmë, por duket se janë serbët e Beogradit, ata që besojnë në një dialog përmes tennsionit në terren. Pas një tensionimi të tillë ata do të kenë gati projektin e ndarjes dhe vrasja e Ivanoviç do t’i ndihëmojë që të “argumentojnë” shkëputjen e Veriut nga pjesa tjetër e territorit të Kosovës. Krimeja është një model. U tentua të fillonte me trenin e lëshuar drejt Mitrovicës dhe skenari vazhdoi me likuidimin fizik të politikanit moderator serb. Në këto rrethana nuk duket e sinqertë përpjekja e Tiranës zyrtare për të nxit në mënyrë të imponuar një dialog me prapavijë të njohur. Dialogu, nëse vazhdon, duhet të jetë i strukturuar në ruajtjen me çdo kusht të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës dhe praniin e saj në OKB.

Por ka dhe skenarë të tjerë. Në Beograd politikanët besojnë se për këtë qëllim mund të sigurojnë mbështetjen e administratës së presidentit Trump. Ideja që ekziston ka të bëjë me “afrimin ruso-amerikan” dhe “kompromisin” midis tyre për ndarjen e më pas njohjen e Kosovës. Në të vërtetë ka shumë pak gjasa të ndodhë një gjë e tillë. Administrata amerikane edhe pas ardhjes së Trump ka ruajtur të njëjtin qëndrim, madje e ka shtuar prezencën e saj në Kosovë dhe në rajon.

Ndërkohë rusët janë bërë më aktivë. Në Nish ekziston një qendër e stërvitjes ruse për intervenime dhe provokime të ngjashme si ato që ndodhën më 2015-ën në mal të Zi. Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia janë shënjestrat e këtyre provokimeve. Vrasja e Ivanoviç me shumë gjasa është pjesë e kësaj prezence. Jo thjesht për të hequr qafe një kundërshtar të projekteve për ndarjen e Kosovës, por më shumë për të filluar një procës të ri shpërbërjeje në Ballkan duke mundësuar konflikte e grindje të reja, të cilat pa asnjë dyshim çojnë në ndërprerjen e integrimeve auropiane dhe sidomos të integrimeve euro-atlantike.

Sepse ndarja e veriut të Kosovës do të mundësojë ndarjen e Republikës Srpska në BH e më pas të dyja këto do të mundësojnë ndarjen e Maqedonisë. Serbët kanë interes strategjik që ky proces të ndodhë sa më shpejt, para përfundimit të procesit të integrimeve të Ballkanit Perendimor. Rusët kanë interesin që të “ndajnë” gjithashtu zonën e tyre të influencës, e cila ju siguron një dalje me nja 500 metër vijë detare në Adriatik në territorin e Republikës Srpska. Në këmbim të hiçit, Moskës i intereson një “gozhdë Nastradini” në bregun perendimor të Adriatikut.

Për këtë arësye janë shumë të besueshme lajmet, sipas të cilave qendra ruse e stërvitjes në Nish të ketë përgatitur një grup prej 22 personash për intervenim në Kosovë me qëllim destabilizimin e situatës dhe krijimin e trazirave në vend. Ky grup udhëhiqet nga një serb i Kosovës, i cili jeton në Beograd, Zoran Strakoviç.

Ai para dhe pas luftës ishte udhëheqës i lartë i sigurimit shtetëror serb në Kosovë dhe kishte planifikuar madje akte terrori e vrasjen e shqiptarëve. Presupozohet që grupi në fjalë të ketë 154 serbë dhe jo serbë si bashkëpunëtorë në territorin e Kosovës, të cilët janë të organizuar në tetë qendra. Qëllimi është që të gjithë këta të realizojnë trazira etnike në Kosovë si ato të 17-18 Marsit 2004 dhe me këtë plan veprimi të krijojnë mundësinë e një vendimmarrjeje ndërkombëtare për ndarjen e Kosovës. Rusia dhe Serbia për këtë veprimtari subversive e diversioniste kanë akorduar jo më pak se 20 milion dollar amerikanë.

Sipas të dhanëve që jep një institit studimesh në Kosovë, pasiqë grupet diversioniste të shkaktojnë trazirat, përmes të cilave Kosova do shndërrohej në një zonë konflikti etnik, qeveria e Serbisë do të paraqesë fillimisht disa kërkesa për “themelimin e një dhome të parlamentit për komunitetin serb me qendër në Graçanicë, për zhvendosjen e kanalit 2 të RTK-së po në Graçanicë, për krijimin e një policie të veçantë dhe një batalioni autonom serb të FSK-së, si dhe për krijimin e një zyre të shërbimit informativ po me serbë të Kosovës dhe marrjen në mbrojtje nga këto forca, së bashku me KFOR-in të trashëgimisë serbe të kulturës dhe manastireve.

Pasi të kenë siguruar një autonomi jashtë institucioneve të Kosovës për serbët poshtë Ibrit të Mitrovicës, atëherë Beogradi do të hedhë planin e ndarjes së Veriut. Mesa duket në Beograd e ndjejnë se nuk është interes serb një ndarje e veriut të Kosovës pa garantuar “ndarjen” de facto të enklavave serbe në jug të Mitrovicës.

Në të gjithë këtë lojë gjeopolitike që thellon grindjet dhe konfliktet në Kosovë e në rajon, qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës ndodhen para një sfide: Të dëshmojnë aftësi, përkushtim dhe transparencë në procesin e hetimit të ngjarjes së rëndë, të dëshmojnë vendosmëri për vazhdimin e dialogut pa asnjë kusht të ri në rrethana të volitshme për Beogradin, të mënjanojnë çdo konflikt etnik e të dimensioneve tjera në Kosovë, të kërkojnë me insistim njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe dhënien fund të statuskuosë në vend. Duhet rrit gjithashtu performance e qeverisjes dhe besimi te partnerët ndërkombëtarë.

Vetëm nëse rriten përpjekjet për të rikthyer besimin te qytetarët për zgjidhje të shpejta dhe në dobi të unitetit e integritetit territorial të Kosovës, vetëm nëse konstituohen institucionet e Kosovës edhe në veri të Mitrovocës, vetëm nëse i hapet rruga integrimeve përmes miratimit të demarkacionit me Malin e Zi dhe dhënies fund të aventurave për e kundër gjykatës speciale, vetëm me këto masa, Kosova mund ta ruajë dhe konsolidojë shtetësinë e saj.

Vrasja e Ivanoviç nuk ishte vetëm akt barbar e atentat kundër një politikani të moderuar serb. Ajo ishte gjithashtu atentat kundër stabilitetit në Kosovë. Dhe për destabilizimin e saj kanë interes faktorët antishqiptarë në rajon e më gjerë. Prandaj Prishtina dhe institucionet e saj do të duhet ta menaxhojnë me shumë kujdes, me urtësi dhe mençuri situatën e krijuar dhe situatat e tjera që mund të imponohen në të ardhmen e afërt

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here