Në opozitë… “është ekonomia, o budalla!”

0
250

Nga Feti ZENELI

Opozita i ka ftuar qytetarët shqiptarë që t’i bashkohen protestës së 27 janarit kundër një mazhorance, që siç thoshte Karlo Bini, shkrimtar dhe personalitet shoqëror italian i shekullit të 19-të, “është bërë uzurpatore, nga që nuk di të qeverisë”. Të gjithë jemi dëshmitarë të faktit, se pasi arriti të blejë me paratë e drogës zgjedhjet e 25 qershorit 2017, dhe të marrë kështu e vetme “timonin” e mandatit të dytë qeverisës, ajo prej disa javësh është hedhur në sulm për të vënë nën kontrollin e saj politik të gjitha institucionet e pavaruara, duke filluar me Shërbimin Informativ dhe Prokurorinë e Përgjithëshme, e për të mbërritur së fundi, deri tek Federata Shqiptare e Futbollit. Kësisoj të gjithë pushtet, duke përfshirë dhe atë të medias, janë në dorën e “Rilindjes”. Natyrisht, që gjithëçka është bërë me llogari, pavarësisht se pa hanxhin, për të rrudhur demokracinë dhe zëvëndësimin e saj me autokracinë; pra me pushtetin e një grushti të vogël njerëzish, të cilët shndërrohen në zotër të tregut, pasurive kombëtare, parasë publike, e kështu me radhë. Por problem qëndron se në këtë grusht njerëzish me pushtet, ligjin e bëjnë kriminelët dhe trafikantët, duke arritur deri aty sa të diktojnë vendimarrjen qeveritare për plotësimin e interesave të tyre personale, në dëm të interesave të përgjithshëme qytetare. Ashtu siç e kemi ndjerë apo vënë re të gjithë, pasojat e një pushteti të tillë janë katastrofike për shumicën dërrmuese të popullsisë së vendit, duke e zhytur atë në varfëri, pasiguri e dëshpërim të plotë. Faktet tregojnë, se pas 27 vitesh tranzicion, gati gjysma e popullsisë së vendit jeton ende me 2 deri në 5 dollarë në ditë, si askush tjetër në rajonin e Ballkanit. Tregues të tillë, ku 30 për qind e familjeve shqiptare nuk sigurojnë dot as bukën e fëmijëve, apo ku 39 për qind e tyre nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe ujit janë pjesë e statistikave për vendet më të varfëra të botës. Statistikat tregojnë se, për shkak të kësaj situate, konsumi privat po bie vit pas viti. Konkretisht, nga totali i parave që shqiptarët kanë fituar në 2017-ën, rreth 9 miliradë euro i kanë konsumuar, afro 5 miliardë euro i kanë shpenzuar për importe mallrash dhe shërbimesh, ndërkohë që kanë investuar vetëm 20 për qind të këtyre shumave. Kësisoj pesha specifike e konsumit në atë që quhet PBB është shumë e lartë; pra gati 80 për qind. Sot, komponenti më i rëndësishëm i PBB-së së Shqipërisë është konsumi. Siç dihet, kriza e 2007-ës, që lindi si krizë financiare, tashmë është transformuar në një krizë konsumi. Natyrisht, për të patur zhvillim ekonomik, duhet të ketë konsum. Por konsumi nuk vjen nëse në vendin tonë nuk investohet dhe zhvillohen ato aktivitete prodhuese që gjenerojnë punësim në shkallë të gjerë të njerëzve. Në një ekonomi; investimet vijnë kryesisht nga tre burime, kompanitë e huaja, shpenzimet kapitale të qeverisë dhe investimet e biznesit vendas. Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet e huaja deri tani janë mbajtur gjallë, kryesisht nga gazsjellësi TAP dhe HEC-et mbi kaskadën e Devollit, të kontratuara nga qeveria Berisha, ndërkohë që investimet publike të “Rilindjes” janë bërë “rrush e kumbulla” koncesionesh, ndërsa ato të biznesit privat janë stopuar për shkak se kredia bankare për ekonominë, si burimi kryesor i financimit të investimeve të reja vazhdon të mbetet në ngërç. Po kështu biznesi po ngarkesës së lartë të taksave, që shkon deri në 40 për qind. Ndërkohë, rënien e konsumit e shton edhe barra e rëndë fiskale për tatim-fitimin në masën 15 për qind, gati 50 për qind më e lartë se norma rajonale për këtë taksë, sikundër dhe niveli maksimal i përshkallëzimit të tatimit mbi pagën prej 23 për qind. Në përgjithësi, taksat janë rritur me rreth 350 milionë euro në dy vitet e fundit. Në këto kushte, rënia e konsumit dhe nivelit të jetesës qytetare është e qëndrueshme dhe me bazë të gjerë. Nga ana tjetër, një sondazh i Fondacionit Fridrih Ebert ka zbuluar kohët e fundit faktin, se rreth 60 për qind e të rinjve tanë duan të ikin nga Shqipëria. Natyrisht, dëshira për të ikur nuk është e re; pra nuk i përket vetëm periudhës së tranzicionit, por ç’ka të lë një shije të keqe në këtë drejtim lidhet me faktin se kjo dëshirë bëhet gjithnjë e më e ethëshme, pavarsisht kalimit të viteve në këtë periudhë të lirisë e demokracisë, kur realisht duhej të ndodhte e kundërta. Mjafton të kujtojmë se vetëm 4-5 vitet e fundit, përveç mijëra shqiptarëve që po dynden drejt azilit politik në vendet europiane, me mijëra të tjerë po zgjedhin mundësinë e aplikimit nëpërmjet Llotarisë Amerikane për të shprehur indirekt dëshirën e largimit nga Shqipëria. Nga ana tjetër, emigrantët e fillimviteve ’90, por dhe të tjerët pas tyre, po përpiqen masivisht të fitojnë shtetësinë e vendeve ku punojnë e jetojnë. Konkretisht në Italinë fqinje, për shembull, janë bërë shtetas italianë rreth 22 mijë emigrantë shqiptarë. Ndërsa në Greqi janë legalizuar më shmë se 100 mijë emigrantë. E njëjta gjë po ndodh edhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian si në Gjermani, Angli dhe kudo ku kanë emigruar shqiptarët.

Nga ana tjetër, të zë trishtimi kur njihesh me treguesin mesatar të lindshmërisë, që përbën “fabrikën” e shtimit të popullsisë së një vendi, i cili sipas statistikave më të fundit zyrtare është afro 1.5 për qind për çdo çift bashkëshortor në Shqipëri. Kjo shifër tregon se popullsia e vendit tonë po zvogëlohet ndjeshëm, pasi me treguesin e lindshmërisë prej 1.5 fëmijë, nuk arrihet të sigurohet dot as riprodhimi i çiftit, që minimalisht kërkon dy fëmijë. Përtej këtyre statistikave pesimiste, situata është akoma dhe më e rëndë, për shkak të emigrimit të moshës së re dhe mbetjes këtu të moshave më të vjetra, që zënë radhën deri në 5 të mëngjezit për të folur në “Koha për t’u zgjuar”. Përveç rrudhjes në numër të popullsisë, do të regjistrohet edhe një përkeqësim i ndjeshëm i vitalitetit të saj, ku rreth 546 mijë persona do të jenë mbi 60 vjeç, ç’ka do të reflektojë edhe një nivel të ulët të numrit të lindjeve. Kësisoj, numri i personave mbi moshën 60 vjeçë do të jetë më i madh se ai nën këtë moshë.

Fakte të tilla që tregojmë keqqeverisjen katastrofike të vendit në këto 4-5 vitet e fundit, janë të shumtë, megjithatë siç thoshte thoshte filozofi dhe sociologu amerikan i shekullit të kaluar, Erik Hofer, “nuk janë vuajtjet aktuale, por shpresa për gjëra më të mira, që i nxit njerëzit në revoltë”. Por së pari, të shohim, në se qeveria e “Rilindjes” i ka thirrur mendjes, për të bërë “gjëra të mira” në këtë mandat të dytë, pavarësisht se “dielli duket që në mëngjez” dhe një gjë të tillë nuk e pamë as programin elektoral të fushatën zgjedhore 2017. Fjala, këtu, është për të parë, në se do të ndryshoj ekonomia dhe mirëqënia e qytetarëve shqiptarë, e cila ka kapur fundin, për shkak se ekonomia nuk po prodhon e nuk po rritet. Por raporti më i fundit i Forumit Ekonomik Botëror, “Raporti për gatishmërinë e prodhimit në të ardhmen 2018”, e rendit vendin tonë të 91-shin në botë, ndër 100 ekonomi, ndërsa në Europë dhe rajonin e Ballkanit, sigurisht në vend të fundit. Raporti vlerëson pozicionimin e secilës prej këtyre 100 ekonomive, sipas shkallëve të zhvillimit të prodhimit si dhe aftësisë së tyre për t’u transformuar në bazë të ndryshimit të natyrës së prodhimit me adoptimin e teknologjive të reja moderne. Por duke u shtuar konkluzioneve të këtij raporti dhe ato që parashikon Banka Botërore, në prezantimin e raportit të rregullt ekonomik për Europën Juglindore, rezulton se ekonomia shqiptare do të përkeqsohet dhe më tej gjatë viteve në vazhdim, për shkak të mungesës së investimeve të huaja dhe klimës së përshtatshme të biznesit në përgjithësi.

Kësisoj, sipas BB-së, në 2018-ën; pra në vitin e parë të mandatit të dytë qeverisës së “Rilindjes”, rritja ekonomike do të zbresë në 3.6 për qind, dhe në 2019-ën në 3.5 për qind, nga rreth 3.8 për qind që mund të arrij në fund të 2017-ës. Ndërkohë falimentimi i sipërmarrjes private ka nisur me një ritëm më të lartë, se në vitet e mëparshme. Mjafton të kujtojmë se vetëm në 6 ditë, nga 3 deri në 8 janar 2018, janë mbyllur plotë 247 biznese; pra rreth 41 biznese në ditë, nga afro 36 të tillë në vitin 2017. Koncesionet e tipit PPP do ta rëndojnë edhe më keq situatën, për shkak se do anashkalohen investimet publike direkte për objekte të domosdoshme, të cilat i shërbejnë të rritjes së prodhimit dhe punësimit të njerëzve. Por duke i shtuar kësaj situate edhe faktin që Shqipërisë po i ikën me ritme të frikshme rinia, pjesa më e mirë e kapitalit njerëzor, e cilësuar si lokomotiva e zhvillimit të saj ekonomiko-social, duket qartë, se shpresa e ndryshimit nën këtë qeveri po vdes përfundimisht. Ikja e forcës vitale të punës po tkurr aktivitetin dhe efektivitetin prodhues të sektorit privat, duke ngadalësuar kështu ritmet e procesit të afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, proces i vlerësuar si katalizator i fuqishëm i emancipimit shoqëror, zbatimit të ligjit dhe kryerjes së refomave të mëdha.

Protesat e 27 janarit, e thirrur nga opozita është një shans i mirë për t’i thënë “ndal” kësaj rrokullisje ekonomiko-sociale të vendit, nëpërmjet reagimit qytetar. Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen dhe jo të indoktrinohen për këtë mundësi demokratike, që po u paraqitet atyre për rikthimin dhe materializimin e duhur të politikave ekonomike, me qëllim arritjen e objektivave ekonomiko-shoqërore të vendit për mbrojtjen e interesave të shoqërisë në tërësi, përballë një grushti politikanësh, që kanë uzurpuar “…qeverisjen e popullit me anë të popullit, në interes të bosëve”, siç shprehej O’Nestli, në një moment të caktuar për qeverinë amerikane. Ata, më shumë se sa të shohin e dëgjojnë ç’thuhet në media apo lart e poshtë në pazar, të shohin brenda vetes dhe brenda shtëpisë së tyre, nëse janë më mirë apo më keq se më parë. Vetëm kështu, nuk do t’i mbajnë iso militanzimit partiak, por do këndojnë të përlotur këngën e mjerimit vetijak. Fati i tyre qëndron në faktin, se në krah kanë një opozitë të lidhur e të ndjeshme për interesin qytetar, si asnjëherë më parë, në këto 28 vite pluralizëm, si dhe një lider vizionar në krye të saj, siç është kreu i PD-së z. Lulzim Basha. Ai më shumë bëhet zëdhënës real se sa nxitës artificial e protesave qytetare.

Mjafton të kujtojmë se për katër vite opozitë z. Basha thirri gjithësej 4 protesta; pra vetëm 1 protestë në vit, ndryshe nga kreu i “Rilindjes”, që kur ishte në opozitë, organizonte 1 protestë në 15 ditë. Janë tjetër gjë, pastaj makinacionet amorale për nxjerrjen e njerëzve në portestë, thjeshtë për t’i përdorur si “mish për top”, për pushtet, siç ndodhi në 21 janar 2011, duke shfrytëzuar faktin që “njerëzit zotërojnë një zgjedhje të pandërgjegjshme për t’u influencuar”, siç thoshte poeti dhe dramaturgu anglez, Tomas Eliot. Kreu demokrat operon praktikisht me pjesën e ndërgjegjësuar të elektoratit shqiptar, me qëllim që të bëhen zgjedhje të painfluencuara politikisht, duke synuar të vendos standarde ndërkombtare edhe në këtë aspekt si kërkesa normale për funksionimin e sistemit demokratik në shtet dhe shoqëri. Parë në këtë këndvështrim, në opozitë nuk është PD-ja apo LSI-ja, por “është ekonomia, o budalla!”, do të thoshim duke perifrazuar ligjiratën e Bill Clinton në fushatën presidenciale të ‘92-shit, e cila i dha tij fitoren përballë George Bush, që për momentin konsiderohej si i pamundshëm pas sukseseve diplomatike dhe fitores së arritur në Luftën e Gjirit. Amerikanët perceptuan dhe votuan Clinton si zgjedhjen më të mirë, sa kohë që Bush nuk kishte mundur të punonte për ekonominë, e cila kishte kaluar në recesion. Dhe siç treguan faktet e mëvonshme amerikanët kishin bërë zgjedhjen e duhur, pasi në vitet e Bill Clinton ekonomia e tyre pati zhvillime dhe arritje historike, me një rritje mbi 6-7 për qind në vit, më e larta në botë për kohën, pas ekonomisë kineze. Opozita e z. Basha i ka bërë të qarta objektivat e saj ekonomik qysh në fushatën për zgjedhjet e 25 qershorit 2017 për ringjalljen dhe forcimin e ekonomisë, që do vinte si rezultat i efektit sinergji të aplikimit të taksës së sheshtë në masën 9 për qind, uljes në 15 për qind të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe reduktimit në 1.5 për qind të xhiros në total, të taksimit qendror dhe lokal për biznesin e vogël. Po kështu, zerimi i dividentit do të çlironte gati 1 miliardë euro çdo vit, të cilat deri tani ishin përdorur në mënyrë abuzive, vjedhur apo zhvleftësuar nga informaliteti dhe falimentimi i bizneseve, që duke u injektuar në ekonominë shqiptare, do të çlironte energji pozitive në punësimin dhe pagesat qytetare. Këtu e kishte bazën edhe një objektiv tjetër mjaft ambicioz i Bashës për brezin e tretë, i cili lidhej me ngritjen e pensionit minimal mbi 25 000 lekë në muaj, etj., për të cilën qytetarët shqiptarë duhen të zgjohen nga gjumi i hashashit e të protestojnë për të drejtat e tyre, në 27 janar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here