Dy dele 300 pare, dy ditë mësim, hiç fare

0
286

Dr. Ndrçim Mehmeti

Kjo është nisma më e fundit e Institutit për Kujdes Atëror, pranë Shefit të Madh (nënkupto Madhërisë së tij) Me këtë zbulim, shpikje, a biçim gjetje e re, me demek do të kemi modernizim të shkollës, kurrikulës (që është pak fjalë e zorime për ne popullin e thjeshtë). Shefit kur i thanë se kanë një ide interesante aty nga ora 5 e mbrëmjes, dukej si i përgjumur. Por sa e dëgjoi brofi në këmbë, hodhi njëherë sytë nga kanarina gushverdhë dhe me pendë blu, që ka në cep të zyrës dhe tha:

“Gjeniale. Ide fantastike. Femër e ke atë të shkretë-vijoi. Me këtë ide unë shtyj edhe 3 vite në reformimin e arsimit siç e mendojnë vetë. Qëndroi ashtu i heshtur, sikur po mendonte diçka e u kthye nga ndihmësi i tij besnik:

“Po ele – ele, ku e gjetët kët zgjidhje ene mu nuk më shkonte menja fare”.

“Në fakt- imzot ja ktheu ndihmësi- në një farë mënyre ju ishit shtysa më e madhe. Prej kohësh, qënë qershor të vit të kaluar, më mbahet mend që më keni thënë të sajojmë ndonjë reformë për arsimin, sepse nga ato që premtuam asgjë nuk u bë. Edhe popullit i ofronim ndonjë gjë të re, po edhe opozitës i mbyllnim gojën.

Ditën që zbritëm nga zona jote për pak fushatë e ndonjë qokë të vogël, të kujtohet që na dhanë një darkë në buzë te detit. Aty ishin të ftuar të gjithë valltarët e krahinës. Kënduam e kërcyen tërë natën, por nuk e di pse ty të tërhoqi më shumë kënga e kombinuar me valle “Dy dele 300 pare”. Madje nëse mban mend kërkove ta loznin dy-tri herë. Edhe më pëlqen ajo këngë ç’është e vërteta dhe e këndoja me vete në zyrë, në rrugë e bile-bile edhe në shtëpi.

E kështu duke ndenjur e duke imagjinuar, mendova se një reformë që do t’i përshtatej, melodisë, qetësisë dhe bujës që ka kjo këngë do t’ju pëlqente edhe juve. Në kto ditë janari, që për fatin tonë të keq, nuk na bëri as ftohtë as shi e as ndonjë stuhi, (por që situatën politike nuk e kemi hiç në terezi), mendova se na duhej ndonjë impuls i ri në arsim siç thua zotrote. Mora në telefon e thirra për një bisedë, atë djalin tonë të Institutit për Kujdes Atëror, dhe i thashë me shumë butësi por qartë ama: Madhëria kërkon të bëjë diçka për Arsimin. Një gjë që të godas, t’i pëlqejë të gjithëve.

Një gjë që shkon me këngën “Dy dele 300 pare”, por që më së shumti duhet të shkaktoj edhe ankth, panik, kaos e moskuptim”. Fillimisht ai ngriti supet i habitur dhe u përgjigj: “Së fundmi jemi marrë me shumë gjëra dhe reforma, si p.sh. kafe me gjyshin, trahana për të vobektit, supë me perime për gjyshet me kolesterol e ndonjë budallallëk tjetër. Por kjo që kërkon më duket gjë e madhe. Gjithsesi do ta mendoj e do të bisedoj njëherë me ata të lagjes se vallahi kanë mendime ideale dhe do të kthej përgjigje sa më shpejtë. Ndihmësi ju afrua dhe i tha nën zë: “Miku im ke vetë 14 orë kohë. Nesër më duhet në tryezë reforma pa një pa dy. Shefit i soset shpejt durimi. Siç e shikon operacioni “Pastrim gjeneral me gurë e themel” në administratë sa ka filluar. Nuk dua të më bëhesh kurban kot”.

Drejtorit të shkretë gjysmë të hutuar po i digjej cigarja mes gishtave e gjë nuk kuptonte. Kur filtri filloi të kundërmoj erë të keqe filtri, ai e kuptoi se ishte i zënë në çark. U ngrit dhe vrullshëm iku me hap të shpejtë drejt pallateve me kokën ulur. Dhe sot në mëngjes, pa kaluar ende 9 orë, ai erdhi madhëri me projektin që do t’ju prezantoj me pak fjalë e që do të bëjë bujë ndër gjindjen që drejton:

Projekti më i ri në arsim quhet” Dy dele 300 pare, 2 ditë mësim hiç fare”.

Po jua shkoqit në pak fjalë, që ju i kuptoni edhe më mirë se unë. Meqenëse fëmijët janë të lodhur nga librat, detyrat e pafund (me të cilat vetë ne i ngarkuam, duke ndjekur modelin e mbretërisë së Burgundisë),  dhe kemi edhe ca mësues e parazitë siç i cilëson zotrote, vendosëm që me propozimin tonë dhe miratim të baballarëve, të zbatojmë pa humbur projektin në fjalë.

Nxënësit do të shkojnë në shkollë të hënë, do të bëjnë pushim të martën, mësim të mërkurën, pushim të enjten dhe mësim të premten. Të shtunë e të diel të pushojnë ose të harbojnë ku të duan, por ama ne do bërtasim me të madhe, se i lehtësuam nga barra e madhe e dijes së përditshme. Është një model i pa dëgjuar në asnjë vend. Për këtë edhe mund të marrim ndonjë çmim prestigjioz.

Do të kemi objekt studimi për shumë vende e studiues, por mama e ndiej që tani që kemi për të bërë bujë. Ndërkohë kam njoftuar mediat në parim të rrinë gati që ju të jepni lajmin i pari. I kam rregulluar e ujdisur që të gjitha. Sallën, njerëzit, kush do të flas, sa do të flas e në fund ju do të bëni mbylljen që natyrisht do të marri dyfishin e kohës që do të flasin të tjerët. Nuk e di imzot po mu kjo më duket një gjetje origjinale.  Është gjynah ta lemë këtë shans të na ikë nga dora. Duam apo s’duam ne nuk është se kemi bërë ndonjë gjë të madhe për arsimin, por me këtë iniciativë, do të mbledhësh mendjen për nja dy vjet.

Në fund të fusnit ne nuk është se humbim ndonjë gjë. Për orët që shtohen gjatë javës, do t’ia ngarkojmë në kurriz mësuesit, për orarin kujdeset drejtori, shkolla rri hapur dhe bëhet më komunitare, nxënësit janë më pak të lodhur se kanë dy ditë më shumë pushim. Edhe lajmet për arsimin do të jenë më të pakta. Kush rri kontrollon ç’thuhet e flitet pesë ditë me radhë për arsimin. Prandaj madhëri, me thoni si t’ia bëjmë.” Madhëria fërkoi pak minut çaçkën e kokës, duke shikuar mes thonjve se mos i kishte mbetur zbokth, i fryu dy tri herë dhe me një buzëqeshje të sforcuar, i tha ndihmësit të tij: “E mirë de, mirë e mora vesh. Fole me kaq pasion sikur zbulove Amerikën. Këtë ide e kisha edhe unë. Por meqë e mendon si të mirë dhe ai ditëziu që ka punuar vetë gjasme e është lodhur kaq shumë, do të dalë e të flas. Por meritën kësaj radhe lërja më shumë popullit. Në fund të fundit po dështoi faturën do ta marri prapë populli.

Ti dhe unë kërkuam ti bindemi vullnetit të shumicës, pra ne do të bëjëm sikur është e njëjta gjë, por po ndryshojmë rregullat për hir të popullit, jo për vete. Për të tjerat le të merren ata të arsimit se boll ndenjën kot kaq kohë. Mendoj që më shumë të flas si kryetar i shtetit sesa si prind. Si prind unë kam eksperiencë të madhe xhanëm, por sot dua të jem më shumë modest se mburravec.

Lajmëroi televizionet të vijnë, gazetat ta shkruajnë si axhans të parë: Madhëria ulet këmbëkryq me nxënës e prind dhe bëjën lançimin e projektit të madh: Dy dele 300 pare, 2 ditë mësim hiç fare. Kush nuk beson nuk më plas. Kush kundërshton ikën nga puna. Kush tenton të mos e zbatojë të shkoj në burg.  Ky dihet të jetë njoftimi dhe lajmi që duhen të shkruajnë. Dhe mos harro. Puna nuk mbaron këtu. Më gjej edhe një zgjidhje, po të shpejtë ama, sesi ky popull të mos sëmuret, se mbeti duke kërkuar ilaçe badihava.”

———-

 

Çfarë do të bëjë Europa me fëmijët e IS?

 

Organizata terroriste  “Shteti Islamik” gati është eliminuar në Siri dhe Irak. Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane, xhihadistët kanë humbur 98% të territorit të tyre të uzurpuar në të dyja vendet. Sipas vullnetit të ushtrisë siriane, irakiane dhe amerikane atyre do t’u merret edhe 2% territor i mbetur. Për të arritur këtë ushtria amerikane, sipas të dhënave të Pentagonit kreu një sërë fluturimesh nga 29 dhjetori deri në 5 janar –  avionë luftarakë, drone, raketa, artileri e rëndë.

Zëdhënësja e Pentagonit Dana W. White shprehet se IS-i vërtet është „mundur dhe shkatërruar”, por puna nuk ka marrë fund. Tani bëhet fjalë për sigurimin e territorit, që „IS të mos ringrihet më.” Por ky qëllim është i vështirë të realizohet. Vërtet IS mund të jetë shkatërruar në Irak e Siri, por ideologjia e tij vazhdon të jetojë. Sipas Pentagonit, IS është një organizatë e krijuar jo për një kohë të caktuar, por përmes një sistemi të pavarur shpërndarjeje ai siguron kontinuitetin e tij. “Megjithëse IS me kalifatin e tij është shkatërruar, shohim në të gjithë botën ngjarje që lidhen me IS.”

 

Luftë kundër imazhit të IS

Prandaj tani bëhet fjalë për të luftuar imazhin e IS. Sipas vlerësimit të Pentagonit, shanset për këtë nuk janë të këqija.  “Marka botërore IS” po humbet me rrënimin fizik edhe shkëlqimin e saj. Këtu bëjnë pjesë edhe historitë për jetën e tmerrshme nën sundimin e IS.”

Por përfundimisht IS nuk është mundur. Organizata xhihadiste po kthehet në formën e luftës guerilase, bën të ditur televizioni Al-Jazeera. Vullnetarët përpiqen sërish t’u bashkohen radhëve të tyre, por kanë probleme që të hyjnë nga Turqia, për shkak të kufirit me Sirinë të siguruar ndërkohë.

 

Rrënojat në kokë

Por veç vullnetarëve që vijnë nga jashtë për t’iu bashkuar IS-it, autoritetet e sigurisë në Siri e Irak shohin edhe një problem tjetër – trashëgimia ideologjike e psikologjike e IS në zonën ku ka sunduar ai.

Në shumicën e rajoneve, IS ka sunduar më pak se tre vjet, por për të rinjtë, tre vjet janë një kohë e gjatë, sidomos për fëmijët, që kanë përjetuar dhunën në moshë të vogël – si ekzekutimet publike të kryera me brutalitet të jashtëzakonshëm.

„Edhe nëse ata nuk janë të trajnuar qëllimisht, ata mbajnë me vete kujtimet e luftës nga zona të tilla”, thotëDaan Weggemans nga Instituti për Sigurinë dhe Çështjet Globale në Universietin Leiden për revistën online, Al-monitor.

 

Gjeneratë e humbur

 

Të rinjtë në vend që të mësonin shkrim e lexim janë marrë me armë. „Ka gjasë që po rritet një gjeneratë e humbur”, thotë Nadim Houry, drejtor i projektit studimor Terror dhe Luftimi i Terrorit nga Human Rights Watch. Por edhe shumë të rritur kanë probleme të marra me vete në kohë e sundimit të IS-it.

Problemi me “gjeneratën e humbur” pritet të arrijë shpejt në Europë. Qindra fëmijë që u morën me vete nga prindërit e tyre në Siri dhe Irak apo ata kanë lindur atje. Ende shtetet europiane nuk kanë vendosur si do të veprojnë me këta fëmijë. Belgjika do të lejojë që fëmijët nën 10 vjeç të udhëtojnë automatikisht.

Kusht është një provë ADN-je që vërteton se fëmijët janë vërtet nga ushtarët belgë të IS-it. Vitin e kaluar u morën me avion tre fëmijë të tillë me pasaportë franceze në Paris. Parimisht edhe në Holandë, fëmijët e luftëtarëve të IS-it mund të kthehen nga jashtë. Por qeveria holandeze nuk parashikon t’u japë atyre pasaportën holandeze.

 

Masa në Gjermani

Edhe Gjermania do të rimarrë fëmijët e luftëtarëve të IS-it. Por që tani Mbrojtja Kushtetuese gjermane paralajmëron nga rreziku që vjen sidomos nga fëmijët në adoleshencë.

“Ne shohim rrezikun që fëmijët e xhihadistëve janë socializuar si islamistë dhe kthehen të indoktrinuar nga rajonet e luftës në Gjermani”, deklaroi presidenti autoritetit të Mbrojtjes Kushtetuese, Hans-Georg Maaßen. “Me këtë mund të ndodhë që të rritet këtu një gjeneratë e re xhihadistësh.”

Problemi duhet të zgjidhet para se autoritetet e sigurisë të bëhen aktivë, thotë Torsten Voß, drejtues i zyrës së landit të Hamburgut për Mbrojtjen Kushtetuese. Ende nuk dihet, se si do të veprojë konkretisht Gjermania. Politikanë për çështjet e politikës së jashtme të të gjitha partive janë duke menduar intensivisht për këtë. Por masat konkrete priten vetëm pas krijimit të qeverisë/ DW

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here