Miliona dhe privilegje pa fund për njerëzit e Vetingut, ja shifrat

0
241

Anëtarët e organeve të Vetingut, të cilëve shqiptarët dhe Perëndimi u kanë besuar pastrimin e pallatit të drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, nëpërmjet një skanimi të trefishtë, rezultojnë zyrtarët më të paguar në Shqipëri, duke tejkaluar edhe Presidentin e Republikës.

Gjatë vjeshtës së vitit të kaluar ka patur polemika të zjarrta për trajtimin financiar të njerëzve të Vetingut, ndërsa paga reale e tyre ishte veshur me paqartësi dhe interpretime të ndryshme.

Paga reale bruto e kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit më të rëndësishëm të Vetingut, është 395,376, ndërsa paga neto është 305.400 lekë në muaj.

Paga bruto e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është 372,661 lekë në muaj, ndërsa paga neto është 288.296 lekë në muaj.  Vlera e pagës dhe shpërblimit është konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për Shqiptarja.com.

Ndërkaq, në fund të vitit 2017, anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë shpërblyer me nga 1 milionë lekë të vjetra secili. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave. “Paga e Kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është 305.400 lekë në muaj (neto). Ndërsa paga e komisionerëve të tjerë është 288.296 lekë në muaj (neto).

Në këtë shifër është përllogaritur paga bazë, plus shtesa për shkak të vështirësisë në punë. Pagesa e parë për anëtarët e Komisionit të Pavarur të kualifikimit në degën e thesarit Tiranë, ka kaluar në datë 25.10.2017, pagesë kjo që ka përfshirë pagat, nga data 17.06.2017 deri më 30.09.2017.

Sa u takon shpërblimeve, sqarojmë se anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u është akorduar një shpërblim për vitin 2017 në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 821, datë 30.12.2017, për një shtesë në vendimin nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshuar.

Ndërsa për dietat, ju vëmë në dijeni se, Komisionerët nuk kanë përfituar dieta deri më datë 11.01.2018”, thotë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Privilegjet e tjera

Anëtarët e Vetingut dhe fëmijët gëzojnë edhe mbrojtje të veçantë.  Ligji parashikon se, anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, personat e lidhur me ta, personeli i institucioneve të rivlerësimit, si dhe personeli mbështetës i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit gëzojnë të drejtën për mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e veçantë.

Ndërkaq, institucionet e rivlerësimit do të propozojnë çdo vit projektbuxhetin e tyre në komisionin që mbulon çështjet ligjore pranë Kuvendit. Institucionet zbatojnë në mënyrë të pavarur buxhetin e tyre, të miratuar nga Kuvendi. Ato kanë të drejtë gjithashtu që të përdorin të ardhurat dytësore, të përfituara nga projektet ndërkombëtare, donacionet dhe botimet e tyre. Kontrolli financiar i institucioneve të rivlerësimit kryhet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Kryetarja

Paga reale e bruto e kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit më të rëndësishëm të Vetingut, është 395,376. Ndërsa paga neto është 305.400 lekë në muaj.

Anëtarët

Paga bruto e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është 372,661 lekë në muaj, ndërsa paga neto është 288.296 lekë në muaj. Në fund të vitit 2017, anëtarët e të Pavarur të Kualifikimit janë shpërblyer me nga 1 milionë lekë të vjetra secili.

Ja 16 veprimet që penalizojnë dhe shkarkojnë anëtarët e Vetingut

1. Mosparaqitjes së kërkesës për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes, kur ka dyshime të arsyeshme për ekzistencën e rasteve të papajtueshmërisë për ushtrimin e funksionit.

2. Sjelljes, akteve dhe veprimeve të tjera të anëtarit, që krijojnë përfitime të padrejta ose dëme për palët pjesëmarrëse në gjykim.

3. Mosnjoftimit të Kryetarit ose të organeve kompetente, sipas ligjit, për ndërhyrjet ose ushtrimin e formave të tjera të ndikimit të papërshtatshëm nga avokatët, funksionarët politikë, funksionarët publikë dhe subjekte të tjera.

4. Ndërhyrjeve ose çdo lloj ndikimi tjetër të papërshtatshëm në ushtrimin e detyrës të një anëtari tjetër.

5. Mospërmbushjes së pajustifikuar e në mënyrë të qëllimshme ose të përsëritur, përkatësisht të funksionit të tij.

6. Paraqitjes së kërkesës për heqje dorë dhe kryerjes së atyre veprimeve që nuk bazohen në shkaqet e parashikuara në ligj ose që bëhen në mënyrë të qëllimshme për të krijuar përfitime të padrejta për palët dhe të tretët, ose kur synojnë të shmangin anëtarin nga detyrimi ligjor për shqyrtimin e çështjes, ose synojnë të krijojnë mundësinë e shqyrtimit të saj nga gjyqtarë të tjerë, ose kur dorëheqja jepet e vonuar megjithëse ka qenë në dijeni të faktit për të cilin jep dorëheqjen.

7. Shkeljes së përsëritur ose të rëndë të rregullave të solemnitetit dhe rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me pjesëmarrësit në proces, si edhe me anëtarët ose personelin e institucioneve të rivlerësimit.

8. Vonesës dhe zvarritjes së përsëritur dhe të pajustifikuar të veprimeve procedurale gjatë ushtrimit të funksionit.

9. Bërjes publike të mendimeve që ka dhënë vetë ose anëtarët e tjerë gjatë procesit që akoma nuk kanë marrë formën e një akti të bërë publik. 10. Shkeljes së detyrimit të konfidencialitetit dhe të mospërhapjes së informacionit, që rezultojnë nga hetimi ose gjykimi.

11. Bërjes së deklaratave publike dhe në media për çështjet, me përjashtim të komunikimeve të shtypit brenda kufijve të detyrës së tij.

12. Parashtrimit të shtrembëruar të fakteve në aktet e nxjerra.

13. Përdorimit të mandatit të anëtarit për të realizuar përftime të pajustifikuara vetjake ose për të tjerët.

14. Shoqërimit me persona që janë nën ndjekje penale ose janë subjekte të një procedimi penal ose me persona të dënuar penalisht, përveç rasteve të rehabilitimit të personave të dënuar, ose personave të cilët janë të afërm me gjyqtarët në lidhje gjaku ose me ligj, si dhe marrëdhëniet e biznesit të papërshtatshme me këta persona.

15. Përfitimit të padrejtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale të çfarëdolloji, të cilat, qoftë edhe me anë të veprimeve të ligjshme, i jepen për shkak të funksionit që ushtron ose si rrjedhojë e përdorimit prej tij të pozicionit.

16. Sjelljes së papërshtatshme në përmbushjen e detyrimeve, në marrëdhëniet dhe në komunikimin me institucionet shtetërore dhe funksionarët e tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here