Lubonja: Reforma në drejtësi ‘Rama-Lu’ mashtrim i madh, Arta Marku kamikaze

0

Analisti Fatos Lubonja ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend ku e ka vënë theksin tek reforma në drejtësi. Lubonja është treguar tejet i ashpër me çështjen e zgjedhjes së Kryeprokurores Marku, e cila sipas tij është prova e parë se politika shqiptare nuk e do reformën e drejtësisë dhe as një prokuror të pavarur dhe ndihmën për këtë po e jep me sukses eedhe ambasadori amerikan në Tiranë.

“Në fakt, reforma po çan përpara drejt suksesit me vela të fryra. Dhe në erën që e fryn, është edhe kontributi i pamohueshëm i bulçive të ambasadorit amerikan. Kjo që po bën Kryeprokurorja e përkohshme, kujtoni ju se nuk është reformë? Kjo është vetë reforma. Do të thoni ju: po vetingu? Prisni se edhe atij do t’ia ndieni krismën, por Arta është pararoja e vetingut sepse, siç do të thoshte Orëelli në këtë rast, të gjithë janë të barabartë përpara vetingut, përveç atyre që janë vetë vetingu.Të mendosh se politikanët shqiptarë duan prokurorë të pavarur, është njëlloj sikur të imagjinosh hajdutët duke u përpjekur që të vihen roje të ndershme, në vendet ku ata do të shkojnë të vjedhin.”

Sipas Lubonjës kjo është një reformë të cilën nuk  e do askush por të gjithë e brohorasin dhe për më tepër nuk kupton pse ambasadorët ngatërrohen me këto mashtrime. Ai shkruan se jeta në Shqipëri për njerëzit e ndershëm është bërë e pamundur dhe Shqipëria është kthyer në një vend të pashpresë që dëshpëron edhe vendet e tjera ku eksporton mjerim.

“Jetojmë në një vend ku jeta për njerëzit e ndershëm është bërë e pamundur. Në këtë lloj vendi, o duhet të ulesh e të punosh me përulësi, sinqeritet e përkushtim për njerëzit e ndershëm, o duhet të gjesh mashtrimin e radhës me njerëzit e pandershëm. E meqenëse për të parën kjo racë shqiptarësh nuk ka bythë, “Reforma në Drejtësi” është mashtrimi i radhës për të gjetur një fajtor dhe për të ndërtuar një shpresë të rreme për budallenjtë e radhës.”

Lubonja më tej shkruan se mashtrimi i reformës në drejtësi u shërben shgumë aktorëve dhe qëllimeve por më së shumti kryemashtruesit Rama, i cili kërkon të kapë edhe drejtësinë dhe të mashtrojë të huajt.

“Mashtrimi me reformën në drejtësi i shërben një shumësie aktorësh dhe qëllimesh. Më së pari i shërben kryemashtruesit të këtij vendi, Edi Ramës, për të kapur edhe pushtetin e drejtësisë. Por reforma i shërben edhe si një mashtrim për të huajt që do thonë: ja reformatori i guximshëm, që më në fund po lufton korrupsionin në Shqipëri.”

Por ky togfjalësh u shërben edhe mashtruesvetë Brukselit, të cilët duhet të justifikojnë rrogat e majme që marrin dhe privilegjet që kanë.

“Ndërkaq, togfjalëshi magjik u shërben goxha edhe mashtruesve të Brukselit. Në funksion të projektit të Bashkimit Europian, janë derdhur shumë para. Dhe ndër nënprojektet e rëndësishme të këtij projekti, që po jep shpirt nga paaftësia dhe korrupsioni i këtyre burokratëve, është edhe ai i integrimit në Europë i Ballkanit Perëndimor. Po Lu-ja, ç’pjesë ka në këtë mashtrim, do të pyesë ndokush. Lu-ja përfaqëson SHBA, që është partneri i madh i Perëndimit, plus që duket se është i lidhur me lobet që kanë mbështetur Ramën në SHBA – në mos pastë edhe ndonjë “inat personal” me drejtësinë aktuale për shkak të “Bankers Petrolium” – siç thonë gojët e liga.”

Në fund Lubonja shkruan se për ta përmbyllur suksesshëm mashtrimin me drejtësinë duhet ‘peshku i madh’, që rrjeta ‘ramalu’ vrimat e së cilës po mbyllen nga Kryeprokurorja Marku të kapë ndonjë peshk, që duhet fotografuar.

“E kështu, tani kemi arritur në një pikë ku mungon vetëm një gjë e vogël për ta përmbyllur në mënyrë të suksesshme këtë mashtrim. Kjo gjë e vogël e ka mbiemrin të madh sepse quhet: “peshku i madh”. Duhet, pra, që rrjeta e reformës “ramalu”, vrimat e së cilës po i mbyll me shpejtësi kamikazja Arta Marku, të hidhet në det sa më parë dhe të ngrihet që andej me një apo dy peshq të mëdhenj, që t’i fotografojnë të gjithë të kapur në rrjetë. Atëherë, e gjithë bota perëndimore do të ndalë frymën e do të thotë: bravo Shqipëria, bravo Edi Rama, faleminderit Bruksel, faleminderit ambasadori LU!

Do të thoni ju, po dosja Rama – Tahiri e kthimit të vendit në narkoshtet, po drejtorët e Policisë trafikantë droge të arratisur, po koncesionet kriminale të Ramës, po kullat si pastrim i parave të drogës, po votat e blera me para të pista, po shqiptarët që ikin me vrap nga vendi. Harrojini sa më shpejt këto, historinë e bëjnë fitimtarët. Tani s’na ka mbetur, veçse të themi: e gëzofshim reformën “ramalu”!

Lini nje pergjigje