Për burrat e ditur dhe burrat e shtetit…

0
276

Nga Gëzim TUSHI

Në se do të bënim një vëzhgim të mënyrës si është ristratifikuar shtresa e elitës së intelektualëve dhe si shfaqet strukturalisht kjo shtresë në jetën e sotme politike e sociale në Shqipëri, me siguri që do dallojmë se pavarësisht termit “totalizues të intelektualit, prapa këtij përcaktimi en block janë krijuar “nënështresa” të intelektualëve të pozicionuar në mënyra të ndryshme me dijen, profesionin, shoqërinë apo jetën politike publike.

Në këtë kontekst janë të qarta konturet e “intelektualit klasik” e atij që është tërësisht i dhënë pas profesionit apo që është i mbyllur në aulat dhe auditoret e universiteteve, të pasuar nga “intelektualët e ndërmjetëm” apo sikurse i njohim ne “intelektualët mediatikë” që kanë mission mbulimin e medias dhe bërjen e opinionit mediatik si analistë e opinionistë. Dhe më në fund jo për nga rradha janë intelektualët që shërbejnë në rolin e këshilltarëve të botës politike apo si ndihmës të politikanëve profesionistë. Kjo shtresë është në të vërtetë elita që nuk shfaqet shpesh dhe shumë pasi ka misionin dhe rolin e “elitës së fshehtë” apo që qëndron si “eminencë gris” pas politikës dhe politikanëve aktivë.

Por besoj se është e mundur që përveç kësaj “prerjeje” dhe klasifikimi të shtresës intelektualëve në përputhje me profesionin personal dhe pozicionin social dhe rolet që luajnë në politikë apo shoqëri dhe ndarjes në intelektualë klasikë, intelektualë profesionistë dhe intelektualë të fshehur pas politikës (kohë më parë të tillët konsideroheshin si “këshilltarët e mbretit”), ka mundësi të bëjmë një “prerje” tjetër, që është akoma më e kuptueshme për qytetarët. Praktikisht mund të themi se në shoqërinë shqiptare ka dy grupime të intelektualëve, që janë “burrat e ditur” dhe përballë tyre me një fuqi të pallogaritshme apo të pakontrolluar janë “burrat e shtetit”.

Problemi është se në këtë raport midis dijes dhe shtetit, për fat të keq në shumë raste në mënyrë të pamerituar është krijuar një situatë sociale në të cilën është kristalizuar si forcë omnipotente (e gjithë pushtetshme) një shtresë që gati shfaqet si “oligarki e politikanëve”, dhe përballë forcës së tyre ka një zbehje të autoritetit dhe pushtetit të dijes së vërtetë.

Për këtë arsye është bërë fare i dukshëm fenomeni i heshtjes, tërheqjes dhe indiferencës së intelektualëve ose më sakt zbehja e zërit social dhe spostimi i pushtetit publik të dijes së tyre. Konformizmi i detyruar apo utilitarizmi dhe pragmatizmi i intelektualëve përballë logorisë empirike të politikanëve dhe politikës së ditës, ka bërë që të shfaqet bujshëm heshtja e dijetarëve, specialistëve. Me përjashtim të një pjesë të “intelektualëve të ndërmjetëm” apo të njerëzve që luajnë role e kanë funksione mediatike. Kjo situate ka sjellë këtë situatë në rënie të autoritetit të intelektualëve përballë politikanëve.

Pa patur asnjë inat narcizist me klasën tonë politike, është evidente diferenca midis shtresës së njerëzve të  kulturuar përballë një llafollogjie specifike dhe një kulture empirike dhe jo aq lucide të klasës së politikanëve profesionistë. Që të kuptohemi drejt apo më saktë të moskeqkuptohemi duhet të bëjmë një marrëveshje fjale. Nuk është fjala për ndonjë idolatrizim të pamerituar të elitës intelektuale, as për ndonjë lloj përfytyrimi iluminist të rolit social dhe politik të tyre në shoqërinë tonë. Por është e sigurt që sot shoqëria ka nevojë për “burra shteti” dhe politikanë të vërtetë, po aq s aka nevojë, madje ndoshta më shumë për të krijuar hapësirat e duhura jo vetëm për dijen e vërtetë, ligjërimin intelektual por dhe veprimin aktiv të njerëzve të ditur. Që vendi dhe shoqëria jonë i kanë dhe nuk ju mungojnë.

Pushteti dhe statusi i ndryshuar i intelektualit…

Ndryshimi i “statusit të intelektualit”, nuk është dukuri sociale që shfaqet vetëm tek ne, por fenomen global që shoqërohet me ridimensionimin e rolit publik të intelektualëve, përkeqësimin e raportit të tyre me politikën dhe politikanët. Për shkaqe të vetë natyrës dhe thelbit ontologjik të demokracisë si sistem politik, edhe në shoqërinë tonë duket fare qartë situata e ndryshuar e këtij raporti. Tërësisht të ndryshuar.

Jo vetëm në raport me politikën por edhe me shoqërinë në tërësi, koha që jetojmë ka ndryshuar për pasojë zhvillimet sociale në shoqërinë shqiptare, zgjerimi i kufijve të kulturës demokratike të qytetarëve tanë, intensifikimi i mjeteve të informimit dhe kulturimit masiv, doemos që e kanë tronditur në një farë mase autoritetin kulturor dhe staturën publike të intelektualëve të mirëfilltë (klasik). Kjo është arsyeja që sociologët e postmodernitetit, duke analizuar me kujdes dukuritë e jetës së sotme, konkludojnë se në krahasim me të kaluarën pozita e intelektualëve ka rënë nga “piedestali i profetit kolektiv”, dhe në të njëjtën kohë ata nuk e kanë më atë “pozitë orientuese” në jetën politike, në shoqëri madje dhe në formimin e opinionit publik.

Është krejt normale që në shoqërinë tonë demokratizimi të shoqërohej me procesin e ridimensionimit dhe riorientimit social të elitave, shoqëruar së pari me procesin e natyrshëm dhe masiv të rënies të elitave të “vjetra” dhe shfajen bujshëm të elitave të reja. Si pasojë e këtij procesi shumë të rëndësishëm dhe një lloj revolucioni demokratizues të elitës shqiptare, ishte e natyrshme që brenda këtij konteksti në shoqërinë tonë në vend të intelektualit elitar e klasik kanë filluar të preferohen “elitat e reja”.

Kjo është arsyeja që në jetën e shoqërisë dhe politikës shqiptare në evidencë ka dalë një tipologji tjetër e intelektualëve. Ata janë njerëz që í duhen politikës, e cila më shumë se për intelektualë elitarë dhe akademikë, ka nevojë jo vetëm për intelektualë të ndërmjetëm mediatikë por edhe për intelektualë me profesione të tjera, sikurse janë konsulentët e fushave të ndryshme, statisticienë që bëjnë sondazhe elektorale, opinionistët dhe analistët që kanë ndikime të gjëra në formimin apo deformimin e opinionit publik.

Me një fjalë janë grupe intelektualësh e profesionistësh, që duke qënë pranë apo të lidhur me politikën, në mënyrë fare evidente, në shoqërinë tonë ata janë bërë një shtresë më vete, mjaft e fortë dhe me influencë në jetën sociale dhe zhvillimet politike.

Rritja e peshës së kësaj shtrese është e lidhur me faktin, se politika është në mënyrë të pandërprerë një garë elektorale që duhet kontrolluar, dhe një pushtet që forcën e vet e ruan edhe përmes trafikut të influencës, që është instrument të cilin e përdor në mënyrë të përkryer kjo shtresë e intelektualëve të rinj mediatikë qoftë militant apo dhe ekspertë të fushave të caktuara. Aq e vërtetë është kjo, sa që në perceptimin e opinionit publik kategoria e njerëzve që kanë këtë status në jetën shqiptare, jo vetëm janë me peshë individuale por në shumë raste përpiqen në mënyrë abuzive me rolin që luajnë që të kenë të drejta të pakufizuara, mundësisht të pakontrolluara nga askush.

Elita mediatike dhe ajo e “fshehur pas politikës”…

Tashmë në shoqërinë shqiptare është krejt evident shfaqja e fenomenit të ndarjes së elitave. Në këtë kontekst janë ata që qëndrojnë të “mbyllur” në fushat e tyre të ngushta, me rezatim të kufizuar publik dhe elitat publike e mediatike, të cilat ndryshe nga qarku i mbyllur i intelektualëve të tipit klasik, që pak merren me efektet sociale të politikave publike, janë elita të një formati të ri që kanë dalë hapur në një shoqëri dhe padyshim që janë bërë (pavarësisht disa difekte të këtij aliazhi) janë tejet konkuruese mediatikisht dhe intelektualisht.

Kjo elitë ndryshe nga ajo klasike (intelektuale, akademike e profesionale) ka ditur të shfrytëzojë hapësirën publike që ka jeta e sotme për të organizuar debatin qytetar mbi çështje me rëndësi publike. Por kjo elitë mediatike është e bashkëshoqëruar me një lloj “elite të fshehtë” e përbërë nga një arradhë e intelektualëve militantë (në fakt ka një debat në se militantizmi e dëmton cilësinë e përfaqësimit të vërtetë intelektual të njeriut), të cilët edhe pse e kanë të kufizuar vlerën e tyre personale në ballafaqimet publike, konsiderohen si “intelektualë obori”, mbahen si konsulentë e konsiderohen si “kuti të mendjes” brenda kështjellave të partive politike duke përbërë në shumë raste një forcë si “eminencë gri”.

Kjo elitë e fshehtë e politikës edhe pse shfaqet rrallë publikisht, është krejtësisht e vlerësuar në rolin e eminencës gri, dhe konsiderohet si gjenerator për furnizimin me ide e zgjidhje të liderëve të partive politike. Të cilët në të njëjtën kohë aq sa kanë vlerë konsultuese e orientuese për politikanët kanë edhe përgjegjësinë e tyre personale, për nivelin dhe cilësinë e realizimit të strategjive të politikës shqiptare.

Problemi është se kjo pjesë e “elitës politike” edhe pse të padukshëm  janë bërë të paprekshëm dhe megalomania e tyre nuk i lejon as të konkurojnë me dijet e tyre, as të ballafaqohen me zgjidhje me intelektualët e vërtetë, që janë në një farë mënyrë për fat të keq në pozitën e “elitës në rënie”. Problemi është se duke qënë fort ndikuese mbi politikën dhe përgjithësisht e padukshme ose e fshehtë për publikun, ndryshe nga statusi publik i intelektualëve të vërtetë, nuk është e qartë se sa është lidhja e kësaj “elite të fshehtë” me interesat e vërteta të publikut. Se lidhja me interesat personale e tyre është e qartë, madje ndonjëherë deri në banalitete meskine. Kjo situatë ka kohë që është fare e qartë për çdo qytetar të vendit tonë.

Elitë apo aristokraci?…

Doemos që ndryshimet politike, ekonomike e sociale në këto 27 vjet në mënyrë të natyrshme do të sillnin procesin e natyrshëm të “këmbimit të vendeve”, ndryshimin e pozicioneve politike, ekonomike e sociale të elitave në shoqëri. Jo thjesht si përmbysje e elitave të së kaluarës. Tani elitat e alambikuara me politikën në shoqërinë tonë, është vështirë ti kërkosh të jenë në trajtë të kulluar, pa angazhime të tjera të interfruara që ndikojnë në pozicionimet e tyre publike. Një pjesë prej tyre elitizmin e kanë ndërtuar duke qënë njëherësh edhe analistë, opinionistë edhe eminenca gri të politikanëve të caktuar apo dhe përfaqësues ose pjesë e inkorporuar në biznese të caktuara.

Natyrisht është e drejta e tyre si duan ta ndërtojnë karrierën ashtu siç është e drejta e opinionit publik që të gjykojë për elitat e veta, jo vetëm të politikës por të gjithë jetës publike. Kudo në botë shtresa e elitës inetelektualo-mediatike dhe profesionistët e interferuar dhe të lidhur me median dhe politikën, ka filluar të shfaqet qartë me statusin politik, financiar e publik të një lloj “aristokracie moderne”, e cila gëzon një status më të sigurt se sa intelektualët e dukshëm apo të padukshëm të fushave të tjera.

Kjo sepse në imazhin publik veprimtaria e tyre ngjan dhe mbase është më e lidhur me problemet e ditës, të jetës politike e zhvillimeve sociale. Ideja se ata veprimtarinë e tyre e kanë të lidhur me interesat e gjëra të publikut, përfaqësues të së cilës e quajnë veten i bën ata më vizibël, më atraktivë dhe të pranishëm në debatet publike, shumë herë më tepër se sa intelektualët e vërtetë të mbyllur në aulat e universiteteve apo në sferat e prodhimit, kulturës, fesë, shoqërisë civile, etj. Nuk janë të pakta rastet që pastaj një pjesë prej tyre “mercenarizohen” nga politika, politikanët dhe gradualisht vendin e ilntelektualit mediatik apo të “fshehur” pas politikës e zë njeriu që është i alambikuar me interesa materiale biznesi apo pse jo edhe korrupsioni…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here