Në pikiatë besimi i biznesit dhe i konsumatorit, 2018-a sjell re të zeza

0
134

Re të zeza qarkullojnë që ditët e para të vitit për ekonominë shqiptare. Dhe kjo është konstatuar edhe nga biznesi privat, ashtu edhe nga qytetarët. Të anketuar nga Banka e Shqipërisë, bizneset dhe konsumatorët kanë treguar njësoj një mungesë besimi në ekonomi në tremujorin e fundit të 2017. Treguesi i publikuar dje nga Banka Qendrore flet për një rënie prej 3.9 pikësh përqindjeje dhe përfshin gati të gjithë sektorët e ekonomisë. Rënia më e madhe është në sektorin e ndërtimit, ku ka një ulje të besimit me 12.4 pikë përqindje, në fund të 2017. Treguesi i besimit në ndërtim që prej te tremujorëve njeh vetëm rritje shënoi një pikë kthese negative. “Kjo rënie e zhvendosi TBN-në rreth 5.3 pikë përqindje nën mesataren historike të tij. Të dy komponentët formues të treguesit shënuan rënie, përkatësisht me 14.8 pikë përqindje aktiviteti ndërtues dhe me 10.0 pikë përqindje kontratat porositëse. Midis balancave të tjera, edhe balanca e pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm rezultoi e përkeqësuar. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijoi të bjerë, duke qëndruar në 59.0%. Kjo normë është rreth 3.3 pikë përqindje më poshtë nivelit të shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe 5.1 pikë përqindje nën mesataren historike të saj” thuhet në vrojtimin e BSH.

Po ashtu i besimit në sektorin e industrisë ra me 2.5 pikë përqindje për periudhën tetor dhjetor të vitit që shkoi. Kjo u ndikua nga ulja e numrit të kontratave porositëse dhe e prodhimit. Ndikim në pesimizmin e ekonomisë ka dhënë edhe rënia e kontratave porositëse për eksporte dhe pritje po në rënie për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm. Ky trend vazhdon edhe me tregtinë. Treguesi i besimit për këtë sektor ra me gati 10 përqindjeje gjatë tremujorit të katërt, te vitit qe shkoi. Niveli më i ulët I treguesit u ndikua kryesisht nga rënia e balancës së ecurisë së biznesit (-14.8 pikë përqindje), dhe në një masë më të vogël nga rënia e balancës së pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm (-4.9 pikë përqindje). Balanca e gjendjes financiare vlerësohet gjithashtu me rënie. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijoi të bjerë për të tretin tremujor radhazi, duke qëndruar në 67.1%.

Edhe treguesi i besimit tek konsumatorët pësoi rënie me 0,7 pikë përqindje, duke ndërprerë rritjen e dy tremujorëve të mëparshëm. Treguesi vazhdon të qëndrojë rreth 3.7 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Dinamika e TBK-së u përcaktua nga rënia e tre prej balancave përbërëse të tij: situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend (-3.2 pikë përqindje), situata financiare e pritur e familjes (-2.7 pikë përqindje) dhe situata e të ardhurave dhe shpenzimeve (-2.2 pikë përqindje). Ndërkohë, balanca tjetër formuese e TBK-së – blerjet e mëdha – shënoi rritje me 5.2 pikë përqindje, duke e ndikuar treguesin në kahun rritës.

Situata po përkeqësohet

Gazeta italiane Il Sole 24 Ore ka publikuar këto ditë hartën e të ardhurave për frymë dhe konsumit, duke iu referuar të dhënave të Eurostat. Renditja e konsumit kryesohet nga Norvegjia (133% e mesatares europiane), e ndjekur nga Luksemburg (132) dhe Zvicra (128),  siç shihet nga ngyra më e thellë e gjelbër në hartë. Diametralisht të kundërta, të treguara me ngjyrë të ndritshme të kuqe, ju mund të gjeni të gjitha vendet e gadishullit Ballkanik me nivelin më të ulët që e ka Shqipëria (37% e mesatares europiane), pak e distancuar nga Maqedonia dhe Bosnja (nivel mbi 41%). Për vitin 2016, të ardhurat për frymë të shqiptareve ishin sa 29% e mesatares së BE, nga 30% që ishin në 2014-n. Shtetet e tjera të rajonit kanë ecur të gjitha përpara. Bosnja, që dikur ishte më poshtë se ne, tashmë ka mbërritur në 32% të mesatares së BE. Edhe Serbia, pas rënies relative në 2015, ka rikuperuar treguesin në 37% të mesatares së BE. Nivelin më të lartë të PBB-së për frymë në rajon e ka Mali i zi, sa 45 për qind e mesatares së BE-së.

Pas Mali të Zi, renditet Serbia dhe Maqedonia, ku të ardhurat për frymë janë sa 37 për qind e mesatares europiane. E parafundit renditet Bosnja, me tre pikë për qind më shumë se Shqipëria, ku të ardhurat për frymë në 2016-n shënuan sa 32 për qind e mesatares së BE-së. Të gjithë vendet e rajonit e kanë përmirësuar treguesin e të ardhurave për frymë. Mali i Zi është vendi që ka pasur përmirësimin më të lartë në rajon, nga 41 për qind në 201-n, të ardhurat për frymë i janë afruar mesatares së BE-së me katër pikë përqindje krahasuar me dy vjet më parë. Përpos të ardhurave për frymë, ka rënë edhe treguesi i Konsumit Aktual Individual.

Konsumin Aktual Individual është tregues i mirëqenies materiale të familjeve në Europë. Ky tregues në Shqipëri është më i ulët jo vetëm ndër vendet e BE-së, por edhe në rajon.  Në 2015-n ishte sa 38 për qind e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa në 2016-n sa 37 për qind, duke pësuar rënie me një pikë përqindje. Nivelin më të larte të këtij treguesi në rajon e ka Mali i Zi, ku Konsumi Aktual Individual është sa 56 për qind e mesatares se BE-se (dyfish më shume se Shqipëria). më pas renditet Serbia, ku treguesi ACI është sa 47 për qind e mesatares europiane. Maqedonia dhe Bosnja kane të njëjtin nivel të treguesit të Konsumit aktual Individual më 41 për qind.

Vendet e rajonit e kanë përmirësuar treguesin e Konsumit Aktual Individual, dhe ritmin më të lartë të përmirësimit edhe për këtë tregues e ka Mali i Zi, me një rritje prej 3% krahasuar me një vit më parë. Treguesi për Serbinë dhe Bosnjen ka qenë konstant nga 2014-2016-n. Ndërsa Maqedonia ka pasur një rritje të lehtë prej vetëm një për qind.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here