Bilanci ekonomik? Fshirje e burokracisë, pak investime të huaja

0
152

Nga premtimet e qeverisë për 100 ditët e para, që u shpallën nga kryeministri dhe ministrat gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste më 7 tetor, më shumë se gjysma e premtimeve kanë të bëjnë me ekonominë ose shërbimet në funksion të qytetarëve, përfshirë funksionimin e administratës.

Çlirimi nga barra e burokracisë dhe procedurave

Qeveria ka hequr mbi 40 dokumente që kërkoheshin nga institucionet shtetërore. Ulja e barrës burokratike është pra një premtim i mbajtur brenda 100 ditëve, por u bë i mundur falë portalit “e-Albania”, një projekt që ka nisur vite më parë.

Faza e re e betejës kundër informalitetit

Aksioni kundër informalitetit ka hyrë në muajin e katërt. Deri tani, Tatimet kanë zhvilluar mbi 20 mijë kontrolle mbi biznesin. Si rezultat janë mbledhur rreth 23 milionë euro taksa të prapambetura dhe 1.720 subjekte kanë kaluar nga biznes i vogël, në biznes të madh.

Përfshirja e të gjithë biznesit të vogël në TVSH

Premtimi është mbajtur, por masa e ndërmarrë është kritikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Madje, qeveria fillimisht nisi me një projekt agresiv për të futur të gjithë biznesin e vogël në TVSH, por më pas u tërhoq. Bizneset me xhiron nën 2 milionë lekë në vit u përjashtuan nga TVSH-ja, ashtu si fermerët dhe artizanët. Por, edhe pse u miratua një ligj më i lehtësuar nga varianti fillestar, sërish kjo politikë është kundërshtuar nga FMN-ja si e gabuar.

Nxitja e investimeve të huaja

Në paketën e re fiskale, qeveria uli ndjeshëm taksat për hotelet e reja me 4 dhe 5 yje. Kjo është masa kryesore në 100 ditë për nxitjen e investimeve të huaja, një fushë ku qeveria ka bilanc problematik. Por, në kontrast me këtë masë, marka e vetme ndërkombëtare e hoteleve, “Sheraton”, u largua nga Shqipëria. Në 4 vitet e mëparshme qeveria nuk afroi asnjë investim të madh në Shqipëri dhe deri më tani nuk duket asnjë projekt në horizont.

Marrëdhëniet preferenciale dhe strategjike me Kosovën

Në nëntor, qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës zhvilluan mbledhje të përbashkët, ku u nënshkruan një sërë marrëveshjesh. Por, a ka progres real në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës? Ministri i Shtetit për Diasporën nuk është shumë entuziast.

“Nëse ka një pamje të ulët të keqtrajtimit, që biznesi po i bën politikës, është moslënia e lëvizjes së lirë të njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës, është në nivelin e krimit”.

Pastrimi i rrugëve

Aksioni i pastrimit të akseve kombëtare nga tabelat dhe objektet buzë rrugëve nisi në fillim të tetorit. Sipas raportimit më të fundit nga Ministria e Transporteve janë hequr nga shtrati i rrugëve 1.400 tabela dhe 124 kioska. Po kështu janë larguar 39 vendgrumbullime të gomave, 24 vendgrumbullime materialesh inerte, si dhe disa objekte të tjera. Kurse në luftën kundër kundër ndotjes së mjedisit, aksioni kombëtar i pastrimit nisi më 24 nëntor dhe sipas shifrave të Ministrisë së Mjedisit, numri i vullnetarë të regjistruar zyrtarisht në të gjithë vendin shkoi në mbi 280 mijë persona, ose sa 1/10-a e popullsisë së vendit. Por Top Channel ka denoncuar gjatë të gjithë muajit dhjetor situatën dramatike të mbetjeve në rrugët, fushat dhe lumenjtë e Shqipërisë, ndaj të cilave nuk është bërë thuajse asgjë.

Lufta ndaj shpërdorimit të ujit

Aksioni i ujit nisi në fund të tetorit. Qeveria u ka lënë 3 muaj kohë atyre që kanë lidhje të paligjshme, që të nënshkruajnë kontratat e rregullta me ujësjellësit. Sipas planit, më 1 shkurt do të nisin kontrollet në terren.

Fituesit e “Bypass”-eve të Vlorës dhe Fierit

Ky është një premtim i pambajtur. Ndonëse u zotua se brenda 100 ditëve do të ishte shpallur fituesi për tenderin e dy “bypass”-eve, tenderi nuk është mbyllur.

Rruga e Elbasanit

Edhe ky është një tjetër objektiv i parealizuar. Qeveria u zotua për përfundimin e rrugës brenda vitit të kaluar, por kjo nuk u realizua, e madje as tani nuk ka një datë të saktë se kur do të përfundojë, pa folur për shembjen e fundit që kanë bllokuar rrugën në drejtimin Elbasan-Tiranë.

Sportelet unike për fermerin

Ky është një tjetër premtim i pambajtur. Edhe pse premtoi hapjen e 5 sporteleve unike për fermerët brenda 100 ditëve, deri tani qeveria nuk ka hapur asnjë të tillë.

Siguria ushqimore

Kryeminstri premtoi që për 100 ditë do të zhvillohet një luftë e paepur në të gjithë territorin kundër thertoreve. Premtimi mund të quhet i mbajtur, por edhe ky akt është cilësuar nga opozita si korruptiv për ta monopolizuar biznesin e tregtimit të mishit te klientë të qeverisë.

Qeveria ka mbajtur premtimin për organizimin e konkursit për drejtuesit e spitaleve, kurse pjesërisht i mbajtur mund të konsiderohet realizimi i portalit të infermierëve, që është krijuar, por nuk është funksional.

Në përmbyllje, qeveria shpalosi një program modest për 100 ditët e para. Në rrafshin ekonomik, arritja kryesore e saj mund të quhet lehtësimi i procedurave burokratike, ndërsa në fushat e tjera nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret të rëndësishëm. Gjithsesi, 3 muaj janë një kohë e shkurtër për të gjykuar një qeveri./TCH

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here