Për jetën moderne dhe njeriun e çorientuar…

0
212

Nga Gëzim TUSHI

Padyshim që jeta e sotme në shoqërinë shqiptare nuk është e qartë dhe e suksesshme për të gjithë. Koha po vërteton se krahas njerëzve që kanë mundur të gjejnë orientimin e duhur dhe të kenë Projekt Personal të qartë, ka një numur jot ë vogël njerëzisht që jo vetëm nuk kanë piketa të qarta të orientimit personal të jetës dhe vijnë vërdallë shoqërisë duke qënë individualisht në gjëndje të çoroditur.

Është e vërtetë që në shoqërinë tonë në këtë periudhë transformimesh, ndryshimesh dhe përmbysjesh të mëdha, jo të gjithë njerëzit kanë patur mundësinë dhe kanë mundur të gjejnë të sigurt “nordin” e orientimit social dhe personal të jetës. Kjo situatë e analizuar me përgjegjësi sociologjike ka arsyet e veta.  Sociale dhe personale. Shumë prej tyre janë arsye ekonomike, sociale, demografike, kulturore e urbane, që e kanë bërë situatën e shoqërisë shqiptare të tillë, në të cilën në mënyrë evidente duket se një pjesë e madhe e njerëzve kanë filluar të ndihen të vetmuar, të braktisur, të pasocializuar, të paaftë sukses, kohezion e sociabilitet.

Në këto kushte duke parë situatat aktuale dhe zhvillimet e pritshme, është fare e sigurt që njerëzit me “aftësi të kufizuara” të orientimit social të vetes dhe për shkak të çoroditjes së thellë personale, janë në pritmëri e pasivitet dhe në shumë raste fatalisht priren drejt një jete ose të pakuptimtë ose sjelljeje sociale degraduese, për shkak të mungesave që kanë për të siguruar orientimin e duhur pragmatik social e personal.

Për të qënë realist dhe analog me të vërtetën e zhvillimeve në shoqërinë tonë, duhet pohuar se në këtë kaos social dhe kakofoni mundësish dhe alternativash, jo të gjithë qytetarët tanë ndihen apo janë të aftë për të gjetur “ganxhën” e duhur për të kapur për brirësh jetëne tyre. Një pjesë e njerëzve, sidomos ata që vazhdojnë të jenë të varfër apo të margjinalizuar, përveç shumë shkaqeve dhe arsyeve sociale, kanë kohë që individualisht ndihen të çorientuar dhe nuk janë në gjëndje të orientohen me kërkesat e kohën dhe ritmin marramendës të jetës postmoderne, nga që nuk kanë bërë “ndryshimin e duhur” të adoptimit të orientimit personal. Të bindur që shtyllat e socialitetit dhe parimet e shtetit social nuk do të përmbyseshin, një pjesë prej tyre erdhën fare të papërgatitur, të pambrojtur, duke u përballur me valët e forta turbulente të kësaj shoqërie. Duke mos kuptuar gjërat në kohën e duhur, ka akoma prej tyre që nuk janë të qartë brenda vetes se nga duhet ta presin shpëtimin: Nga Vetja apo nga Shoqëria?

Për pasojë në analizë të fundit gjëndja e çoroditur e një pjese prej tyre, është pasojë e qëndrimit dhe komportimit të gabuar me realitetet e reja, që donin të ecnin duke u mbajtur më kot pas piketave të vjetra të orientiomit social. Por nuk janë vetëm këta, kjo kategori sociale me vështirësi orientimi për shkak të mosshkëputjes me vendosmëri nga piketat e vjetra të orientimit social. Këtë fat e kanë pësuar edhe shumë të tjerë. Që edhe pse u përpoqën të riorientohen në përputhje me kërkesat e kohës, sasia e madhe e piketave të referimit të shoqërisë postmoderne, kaotizmi, labiliteti i tyre i kanë çorientuar dhe për pasojë janë plot njerëz që kanë probleme serioze me riorientimin social të jetës personale.

Tani jemi në kohën kur është e pamundur që iluzionet sociale të individit, dëshirat e tij për të qënë i sigurt duke shpresuar mbështetje personale nga kontribuli i shoqërisë. Ky nuk është gjë tjetër veçse një iluzion e rënda sociale që vazhdon me virulencë të sjellë çoroditje dhe iluzione tek njeriu. Është absurde të shpresosh se mund të ndodh që realiteti social i shoqërisë dhe jetës postmoderne do të mund ndonjë ditë të bashkohet me iluzionet individuale të njeriut të çorientuar apo të paaftë për të gjetur orientimin e duhur në jetë.

Kjo është një sëmundje e përgjithshme, e përbashkët për të gjithë shoqëritë postmoderne e cila shfaqet tek të gjithë individët e saj. Natyrisht në dimensione individuale dhe dimensione sociale të ndryshme, në përputhje me aftësitë e njeriut për të shmangur faktorët e brendshëm dhe të jashtëm dizorientues dhe në përputhje me sensin e gjetjes dhe përshtatjes me piketat e reja të riorientimit të jetës personale ndryshe. Kjo duke llogaritur jetën që është në raport të ndryshëm me determinantët e vjetër social të shoqërisë dhe pranë vetive të jetës së çorganizuar dhe kaotike.

Problemi është se për të përballuar sëmundjen e çorientimit social të individit kjo shoqëri nuk ka shumë “ilaçe”. Si rregull në këtë shoqëri sëmundjet jo vetëm që janë kronike por dhe refraktare. Që do të thotë që sa më shumë “ilaçe sociale” të ofrosh, aq më e keqe bëhet sëmundja për individin e çoroditur. Kjo sepse me sa duket tashmë është bërë e qartë, të qartë duhet ta kenë edhe njerëzit tanë se shoqëria postmoderne është e tillë që nuk pranon njeriun e çoroditur, të plogësht dhe pritmëtar apo fatalist.

Është e vërtetë që natyra e shoqërisë dhe karakteri i qytetërimit postmodern është bërë tejet i paqëndrueshëm, jo i stabilizuar apo likuid sikurse do thoshte sociologu Zygmandt Bauman. Në këtë kushte, është fare e natyrshme të kuptohet dhe pranohet se në jetën e sotme ka shumë fenomene, ngjarje e dukuri atipike që janë tepër të vështira për t’u kuptuar, interpretuar dhe zgjidhur në jetë nga njeriu i sotëm. Madje aq shumë të lëvizshme e të paqëndrueshme janë dukuritë e jetës postmoderne, sa që shpesh thuhet se ato janë tejet të vështira për tu deshifruar nga njeriu.

Kjo është arsyeja pse në jetën e sotme shoqërore janë shtuar ca si shumë njerëzit që janë kapluar nga një lloj zbrazëtie shpirtërore, që është bërë e frikshme. Kjo situatë ka shkaqe të brendshme, tejet të personalizuara por ka edhe shumë arsye sociale (të jashtme) që kanë ndikim të fortë në dozat virulente të shfaqjeve të shumta të njeriut të çoroditur dhe që përjeton zbarazëti shpirtërore. Dehumanizimi i shoqërisë është një nga prirjet me ndikim të fortë social dëshpërues e pezmatues për njeriun. Sepse kjo po i shton përditë e më shumë dozat e antihumanitetit në funksionimin e shoqërisë dhe zbehjen e lidhjeve sociale.

Në këto kushte është detyrë imperative që njerëzit ti mësojmë që të jetojnë dhe të përshtaten me të vërtetat e kohës, dhe jo të nanurisen me iluzione e utopi sociale. Kjo do të thotë se njeriu i kohës së sotme është i “dënuar” të bëjë të gjitha përpjekjet individuale, të sigurojë të gjitha llojet e shprehive e shkathtësisve që i duhen, jo vetëm për të mos qënë i çoroditur, por mbi të gjitha për të kontrolluar dhe për të bërë zap fatin e tij dhe mbi këtë bazë edhe të bëjë zgjedhjet dhe zgjidhjet e duhura në jetë. Nuk mund të justifikohet njeriu që në jetë shfaqet i “brishtë”, nga që nuk kupton determinimet e jetës sociale dhe realitetin prozaik.

Në se njerëzit nuk veprojnë kështu, atëherë është e sigurt që akoma më të dukshme dhe më prezente në shoqëri do të bëhet “shtresa” e njerëzve me mungesë aftësie orientimi, të përfshirë nga një lloj “çrregullimi konstant” në jetën e përditshme. Koha e detyron njeriun të bëhet i aftë, që të orientohet dhe të përshtatet me situatat që i vijnë vërdallë në jetë apo që i imponohen nga faktorë që janë jashtë tij. Kjo është arsyeja pse duhet dhe është fare imperative që njeriu të kuptojë se në kohën e sotme, më shumë se qënie sociale (ka përpjekje për ripërkufizim të këtij koncepti) duhet të bëhet “qënie racionale”, ose më saktë një njeri që është i detyruar të bëjë llogaritjet e duhura për çdo lëvizje që bën në jetë. Ndryshe dështimi dhe disfata e “pret tek dera”.

Në se duam të kemi njerëz të orientuar pozitivsisht, drejt dhe të suksesshëm në jetë, atëherë duhet thënë hapur e vërteta, pa gënjeshtra e iluzione të kota utopike. Koha që jetojmë dhe orientimi jo fort human e social i shoqërisë, po e detyron njeriun që në jetë të gjithnjë “përballë me vetveten”. Kjo do të thotë që në vend që të luftojë e të përpiqet të gjejë shoqërinë që do e mbështesë dhe do i bëhet support social, mirë është të gjejë vetveten, të përballet dhe të mbështetet fuqimisht në të.

Shumë njerëz e justifikojnë situatën e çorientimit të tyre, dështimin apo mos suksesin me ndikimin negative e disfavorizuese të faktorëve të jashtëm. Ato janë dhe kanë rolin e tyre. Problemi është se koha e sotme kërkon nje tjetër orientim të njeriut në jetë, dhe të shkaqeve qe e pengojnë atë për të arritur objektivat e veta. E vetma rrugë është edukimi i njerëzve, që shkaqet e dështimit dhe mossuksesit në jetë të mos i kërkojnë tek të tjerët “jashtë tyre” por vetëm tek vetja, duke rritur përmasat e angazhimit personal, duke luftuar përtacinë mendore apo plogështinë fizike. Në se njeriu mpihet përballë faktorëve të jashtëm dhe bëhet patologjikisht ngurues për të qënë guximtar në jetë, do e ketë vëshirë që me forcat e tij të gjejë rrugën që i duhet për të ngjitur “shkallët e jetës”.

Unë besoj se është i saktë definimi që i ka bërë sociologu i shquar Zygmunt Bauman natyrës së shoqërisë së sotme, si shoqëri e shumëfishtë, komplekse, që lëviz me shpejtësi, duke qënë e dyzuar, e turbullt, plastike, e pasigurt, paradoksale dhe kaotike. Këto tipare ontologjike të shoqërisë postmoderne janë shkaqe jo të vogla që sjellin situatën e çoroditjes sociale të individit, i cili e ka të vështirë së pari të “gjejë veten” dhe pastaj të orientohet në jetën sociale të shoqërisë. Njerëzit tanë duhet ta shikojnë me optimizëm jetën dhe mundësitë e shumta të realizimit të Projektit të tyre Personal. Sepse kur analizon tipologjinë e njerëzve që janë të çoroditur apo të dështuar në jetë, të shkaqeve dhe arsyeve të kësaj situate e kupton se edhe pse ata individualisht kanë mjetet e duhura për ta bërë atë, nuk kanë të qarta objektivat që synojnë. Kjo i lë ata në situatë çoroditjeje…

*Mjeshtër i MADH

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here