Lajm i keq për kursimtarët, si ndryshuan interesat e depozitave në nëntor

0

Kthimi nga kursimet në lekë nuk ka qenë i kënaqshëm as në muajin nëntor.

Sipas statistikave të publikuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e depozitave me afat (1-60 -mujore) ishte 0.91%, nga 0.93% që kishte qenë në muajin e mëparshëm, duke arritur nivelin më të ulët në katër muaj.

Për depozitat me afat 12-mujor, që kanë qenë më të preferuarat nga kursimtarët, kthimi vjetor ishte 0.74% në nëntor, nga 0.81% muajin e mëparshëm. Duke pasur parasysh se inflacioni vjetor luhatet rreth 2%, kthimi real nga depozitat është negativ.

Interesin më të lartë e përfiton nëse mbyll kursimet për një afat 5-vjeçar, me rreth 3.1% në vit.

Teksa yield-i (interesi) 12-mujor i bonove të thesarit (kthimi që marrin bankat, institucionet e tjera financiare dhe individët nga investimi në letrat me vlerë të qeverisë) është rritur në rreth 3%, pritet që kjo të reflektohet edhe tek interesat e depozitave.

Pas uljes së vazhdueshme të normës bazë nga Banka e Shqipërisë, që prej shtatorit të vitit 2011, edhe kthimi vjetor që merret nga kursimet ka rënë vazhdimisht për të arritur në më pak se 1% aktualisht për kursimet 12-mujore.

Kjo ka bërë që individët të kërkojnë për alternativa kursimi më fitimprurëse, si investime afatgjata (mbi 2 vjet), blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, blerjen e pasurive të paluajtshme etj. Në nëntor 2017, në krahasim me nëntorin e vitit 2011, kursimet me afat të rezidentëve kanë rënë me 94 miliardë lekë, ose gati 690 milionë euro. Depozitat e individëve me afat në lekë përbënin 26% të totalit në nëntor 2017, nga 40.5% që ishte kjo peshë në 2011-n.

Rriten interesat e kredive

Edhe për kredimarrësit, zhvillimet në nëntor nuk kanë qenë pozitive. Norma mesatare (për të gjitha afatet e maturimit) e huave të reja në lekë u rrit në 6.8%, nga 6.59% që kishte qenë muajin e mëparshëm. Gjithsesi, kredia në lekë vijon të mbetet me kosto të favorshme, teksa interesat kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit. Megjithatë, kjo nuk e ka nxitur kreditimin.

Me bazë vjetore (nëntor 2017/nëntor 2016), rritja e huasë për ekonominë është minimale vetëm 0.1%, duke shënuar të tretin vit radhazi kur ekonomia nuk po kreditohet, pavarësisht politikës lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka ulur normën bazë në nivele minimale prej 1.25%, në një përpjekje për të ulur koston e parasë dhe për të nxitur investimet private. Në 2015-n kredia ra me 2.2% dhe në 2016-n u zgjerua me 0.75, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë./Monitor/

Lini nje pergjigje