Plagosja me armë në Lezhë, zbulohet motivi

0

Plagosja e 32-vjeçarit Vilson Zefi në Lezhë rreth mesditës së sotme, e ka zanafillën në një konflikt më të hershëm mes të plagosurit dhe autorit, i lindur për motive banale.

Burime nga grupi hetimor thanë se Zefi dhe 32-vjeçari me inicilaet A.P. janë konfliktuar disa kohë më parë në një lokal në qytet. Konflikti, sqaruan të njëjtat burime, lindi për motive tepër banale të tipit “pse më shikon”, por që më pas do të çonte në plagosjen e Zefit.

A.P. këtë të martë i ka kërkuar Zefit të sqarohen. Mes të dyve ka lindur një debat verbal, por gjakrat janë nxehur dhe A.P. ka nxjerrë pistoletën dhe ka plagosur në këmbë Zefin me një plumb. Ai është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori është larguar.

Policia njoftoi se: Rreth orës 12:00, është marrë njoftim nga urgjenca e Spitalit se është sjellë një shtetas i plagosur me armë zjarri, jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore ku kanë konstatuar se në Lezhë në  afërsi të Lagjes “Gurra”, shtetasi A.P.,  dyshohet se ka plagosur në këmbë me armë zjarri  tip pistoletë shtetasi V.Z. 32 vjeç, banues në Lezhë.

Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit.

 

Lini nje pergjigje