Naftëtarët marrin rrogat e nëntorit, rafinerive të Ballshit dhe Fierit i vihet dryni

0
190
Pas protestave disa javore dhe marshimit në Tiranë, naftëtarët e Ballshit dhe Fierit kanë marrë rrogën e prapambetur të nëntorit 2017, ndërkohë që mbeten të pazgjidhura pagesat e munguara të viteve 2015-2016 si dhe sigurimet shoqërore.

Autor: Edmond Hoxhaj  BIRN  Tiranë

Pas disa protestave të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit dhe marshimit në këmbë nga Fieri drejt Tiranës, rreth 1000 naftëtarët e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh dhe të Rafinerisë së Fierit që administrohen nga kompania IRTC, kanë mundur të përfitojnë pagën e muajit nëntor, ndërkohë që mbeten ende pa shlyer rreth 15 paga të viteve 2015-2016 dhe sigurimet shoqërore për këtë periudhë.

Premtimi i dy ministrave Gjiknuri dhe Ahmetaj se, pagat e muajit nëntor të të shlyheshin në orën 13:00  të 29 dhjetorit u prit me skepticizëm nga naftëtarët, por pavarësisht kësaj dhjetëra prej tyre u gjendën pranë degëve të bankës Credins në qytetin e Fierit dhe të Ballshit në këtë orar.

Pasi në mënyrë të herë pas hershme kanë verifikuar gjendjet në llogaritë e tyre bankare në bankomat gjatë ditës së premte, për disa orë pas orarit të përcaktuar nga ministrat dhe kanë konstatuar se nuk ishte depozituar asnjë qindarkë, dhjetëra naftëtarë të cilët qëndronin në hyrjen e bankës kanë bllokuar për disa minuta rrugën automobilistike në qendër të qytetit të Fierit.

Për këtë aryse, aty kanë mbërritur efektivë të policisë të cilët kanë mundësuar zhbllokimin e rrugës dhe kanë menaxhuar situatën përgjatë gjithë kohës. Pavarësisht reshjeve intensive, dhjetëra naftëtarë kanë vendosur të presin pranë bankomatit, derisa rreth orës 17:00 të së premtes, disa prej tyre kanë konstatuar se në gjendjet e llogarive bankare është depozituar paga e muajit Nëntor.

Për shkak se procesi i arkëtimit të të gjitha pagave ka vazhduar për disa orë, jo të gjithë punonjësit e KPTHN-së dhe Rafinerisë së Fierit kanë mundur të marin pagat e tyre mbrëmjen e 29 dhjetorit. Edhe mëngjesin e të shtunës me 30 dhjetor, në hyrje të bankës Credins kanë qenë me dhjetëra naftëtarë të tjerë, të cilët kanë pritur të tërheqin pagën e tyre nga sportelet e kësaj banke. Nga komunikimi i drejtëpërdrejtë me disa prej punonjësve është mësuar se të gjithë naftëtarëve u është arkëtuar paga e muajit nëntor.

“Ajo që na ndodhi, mos na ndodhtë kurr! Të marim lekët, të punojmë, të fillojë puna, asgjë tjetër. Ne s’kemi pse të shajmë partitë… . Duam punë të punojmë, kaq!”, u shpreh për BIRN një naftëtare.

Ndërkohë, një tjetër punëtor, Hasan Selimi, vendos theksin tek pagat e prapambetura të viteve 2015-2016, pasi sipas tij janë zhytur në borxhe.

“Kërkesa tjetër e jona është: ‘Që të gjithë punonjësit, u bëj thirrje në mënyrë të veçantë gjithë punonjësve, edhe sikur të fillojë puna nesër në mëngjes tek uzina, neve të mos fillojmë punë pa marrë rrogat e prapambetura’. I duam rrogat e prapambetura se kemi një vit e gjysmë e si kemi mar. Sikur nesër në mëngjes të bëjë thirrje hajde në punë, ne të mos vemi. Vetem rrogat e prapambetura ne i duam se s’ben. I kemi mar të gjitha borxh, jemi zhytur deri këtu…. Na kanë premtuar, edhe vetë kryeministri na ka premtuar dhe nuk na kanë dhënë asgjë”, përfundon Hasani.

Kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve, Kamber Iljazi, pohoi për BIRN gjatë një komunikimi telefonik se të gjithë punëtorët kanë marrë pagën e muajit Nëntor. Ndërkohë, ai shtoi se vitin  që vjen do të vazhdojnë t’u qëndrojnë kërkesave të tyre për pagat e prapambetura nga vitet 2015-2016, sigurimet shoqërore, marrjen e statusit të naftëtarit dhe ngritjen e një klinike të posaçme për sëmundjet profesionale.

Prej rreth një muaji, administratorët e IRTC-së vendosën të ndalojnë punën në KPTHN-në e Ballshit, ndërkohë që në Rafinerinë e Fierit ishte ndalur më parë. IRTC i tha BIRN më parë se shkaku i ndalimit të punës dhe mosdhënia e pagës së nëntorit ishte mungesa e naftës bruto.Por, një zyrtar i kompanisë së nxjerrjes së naftës Bankers Petroleum i tha BIRN më parë se kjo kompani nuk mund të furnizojë me naftë rafinerinë nëse nuk kryhet pagesa për naftën bruto.

Naftëtarët e KPTHN-së së Ballshit dhe të Fierit vazhdojnë të mbeten të papunë pasi nga IRTC nuk ka asnjë lajmërim se kur mund të rifillojë puna e uzinës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here