Dhjetë konfliktet e pritshme të vitit 2018, nga Koreja e Veriut në Venezuelë

0
  1. Koreja e Veriut

Testimi i armëve bërthamore dhe raketeva prej Koresë së Veriut së bashku me retorikën luftarake të Shtëpisë së Bardhë, e bëjnë kërcënimin e luftës dhe rrezikun e konfrontimit katastrofik bërthamor, më të lartë se në çdo kohë në historinë e viteve të fundit. Testimi i gjashtë  bërthamor i Penianit në shtator 2017 dhe shtrirja e raketave të saj tregojnë qartë vendosmërinë për të çuar përpara programin e tyre bërthamor dhe mundësinë për sulme ndër-kontinentale. Ndërkohë nga Shtetet e Bashkuara, vijnë sinjale të paqarta dhe të shkujdesura mbi diplomacinë.

Këmbëngulja e Kim Jong Un-it tek armët bërthamore nxitet pjesërisht nga frika, se pa një mjet të tillë ai rrezikon të rrëzohet nga fuqitë e jashtme dhe nga kërcënimet që vijnë nga brenda Koresë së Veriut, sidomos rivalitetet mes elitave, impaktin ende të panjohur të reformës ekonomike dhe vështirësitë e tij në kontrollin e rrjedhës së informacionit – duke përfshirë edhe kanalet e mediave të huaja.

Toni agresiv që vjen nga Uashingtoni sugjeron vëmendje urgjente në drejtimin e kundërt. Disa zyrtarë të lartë besojnë se programi bërthamor i Koresë së Veriut duhet ndaluar me çdo kusht, vecanërisht sepse ka mundësinë të godasë pjesën kontinentale të Shteteve të Bashkuara me një raketë bërthamore. Pasi të kalojë këtë prag, ata mendojnë se Kim Jong Un do të ketë mundësi të bllokojë mbrojtjen që Uashingtoni u siguron vendeve aleate dhe kështu mund të paraqesë kërkesat e tij – që prej heqjes së kufizimeve tregëtare dhe dëbimin e trupave amerikane, deri në ri-bashkimin e Koreve nën kushtet e tij. Të njejtët zyrtarë duken të bindur se kjo mund të shmanget me anë të veprimeve të pakta dhe mirëmenduara ushtarake.

Aktualisht, SHBA është duke ndjekur “ Strategjinë maksimale të presionit” duke vënë sanksione nëpërmjet Këshillit të Sigurisë, duke shtyrë Kinën të bëjë më shumë për të mbytyr ekonominë e fqinjit, duke kryer stërvitje të mëdha të Forcave Ajrore dhe Detare dhe duke sinjalizuar drejtpërdrejt ose nëpërmjet aleatëve në Kongres se nuk ia ka frikën një ballafaqimi ushtarak. Pavarësisht deklaratave kontradiktore nga Sekretari I Shtetit Reks Tillerson, administrata Trump bën të qartë se nuk janë të interesuar në bisedime që nuk kanë për qëllim shkatërrimin e armëve bërthamore nga Koreja e Veriut. Sipas Shtëpisë së Bardhë kjo taktikë po funksionon: veprimi ushtarak Amerikan është tashmë I pritshëm edhe nga Koreja e Veriut edhe nga Kina. SHBA shpreson që kjo e fundit ta ndihmojë për të zbrapsur të parën.

Por kjo qasje do të thotë të garosh me kohën dhe Uashingtoni do të humbasë me siguri. Masat shtënguese nuk do të japin rezultat menjëherë dhe lidershipi i Koresë së Veriut do të preket i fundit. Qytetarët e zakonshëm do të vuajnë të parët. Për shkak të kërcënimeve, Peniani me shumë mundësi do të shpejtojë ritmin e prodhimit të armëve. Kina dhe Koreja e Jugut, të dyja mbështesin sanksionet e rrepta dhe janë të frikësuara nga mundësia e një veprimi ushtarak amerikan në rajon. Koreja e Jugut ka pak fuqi për të ndryshuar situatën dhe presioni që po bën Kina mbi Korenë e Veriut po arrin limitet. Ndërkohë që Presdienti Kinez Xi Jinping druhet se lufta në gadishullin Korean do të sjellë kaos dhe trupa amerikane shumë pranë kufirit të tij, ai gjithashtu do të shmangë trazirat që mund të përhapen nga Peniani në vendin e tij.

Pa një qasje tjetër diplomatike, Uashingtoni rrezikon të shtyhet në veprim ushtarak. Edhe një sulm i mirëmenduar mund të provokojë përgjigje të Koresë së Veriut. Ndërkohë që Peniani do të mendohej dy herë para se të niste një sulm të mirëfilltë në drejtim të Seoul-it, ata mund të marrin masa të tjera: një sulm mbi një shënjestër të parëndësishme, një qitje jo-simetrike kundër objektivave amerikanë rreth gadishullit ose sulme kibernetike. Këto mund të mos sjellin menjëherë konflikt rajonale por mund të provokojnë përshkallëzime të paparashikuara.

Një iniciativë e suksesshme diplomatike duhet të adresojë dy problematikat kryesore: frika e SHBA dhe ndërkombëtarëve për kapacitetin bërthamor të Koresë së Veriut dhe frikën e regjimit të Kim Jong Un për atë cfarë mund t’I ndodhë pa këtë arsenal. Qeveria Amerikane duhet të përputhë sanksionet me ato të OKB-së me një qëllim politik realist. Një zgjidhje mund të jetë ndalimi i testimit të raketave para se Peniani të kalojë atë që SHBA sheh si “vijën e kuqe”; SHBA të bjerë dakort me stërvitje ushtarake më të pakta dhe konsensus mbi mbështetjen humanitare edhe pas sanksioneve. Kjo zgjidhje mund të mos I kënaqë palët por të paktën do të sigurojë hapësirën e nevojshme për të arritur një marrëveshje afatgjatë.

  1. Rivaliteti SHBA-Arabi Saudite-Iran

Ky rivalitet mund të eklipsojë edhe konflikte të mëparshme në Lindjen e Mesme në vitin 2018. Tre shkaqet kryesore janë: konsolidimi i autoritetit të Princit Saudit Mohammed bin Salman; strategjia agresive e administratës Trump drejt Iranit dhe marrja e territoreve nga kontrolli i Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, çka sjell përqëndrimin e Uashingtonit dhe Rijadit tek Irani. Konturet e strategjisë SHBA-Arabi Saudite po bëhen gjithmonë e më të qarta. Kjo bazohet tek supozimi se Irani ka shfrytëzuar aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë për forcuar pozitën në Siri, Irak, Jemen dhe Liban. Uashingtoni dhe Rijadi kërkojnë të rivendosin ndikim duke kërkuar që Tehrani të mbajë përgjegjësi.

Kjo strategji përfshin forma të ndryshme presioni me qëllimin përfundimtar sprapsjen e Iranit. Ka një dimension ekonomik ( nëpërmjet sanksioneve nga SHBA), diplomatik dhe ushtarak ( I ushtruar nga Arabia Saudite mbi Jemenin dhe nga Izraeli mbi Sirinë).

Nëse kjo do të funksionojë është cështje tjetër. Megjithëse protesat e fundit në Iran kanë paraqitur një tablo të re të paparashikueshme, Tehrani dhe partnerët duken se janë në pozitë të fortë. Regjimi I Bashar al-Assad-it I mbështetur nga fuqia ajrore ruse, po fiton në Siri. Në Irak, ushtria Shiite e lidhur me Iranin po futet në institucionet shtetërore.

Pavarësisht se tregon vendosmëri për t’u përballur me Iranin dhe partnerët e tij, Rijadi nuk ka mundur të ndryshojë balancën e pushtetit. Dorëheqja e detyruar e Hariri-t dështoi, jo vetëm sepse ai më vonë e tërhoqi por sepse gjithë Libani u bashkua kundër kësaj dhe Hariri u afrua më shumë me presidentin libanez Michael Aoun dhe Hezbollahun. Në Jemen, Rijadi i ktheu Houtit dhe ish-presidentin Ali Abdullaj Saleh kundër njëri-tjetrit, por vendi u copëtua më tej. Administrata Trump përballet me pengesa të ngjashme. Deri tani, armiqësia, refuzimi për të vërtetuar marrëveshjen bërthamore, kërcënimet me sanksione të reja dhe nisja e disa sulmeve pranë objektivave të regjimit në Siri, nuk kanë ndihmuar për të kthyer mbrapsht synimet e Iranit.

Me kaq shumë pika të nxehta dhe kaq pak diplomaci, rreziku i përshkallëzimit është i madh: Çdo lëvizje – sanksione nga SHBA që Irani do i shihte si shkelje të marrëveshjes nukleare; një goditje me rakete nga Houthi në Rijad ose Abu Dhabi për të cilën SHBA do të bënte përgjegjës Tehranin, ose një sulm Izraelit në Siri që shënjestron Iranianet- mund të sjellë konfrontim më të gjerë.

  1. Rohingyat në krizë: Mianmari dhe Bangladeshi

Kriza e Rohingyave në Mianmar ka hyrë në një fazë të rrezikshme duke kërcënuar tranzicionin e vështirë në demokraci, stabilitetin e vendit, të Bangladeshit dhe të rajonit më gjerë.

Një sulm në Gusht nga Ushtria Clirimtare Rohingya Arkan ( ARSA ), një grup militant në shtetin e Mianmarit, nxiti një reagim ushtarak duke shënjestruar komunitetin e keqtrajtuar musliman Rohnixhaja. Ai sulm solli eksod masiv me të paktën 655,000 persona të shpërngulur në drejtim të Bangladeshit. OKB e quajti këtë operacion një shembull tipik të spastrimit etnik. Qeveria ka kufizuar ndjeshëm ndihmat humanitare në zonë dhe opinioni pozitiv për Aung San Suu Kyi- kancelaren e shtetit gjithashtu fituese e cmimit Nobel- është shuar. Qeveria e saj mban një qëndrim të ashpër kundër komunitetit rohingya. Ajo ka mbështetjen e popullit i cili përqafon retorikën nacionaliste dhe anti-rohingya të shpërndarë nëpër media shtetërore dhe media sociale.

Presioni nga Këshilli I Sigurisë së OKB është shumë i rëndësishëm dhe qeveritë Perëndimore po shkojnë drejt sanksioneve të cilat janë mesazh, se veprime të tilla nuk mund të jenë pa pasoja. Për fat të keq, këto skanksione duket se nuk do të kenë shumë efekt mbi politikat e Mianmarit. Fokusi është tek të drejtat e refugjatëve për t’u kthyer mënyrë vullnetare dhe dinjitoze. Në të vërtetë, refugjatët nuk do të kthehen nëse Mianmari nuk u siguron lirinë e lëvizjes, siguri në komunitetet e tyre, akses në shërbimet bazë dhe ndihmat humanitare.

Ndonëse publikisht qeveria e Bangaldeshit po mundohet të bindë Mianmarin të marrë refugjatët mbrapsht, privatisht pranon se kjo gjë ka pak gjasa të ndodhë. Asnje masë nuk është marrë për më shumë se 1 milion rohingyas në kufirin juglindor me Mianmarin. Fondet ndërkombëtare për operacione emergjente si ky do të mbarojnë në Shkurt të këtij viti. E gjithë kjo prezencë e një numri të madh refugjatësh sjell rreziqe të mëdha për Bangladeshin. Konflikte mes refugjatëve dhe komuniteteve pritëse që janë më të paktë në numër pritet të ndodhin për shkak të rritjes së cmimeve dhe uljes së pagave. Prezenca e refugjatëve mund të ndezë një konflikt ose të agravojë ndasitë politike të zgjedhjeve të ardhshme në fund të 2018.

Ka edhe rreziqe për Mianmarin. ARSA mund të riorganizohet. Ata vetë, ose grupe të ngjashme shfrytëzojnë kauzën e Rohingyasve ose rekrutojnë të zhvendosurit për të nisur sulme ndërkufitare duke ndezur konflikt midis muslimanëve dhe budistëve në Rakhine dhe tensione midis Mianmarit dhe Bangladeshit. Çdo sulm jashtë Rakhinës do të provokonte tensione më të mëdha fetare dhe dhunë në të gjithë vendin. Duke pranuar krizën, duke implementuar rekomandimet e Komisionit Këshillues të udhëhequr nga Kofi-Annan dhe duke braktisur retorikat përcarëse qeveria e Mianmarit do të vihej në rrugën e zgjidhjes së konflikteve.

  1. Jemeni

Me 8 milion njerëz në prag të urisë, 1 milion raste të deklaruara të kolerës dhe mbi 3 milion persona të zhvendosur, lufta në Jemen mund të përshkallëzohet më tej në 2018-ën. Pas një periudhe të rritjes së tensioneve dhe sulmeve të armatosura, ish-presidenti Ali Abdullah Saleh deklaroi në dhjetor se Kongresi i Përgjithshëm Popullor, do t’i jepte fund bashkëpunimit me “Houthis” (grupim militar). në favor të koalicionit të udhëheur nga Sauditët. Saleh e pagoi këtë me jetën e tij; ai u vra menjëherë nga partnerët e tij të mëparshëm.

Arabia Saudite dhe aletaët e saj – duke besuar se Houthi/Kongresi I Përgjithshëm Popullor hap mundësi të reja – me siguri do të intensifikojnë fushatën e tyre me një kosto të madhe për civilët. Irani do vazhdojë të kërkojë mundësi për t’i mbajtur Sauditët të nënshtruar dhe sa më shumë trazira përhapen në veri të Jemenit aq më shumë gjasa ka që dhuna të përhapet dhe pas kufirit. “Houthis” do të vazhdojnë luftimet me Sauditët dhe do të kërcënojnë shtetet e tjera të Gjirit.

Negociatat, ende të largëta, janë komplikuar edhe më tej. “Houthis”, duke u ndjerë njëkohësisht të inkurajuar dhe të kërcënuar mund të marrin një qëndrim tjetër. Kongresi i Përgjithshëm Popullor, një parti pragmatiste e qëndrës, mund të fragmentohet më tej. Jugu është i ndarë për shkak të ndarjes së thelluar midis forcave besnike të presidentit jemen Abed Rabbo Mansour Hadi dhe separatistëve në jug të mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ka shenja pakënaqësie nga ana e SHBA-së sidomos me bombardimet Saudite pa dallim dhe bllokadën e territoreve të kontrolluara nga “Houthis”. Retorika agresive e administratës Trump drejt Iranit, inkurajon gjithë tendencat e gabuara në Rijad. Arabia Saudite dhe aleatët duhet të heqin bllokadën e Jemenit dhe të hapin aeroportet civile. Politikisht, duhet të ketë një rezolutë të re nga Këshilli i Sigurimit që të japë një zgjidhje të balancuar. Sauditët nuk pranojnë asnjë propozim nga përfaqësues të Iranit, por nëse ata do të binin dakort me iniciativa realiste për paqen, përgjegjësia do të bintë mbi grupimin “Houthis”, për ta pranuar.

  1. Afganistani

Lufta në Afganistan duket se do intensifikohet në 2018. Strategjia e re e SHBA-së në Afganistan shpejton ritmin e operacioneve kundër Talebanëve me më shumë trupa amerikane, sulme më të ashpra dhe ofensiva më të forta ushtarake. Sipas zyrtarëve të lartë, qëllimi është të ndalin vrullin e Talebanëve dhe t’i detyrojnë ata drejt një zgjidhjeje politike. Tani për tani strategjia është tërësisht ushtarake.

Kjo strategji përballet me pengesa serioze. Sulmet e ashpra kundër Talebanëve mund të sjellin fitime taktike por nuk ka gjasa të ndryshojë kursin e luftës apo potencialin për rebelim.

Talebanët aktualisht kontrollojnë më shumë territor se në vitin 2001; janë të armatosur më mirë dhe nëse ndihen të kërcënuar, ata kanë mundësinë të nisin sulme spektakolare në qëndrat urbane me qëllim uljen e besimit tek qeveria. Përveç kësaj, midis 2009-ës dhe 2012-ës, Talebanët i mbijetuan sulmeve të rreth 100,000 trupave amerikane.

Udhëheqësit ushtarakë pretendojnë se këtë herë do të jetë ndryshe, sepse Trump, ndryshe nga    Obama, nuk ka caktuar një datë tërheqjeje. Ky argument është i cekët. Ai gjithashtu keqinterpreton kryengritjen: Humbjet në betejë në të kaluarën nuk kanë ndikuar në gatishmërinë e liderëve talebanë për të negociuar. Zgjedhjet e ardhshme afgane (një sondazh parlamentar është planifikuar për në korrik 2018, vota presidenciale pritet në 2019) do të heqin vëmendjen nga fushata ushtarake. Çdo votë që nga viti 2004 ka ndezur një farë krize dhe mosmarrëveshjet politike sot janë veçanërisht të ashpra.

Strategjia nënvlerëson gjithashtu lëvizjet rajonale. Deri më tani, diplomacia rajonale e SHBA-së është përqëndruar në presionin ndaj Pakistanit. Talebanët tani gëzojnë lidhje me Iranin dhe Rusinë, të cilët e shohin atë si mbrojtje kundër Shtetit Islamik në Afganistan – dhe gjithashtu i aftë për sulme të profilit të lartë. Qasja ushtarake e Uashingtonit dhe mungesa e diplomacisë rrezikon të transmetojë mesazhin se qëllimi i SHBA nuk është stabilizimi i vendit dhe në fund largimi, por prania ushtarake në rajon. Kjo mund të interpretohet si kërcënim për interesat e tyre. Diplomacia Amerikane për Afganistanin aktualisht nuk përfshin as Kinën, ndikimi i së cilës në Azinë Jugore, do të ishte kritik për çdo marrëveshje të arritur.

Është e vërtetë se mbështetja e SHBA-së, ngre moralin e Ushtrisë Afgane; një tërheqje e shpejtë, në të kundërt, mund të shkaktojë kaos. Por ndërsa ritmi i luftimeve rritet, administrata Trump duhet të mbajë hapur linjat e komunikimit me kryengritësit dhe të arrijë një zgjidhje me fqinjët e Afganistanit dhe fuqitë e tjera rajonale, megjithatë aktualisht perspektivat janë të pakta. Aleatët e SHBA në Afganistan duhet të kërkojnë elemente më gjithëpërfshirës në strategjinë e tyre. Në këtë moment strategjia i hap rrugën më shumë dhune. Civilët afganë janë ata të cilët do të paguajnë çmimin.

  1. Siria

Pas më shumë se 7 vjet lufte, regjimi i presidentit Bashar al-Assad mori pushtetin, falë mbështetjes Ruse dhe Iraniane. Por luftimet nuk kanë përfunduar. Pjesë të rëndësishme të territoreve mbeten jashtë kontrollit, fuqitë ndërkombëtare nuk bien dakord për një zgjidhje dhe Siria është arenë e rivalitetit midis Iranit dhe armiqve të tij. Ndërsa Shteti Islamik është sprapsur nga pjesa lindore, situata mund të përshkallëzohet diku tjetër.

Në Sirinë Lindore, fushata kundërshtare organizuar nga forca pro-regjimit ( të mbështetura nga Ushtria Iraniane dhe forcat ajrore Ruse) dhe Forcat Demokratike të udhëhequra nga Kurdët ( SDF e mbështetur nga koalicioni anti-ISIS I udhëhequr nga SHBA) kanë detyruar Shtetin Islamik që të tërhiqet. Në Siri dhe Irak, mbetjet e Shtetit Islamik janë tërhequr në shkretëtirë për të pritur mundësi të reja. Për regjimin dhe SDF-në, lufta kundër Shtetit Islamik ishtë një mënyrë për t’i dhënë fund pushtetit të tyre. Të dy ata synonin të kontrollonin territorin dhe resurset, por edhe të përfitonin nga to – regjimi duke konsoliduar kontrollin dhe Kurdët duke kërkuar autonomi maksimale. Deri tani, të dy anët kanë shmangur ballafaqimin. Me ikjen e Shtetit Islamik, rreziku rritet.

Lindja është gjithashtu e rrezikshme për shkak të rivalitetit SHBA – Iran dhe afërsisë së këtyre forcave rivale. Avancimet Iraniane, sidomos korridori që lidh pjesët e mbajtura nga regjimi, me pjesët e kontrolluara nga qeveria në Irak, mund të provokojnë që SHBA të bllokojë atë që ata e konsiderojnë një urë tokësore të rrezikshme nga Irani në Mesdhe.

Në jugperëndim, Izraeli i shihte ushtritë e mbështetura nga Irani që operonin pranë Golanit, si një rrezik direkt dhe ishte gati për veprimtari ushtarake për t’i sprapsur. Është ende e paqartë nëse Moska mund të parandalojë prezencën Iraniane apo të Hezbollahut, siç ka premtuar. Izraeli mund të marrë situatën në dorë duke sulmuar forcat aleate të Iranit. Ky model mund të zgjasë për disa kohë por një konfrontim më i gjerë është shumë pranë dhe mund të përhapet shpejt përtej Sirisë, në Liban.

Një prej rreziqeve kryesore është mundësia e një ofensive nga regjimi i Assad-it në veriperëndim të Sirisë, ku pjesët e kontrolluara nga rebelët banohen nga 2 milionë Sirianë. Regjimi dhe forcat aleate duken se e kanë përqëndruar vëmendjen tek këto zona. Një ofensivë e regjimit në veriperëndim mund të sjellë shkatërrim masiv dhe zhvendosje të popullsisë.

  1. Saheli

Shtetet e dobëta përgjatë rajonit të Sahelit po përballen me konflikte interkomunale, dhunë nga xhihadistët dhe luftime mbi rrugët e kontrabandës. Përgjigjet ushtarake shpesh i përkeqësojnë gjërat.

Kriza në vitit 2012 në Mali – në të cilën ushtria e Mali-t u tërhoq nga veriu I vendit, një puç rrëzoi qeverinë dhe xhihadistët pushtuan qytetet në veri për gati një vit – tregon se sa shpejt mund të rëndohet situata. Që atëherë, zbatimi i marrëveshjeve të paqes me qëllim dhënien fund të krizës ka dështuar, ndërkohë që destabiliteti është përhapur në të gjithë Malin dhe në disa vende fqinje si Nigeri dhe Burkina Faso.

Dinamikat në secilin vend janë lokale, por mungesa e autoritetit të qeverive dhe pamundësia për të frenuar dhunën është një problematikë e rëndësishme. Armët që hynë në rajon pas kolapsit të Libisë dhe rrëzimit të Muammar al-Qaddafi-t, ka sjellë përshkallëzim të grindjeve lokale. Paqëndrueshmëria u ka shërbyer xhihadistëve të cilët përdorin Islamin për të nisur konflikte kundër autoriteteve tradicionale.

Me degjenerimin e situatës, përgjigja e ndërkombëtarëve është përqëndruar fuqimisht tek zgjidhja ushtarake. Europianët në veçanti e shohin rajonin si kërcënim të sigurisë së tyre dhe si burim emigrantësh dhe terrorizmi. Në fund të vitit 2017, një grup i mbështetur nga francezët, i njohur si G5 Sahel – i përbërë nga trupa nga Mali, Nigeri, Çadi, Burkina Faso dhe Mauritania – u përgatit për tu vendosur në territor të zotëruar nga vetë Franca, Forcat Speciale Amerikane dhe paqeruajtësit e OKB. Ndërkohë që veprimi ushtarak duhet të zvogëlojë influencën e xhihadistëve, forca G5 ngre më shumë pyetje se përgjigje. Mungon përkufizimi i armikut dhe në vend të tyre, operacionet përqëndrohen tek një grusht xhihadistësh, trafikantësh dhe kriminelësh të tjerë. Liderat rajonalë duken se keqpërdorin ndihmat ushtarake për llogari të tyre.

Për të evituar përkeqësimin e situatës, përpjekjet ushtarake duhet të shoqërohen nga strategji politike që vijnë si rezultat i mbështetjes nga popullsia lokale dhe jo konfliktit.

Hapja ose rivendosja e linjave të komunikimit mes liderave të ushtrisë mund të ndihmojë në reduktimin e dhunës.

  1. Republika Demokratike e Kongos

Këmbëngulja e presidentit Joseph Kabila për të mbajtur pushtetin rrezikon të sjellë krizën dhe emergjencë humanitare në Kongo. Në fund të vitit 2016 marrëveshja e Shën Silvestrit dukej se ofronte një zgjidhje me anë të zgjedhjeve në fund të 2017-ës, pas të cilave Kabila do të linte pushtetin (mandati i tij i dytë dhe i fundit duhet të përfundonte në Dhjetor 2016). Gjatë vitit të fundit, gjithësesi, regjimi i tij ka bërë hapa pas, duke shfrytëzuar rrëmujën e shkaktuar nga opozita dhe duke shmangur vëmendjen nga ndërkombëtarët. Në Nëntor komisioni i zgjedhjeve paraqiti data të reja – më një votim në fund të 2018-ës, duke zgjatur kështu pushtetin e Kabilës edhe një vit.

Kursi më i mundshëm në vitin 2018, është përshkallëzimi gradual i situatës. Por ka skenarë më negativë. Teksa regjimi bie, nuk arrin të sigurojë pjesë të territorit dhe rrit paqëndrueshmërinë në rajon, rreziku i trazirave më të thella ka implikime rajonale.

Tashmë ka dhe shenja shqetësuese. Pakënaqësia popullore rrit rrezikun e trazirave në qëndrat urbane; në ditët e fundit protesta të dhunshme në Kinsasha dhe qytete të tjera kanë lënë shumë njerëz të vdekur. Për më tepër, milicitë lokale kanë shkretuar disa provinca. Luftimet gjatë vitit të kaluar në rajonin e Kasait, kanë lënë pas 3000 të vdekur dhe konfliktet në lindje të vendit marrin dhjetra jetë cdo muaj.

Ndërhyrja ndërkombëtare ka qënë e dobët. Mosmarrëveshjet midis Afrikës dhe Perëndimit nuk kanë ndihmuar: Fuqitë perëndimore janë kritike ndaj situatës dhe i kanë vendosur sanksione Kabilës. Vetëm diplomacia aktive dhe e bashkuar ka shans të sjellë një tranzicion paqësor. Parimet e Shën Silvestrit ( zgjedhje të ndershme, asnjë mandat më shumë për Kabilën, hapje të skenës politike dhe respektimi i të drejtave të njeriut) ofron rrugën më të mirë drejt fundit të krizës.

  1. Ukraina

Konflikti në Ukrainën Lindore ka marrë mbi 10,000 jetë dhe përbën një krizë humanitare. Ndërsa vazhdon, marrëdhënia midis Rusisë dhe Perëndimit nuk ka gjasa të përmirësohet. Zonat e kontrolluara nga separatistët janë jofunksionale dhe varen nga Moska. Në pjesë të tjera të Ukrainës, zemërimi në rritje prej korrupsionit dhe marrëveshjes së Minskut II, në 2015-ën – të cilën Rusia dhe aleatët perëndimorë të Ukrainës këmbëngulën se është rruga drejt zgjidhjes së konfliktit – krijon sfida të reja.

Zbatimi i asaj marrëveshje ka ngecur: Moska i’a vë fajin dështimit të Kievit për të zbatuar dispozitat politike. Kievi thotë se nuk mund ta bëjë këtë gjë ndërkohë që ndërhyrja Ruse dhe pasiguria vazhdon. Të dy palët vazhdojnë të shkëmbejnë zjarr nëpër vijën që ndan trupat ukrainase nga separatistët Rusë.

Megjithatë shteti Ukrainas mbetet I brishtë edhe në zonat ku Moska nuk ndërhyn direkt. Qeveria e presdientit Petro Poroshenko, nuk ka adresuar korrupsionin, si problemin rrënjësor të vendit. Shumë ukrainas po humbasin besimin në ligj, institucione dhe tek elita. Zemërimi me marrëveshjen e Minskut, të cilin ukrainasit e shohin si një marrëveshje me separatistët dhe Moskën, po rritet edhe në mesin e reformatorëve.

Duke patur parasysh këtë bllokadë diplomatike, propozimi për paqeruajtësit në Ukrainë nga Moska në Këshillim e Sigurisë së OKB në shtator 2017, erdhi si një surprizë. Ka shumë arsye për të dyshuar tek qëllimet e Rusisë. Përveç kostove të larta të përfshirjes, asgjë nuk sugjeron qëllimin e Rusisë për të ndalur uzurpimin e Ukrainës Lindore.

Megjithatë propozimi i Moskës, hap një dritare për Kievin dhe aleatët perëndimorë për të eksploruar se si paqeruajtësit mund të sigurojnë jo vetëm vijën ndarëse, por edhe kufirin Ukrainë-Rusi dhe të krijojnë kushte për zgjedhje lokale dhe ri-intergrimin e zonave të kapura nga separatistët. Përfshirja e Europës është shumë e rëndësishme për avancimin e negociatave paqeruajtëse dhe për promovimin e debatit në Ukrainë me qëllim ndalimin e retorikave nacionaliste kundër marrëveshjes së Minskut.

  1. Venezuela

Venezuela mori një tjetër kthesë të gabuar në 2017 pasi qeveria e Presidentit Nicolas Maduro e fundosi vendin me qëllim forcimin e pozitës së tij. Opozita ka dështuar. Perspektivat për një rivendosje paqësore të demokracisë duken gjithnjë e më të zbehta. Por me ekonominë në rënie të lirë, Maduro përballet me sfida të mëdha. Pritet që kriza humanitare të thellohet në 2018 teksa GDP-ja vazhdon të ulet.

Në fund të Nëntorit, Venezuela nuk mundi t’i paguajë një pjesë të borxhit ndërkombëtarëve. Sanksionet do të bëjnë ristrukturimin e borxhit gati të pamundur. Mbështetja Ruse duket se nuk do të mjaftojë ndërkohë që Kina nguron të hidhet në shpëtim të Maduros. Mospagimi i borxheve mund të sjellë sekuestrimin e aseteve jashtë vendit, dëmtimin e tregëtisë së naftës që zë 95% të të ardhurave nga eksportet në vend.

Demonstratat dhe protestat që lanë mbi 120 persona të vdekur në periudhën Prill-Korrik, pushuan pas zgjedhjeve të Korrikut të një Asambleje Kushtetuese të përbërë komplet nga aleatë të qeverisë. Zgjedhje të tjera për guvernatorë dhe kryetarë bashkie, sollën humbje të mëdha të opozitës. Por mungesa e ushqimeve, një sistem shëndetësor i rrënuar dhe përshkallëzimi i dhunës dhe krimit çuan në vazhdimin e protestave.

Ndërsa politikanët opozitarë mbajnë shpresat tek votimi presidencial, i planifikuar për në fund të 2018-ës, qeveria nuk ka gjasa të lejojë një votim transparent. Ata mund të organizojnë sondazhe, të përdorin taktika të shtypjes së votuesve që janë përdorur dhe më parë në zgjedhje lokale.

Nëse opozita tregon shenja përmirësimi, Maduro mund të kërkojë anullimin e zgjedhjeve duke pretenduar se rreziqet e jashtme kërcënojnë sigurinë e vendit. Një skenar më pak i mundshëm është që partia në pushtet të ndahet mbi çështjen se kush do të pasojë Maduron. Ndërkohë, shteti I brishtë Venezuelian do të vazhdojë të jetë një vend mikpritës i rrjeteve trafikante dhe kriminale, pastrimit të parave, trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore.

Parashikimi për vitin 2018 është përkeqësim i mëtejshëm, emergjencë humanitare dhe eksod i Venezuelianëve. Presion i qëndrueshëm nga brenda dhe nga ndërkombëtarët – së bashku me garantimin e imunitetit – do të jenë të nevojshme për të nxitur qeverinë drejt zgjedhjeve të besueshme dhe transparente.

Nga Robert Malley, Foreign Policy 

Lini nje pergjigje