Vettingu në Polici nis nga krerët, si do kalojnë në sitë 300 punonjësit që kanë funksione me grada të larta

0
145

Vettingu në Policinë e Shtetit është një nga objektivat kryesorë të ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2018. Në janar pr/ligji që i hap rrugë vlerësimit të figurës së punonjësit të policisë do i paraqitet Kuvendit për diskutim dhe miratim.

Javën e fundit të vitit 2017, ministri Xhafaj ka kryer një sërë takimesh me shoqërinë civile, me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Markun. Po ashtu, Xhafaj ka realizuar një sërë takimesh me krerët e Policisë në rretheve, siç ndodhi në Elbasan, si edhe me specialiste për të plotësuar draft-ligjin final, që do i paraqitet Kuvendit.

Sa i takon ligjit që do t’i propozohet Kuvendit për t’u miratuar në kuadër të Vettingut në Polici, Xhafaj ka nënvizuar se në këtë proçes do të përfshihet e gjithë trupa policore, duke nisur nga Drejtori i Përgjithshëm dhe duke vijuar deri tek punonjësi i fundit i Policisë së Shtetit.

Si do realizohet Vettingu në Polici

P/ligji synon të ndërtojë institucione të forta me profesionistë me integritet. Kriteret e vlerësimit për punonjësit e Policisë janë tre: integriteti, pasuria dhe profesionalizmi.

Ky model Vettingu, që synohet të arrihet përmes këtij pr/ligji, presupozon ndarjen në tre kategori të mëdha dhe zhvillimin e procesit me tre faza. Janë rreth 300 punonjës që kanë funksione me grada të larta që vlerësohen në fazë të parë, rreth 2500-3000 punonjës me funksione si grada të mesme, që vlerësohen në fazën e dytë dhe rreth 9 mijë punonjës të nivelit zbatues që vlerësohen në fazë të fundit.

Presupozohet që në fazën e parë, ata 300 punonjës me grada dhe funksione të larta të vlerësohen nga një Komision i Jashtëm Vlerësimi, i përbërë nga 15 anëtarë me prejardhje të ndryshme. Kur mbaron kjo fazë, ky organ, pra komisioni i jashtëm i vlerësimit pushon së ekzistuari dhe krijohet një organ i dytë vlerësimi për fazën e dytë, ku përveç 15 anëtarëve të komisionit të fazës së parë, rekrutohen edhe 30 anëtarë, shtesë që janë nga punonjësit të cilët e kanë kaluar vlerësimin me sukses në fazën e parë. Dhe kështu me radhë.

Kur vjen faza e tretë, komisioni i fazës së dytë pushon së ekzistuari dhe krijohet një komision tjetër, i madh gjithmonë, me 135 anëtarë, ku 90 anëtarë shtesë, pra 45 të fazës së dytë plus 90 anëtarë shtesë, rekrutohen gjithmonë nga punonjësit që kanë kaluar me sukses vlerësimin në fazën e dytë.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u shpreh për rëndësinë e procesit, duke e vënë theksin te paanshmëria e komisioneve të vlerësimit. “Pritshmëria e këtij procesi nuk konsiston vetëm në faktin se disa individë që nuk meritojnë nuk do të jenë më, se sa fakti se ata që janë shumica që do të mbeten në organizatë do të kenë besueshmërinë e nevojshme, por do të kenë edhe motivin e nevojshëm për të shërbyer në përbërje të kësaj organizate në zbatim të Kushtetutës, të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve”, tha ministri Xhafaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here