Përplasja me emrat, si zgjidhet leja e legalizimit

0

Gabimet me emrat dhe përplasjet e krijuara në jo pak raste kanë vënë në lëvizje Qeverinë në gjetjen e një zgjidhje pa dëmtuar qytetarët. Kështu, për të shmangur dërgimin e çështjes deri edhe në Gjykatë, Qeveria ka përcaktuar që në rastet kur lëshohet një leje apo kompensohet pronari i truallit, institucioni ka detyrimin që të verifikojë të dhënat e përfituesit kur ato nuk përputhen duke mos penalizuar asnjë nga palët e përfshira në proces.

Loading...

Ndryshimet janë konkretizuar dje, në miratimin e disa ndryshimeve në vendimin “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale”.

“Në rast se në listat e përfituesve, të miratuara me Vendime të Këshillit të Ministrave, konstatohen gjeneralitete të ndryshme të subjekteve nga ato faktike të tyre, atëherë ATP-ja ka të drejtë të verifikojë dhe të provojë, bazuar në të dhënat e përgjithshme të pasurisë dhe të trashëgimisë të marra në institucionet e treta, se gjeneralitetet e subjekteve përfituese janë të njëjta me ato të subjekteve të publikuara në listat e Vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave”.

Në mbledhjen e djeshme, Qeveria ka kaluar për miratim dhe vendimin për kalimin e pronësisë për 1380 familje, që kanë ndërtuar pa leje. Përfituesit janë të shpërndarë në 10 qarqe të vendit, përkatësisht në Dibër, Durrës, Tiranë, Korçë, Lezhë, Kukës, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Gjirokastër. Referuar tabelës zyrtare, pjesa më e madhe prej tyre janë të përqendruar në kryeqytetet.

Në vendim theksohen edhe një herë afatet për regjistrimin e pronës në Hipotekë. Për të shmangur vonesat, sikundër ka ndodhur gjatë kësaj kohe, Qeveria i ka vendosur zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme përballë detyrimit ligjor për të bërë regjistrimin e këtyre pasurive brenda 5 ditëve nga dita e publikimit të tyre në fletoren zyrtare.

Nga të dhënat zyrtare, deri më tani janë lëshuar 140 mijë leje legalizimi. Ndryshe nga parashikimet e mëparshme, në këtë fundvit kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, është shprehur më optimist, duke u zotuar për përmbylljen e këtij procesi brenda dy viteve që vijnë. “U deshën tre vjet që legalizimet nga një hall të kthehen në kujtim për mbi 140 mijë familje shqiptare.

Do të na duhen edhe dy vjet të tjerë që, edhe për familjet e mbetura, ky hall të bëhet kujtim”, ka shkruar Lame në rrjetet sociale duke përcjellë edhe urimin për festën e ndërrimit të viteve.

Loading...

Lini nje pergjigje