Analiza/ Gjekmarkaj: Basha i ka djegur mandatet me listën banale

0

NGA AGRON GJEKMARKAJ

Sali Berisha, me intuitën politike stërvitur skajeve të këtyre 27 viteve, gjeti një pretekst për të bërë një propozim të bujshëm. Ai, ditën kur votohej Prokurorja e Përgjithshme, pas pengesës që i bëri Garda për t’u ngjitur në foltore, një akt i rëndë ky, për të cilin Gramoz Ruçi kërkoi falje (pse jo me dinjitet), kërkoi që Opozita të digjte mandatet e saj të fituara nga zgjedhjet e 25 qershorit! Në dukje, gjithësa dukej si zemëratë ndaj këtij precedenti të pazakontë antidemokratik.

Por, a mjaftonte kaq pak për të hedhur benzinë në zemërimin permanent të Doktorit, politikanit, që opozitarizmin e ka në gen si frymë- marrjen? Sigurisht që jo. Ai, njëkohshëm, retorikën e tij të kalkuluar politike ia drejton sa Edi Ramës, po aq Lulzim Bashës, temperatura e të cilit rri gjithmonë 35 gradë, me shpresën se të parin e ysht në lëvizje të gabuara dhe të dytin në lëvizje të dobishme. Nuk ka pasur shumë sukses në këtë këndvështrim Berisha.

Ai e di që mandatet de fakto i dogji Lulzim Basha me listën më banale në historinë e PD-së, ku me 7 a 8 përjashtime, kryetari i qeshur në gaz e hidhërim, Lulzim Basha, i bëri ushtrime ekstreme logjikës, duke bashkuar në një grup kopukët dhe dudumët, sahanlëpirësit dhe leshkot, burrat e brishtë dhe gratë halldupe. Basha, kur pati mundësi për të zgjedhur, zgjodhi dhe spikati në banalitet. Dashuria e tij dhe modeli për të tjerët në PD, janë fiks ata që mori nga zgëqet asaj nate.

Ai duhej të bënte ndryshime. Në këtë pikë nuk zhgënjeu as më skeptikët. Kështu, la pa mend këdo që ka gjykim politik, me ata që largoi e me personazhet zëvendësuese. Lista e tij ishte shenja e qartë se një epokë ka vdekur përfundimisht në PD dhe në Shqipëri. Nuk u tregua novator. Plot thagmë, kopjoi Edi Ramën. Njësoi vendosi të shndërrohej në shef të njerëzve pa fytyrë, pa emër dhe pa identitet.

Kësisoj, shefi i Ekzekutivit dhe ai i opozitës së re në moshë, në pak vite, mbyllën çdo cikël liberalizmi për të projektuar veten si të padiskutueshëm. Rama përkohësisht ia ka dalë. Basha jo. Me gjithë mëshirën që të kaplon për të dobëtin për të mbyllur një sy, përsëri vullneti hyn në krizë dhe tenton vetëvrasjen. Mënyra si Basha bën opozitë, është depresive. Mënyra se si njerëzit e tij bëjnë opozitë, është sa mazokiste, po aq qesharake.

Qytetarët shqiptarë, të lodhur nga një qeverisje e keqe, ndoshta për herë të parë në këto dekada, kur kthejnë sytë nga përfaqësuesit e opozitës, e rrotullojnë kokën me shpejtësi ere duke mërmëritur, ‘zot na ruaj’, po sikur të fitonte PD, këta do ishin ministrat e Bashës? Ndokush i drejtohet dëshpërueshëm Allahut të tjerë Krishtit. Një mik hokatar bën dy pyetje. Si të duket Shqipëria 16 vjet me Aldo Bumçin deputet e ministër?

E dyta, po hyjmë në vitin e pestë dhe Shqipëria si duron që Aldo nuk është më ministër? E vërtitet i gjori mendim mbi personazhe të tjerë groteskë, që janë me shumicë në Grupin Parlamentar të PD. Këta do të ishin ministrat e Bashës? Ndokush, i regjur me eksperiencë me gjendën përreth tij, thotë po, me siguri, për këta duhet të luftojnë demokratët dhe të tjerët, të vrerosur nga Edi Rama? Këto janë pyetje 100 milionëshe. Kjo është oferta e Bashës.

Personalisht, bëj pjesë te “legjionarët”, që mbështesin më mirë një opozitë karikaturë sesa një qeveri arrogante të korruptuar dhe qartazi së fundmi, antiamerikane, po a kanë të gjithë doza kaq të larta misticizmi? Nga ana tjetër, Basha nuk po i jep asnjë përgjigje krizës së brendshme në PD, përveçse me deklarata të përsëritura me qindra herë nga viti 2013. Ai shpreson se skandalet e qeverisë mund ta ndihmojnë. E vërtetë, ato shndërrohen në aleatë të përkohshëm, por nuk e bëjnë më të mirë opozitën, problemet mbeten.

Asgjë e re nuk lulëzon asaj “gërmadhe”. Askush nuk duket asaj ane, që të bën të mbash frymën e të thuash ah po…ky duhet mbështetur se është dikush. Të dëbuarit gjuajnë nga jashtë, disa dukshëm në siklet për të ardhmen e tyre personale, preokupim ky më se human. Atyre, gjithashtu, u duhet kujtuar se aty qenë kur PD humbi thellë. Se aty qenë ndër vite të heshtur, kur duhej të flisnin. Por do të ishte paturpësi publike nëse nuk pohojmë se katër a pesë prej tyre janë më cilësorë, se pothuaj krejt grupi i Bashës marrë së bashku.

E prerë dhe e qepur në këtë mënyrë, opozita nuk frymëzon dhe nuk tërheq. Sali Berisha këtë e kupton më mirë nga të gjithë. I gjendur në mes të asaj kompanie rrondokope, që është Grupi Parlamentar i PD-së aktuale, më gjasë propozon një gjest “heroik” djegien e mandateve, tashmë të djegura. Në këtë mënyrë, kompaktëson bazën e partisë, e etur për pak ekstremizëm dhe së dyti, mund të rithemelojë PD-në dhe pse jo, çlirohet edhe vetë nga lehtësia e papërballueshme e idiotësisë përtej faktit në ka dorë a s’ka në të. Kështu, Sali Berisha propozon de jure për të kryer atë që Lulzim Basha bëri de fakto: djegien e mandateve të një liste kotësie./360grade.al/

Lini nje pergjigje