Me fol në dialektin tand nuk asht turp, por…

0

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

Që të jemi të qartë që në fillim nuk kam ndërmend të merrem me dialektet, mënyrën e përdorimit të tyre, a është më mirë ky apo ai dialekt për përdorimin në të folurën (folmen) e përditshme etj. Nuk kam ndërmend, pasi nuk jam specialist i kësaj fushe kaq interesante por krejt të panjohur për mua. Çështja e dialektit mua kujtua kur një hierark i lartë i shtetit shqiptar siç është Ministri i Jashtëm dhe i Evropës, gjeti rastin të shpaloste njohuritë e veta mbi gjuhën e vendit nga vjen pikërisht në një rast nga më tragjikët që kalonte dhe mund të kalojë një familje: Humbja e djalit të vetëm.

Si kurrë më parë ministri foli dialektin (që i ka hije ta përdorë gjithnjë në jetën e përditshme jozyrtare, por që kishim kaq kohë që nuk e kishim dëgjuar dhe që për hir së të vërtetës nuk besoj se mund ta dëgjojmë më, përveç ndonjë fushate elektorale.

Por a gjeti ministri rastin e duhur për të shpalosur njohuritë e tij mbi dialektin e një nga qyteteve më të njohura për kulturën dhe trashëgiminë e pasur që ai ofron?

Në këndvështrimin qytetar mendoj se ishte rasti më i gabuar, më i pa përshtatshëm, për të treguar vendin e origjinës, përpara bashkëqytetarëve, të tu me të cilët të ndajnë dekada të tëra pa u takuar e pa kontribuar për ta. Deputet fare i freskët i qarkut të Shkodrës, dy herë deputet në Tiranë prej vitit 2009-2017, Bushati, kërkon të tregojë se nuk ka harruar rrënjët e tij, duke përdorur dialektin e qytetit ku ka lindur. Kjo nuk do të ishte aspak një gjë e keqe. Pas shumë kohësh në kryeqytetit dhe me aktivitete të dendur jashtë vendit, e ka kap malli për qytetin dhe është kthyer për të marrë vota në “këmbim të shërbimit më të mirë” ndaj qytetarëve të vet. Madje edhe dalja krejt e ngrysur dhe me një të folme po ashtu krejt të rrjedhshme dialektore në prag të derës që kishte mort, nuk duhet marrë si një mëkat. Mëkati më i madh është se deputeti i Shkodrës, njëkohësisht Ministër i Jashtëm dhe i Evropës, i qëlloi që një bashkëqytetar, votues, taksapagues, kontribuues i qytetit ku ka marrë votat, humb jetën tragjikisht në një kamp azilantësh, në një vend të huaj ku kishte shkuar falë politikave të qeverisë ku bën pjesë dhe ministri në fjalë. Ministri Bushati këtë ngjarje të dhimbshme, që ka kapluar mbi ndjesitë e gjithë opinionit publik e merr vesh gati i fundit prej drejtëve (siç do të shprehej vetë ai në dialekt). Pra detyrimin që ka Ministria e Jashtme, për t’u kujdesur për shtetasit e saj jashtë vendit, ky institucion dhe ministri me “rrënjë” të thella në vendlindje e merr vesh rastësisht, i fundit ndër njerëzit e këtij vendi dhe po rastësisht e kupton pas disa ditësh se flitet për një të ri nga qyteti i tij!? Të jenë të gjitha rastësi? Mundet. Asgjë nuk përjashtohet, edhe pse nuk jemi në një skenar thriller, por ama ministri-deputet nuk harron të premtojë gjithçka në emër të shtetit, pasi në fund të fundit lekët që shteti i quan si të veta, do t’i paguajë nga taksat tona dhe të familjes së të ndjerit. Ai shfaqet tejet i pezmatuar para kamerave dhe mban një fjalë “prekëse”, “të ndjerë në maksimum” dhe në dialekt të vendit të vet. “Me kenë shkodran të tana i ban”, por këtë hipokrizi, duhej ta kursente në një rast të tillë. Ministri duhej të shkonte me një ndjesë të thellë tek familja, për arsyen e vetme, se qeveria ku ai bën pjesë prej 4 e kusur vitesh e shtyu drejt fatit të zi bashkëqytetarin e vet. Duhet të kërkonte falje që ende edhe sot nuk ka dërguar qoftë edhe një specialist të rangut të ulët të Ministrisë së Jashtme në Marsejë, për të marrë një informacion të plotë e të hollësishëm, se çfarë i ndodhi bashkëqytetarit të tij, të tregojë në mënyrë konkrete se cilat janë masat që do të marri ndaj indiferentizmit, të pajustifikuar të ambasadës dhe kreut të saj në Paris.

Në çfarëdo dialekti ta bënte këtë, gjithë shqiptarët do ta kishin kuptuar. Mbase nuk do ta falnin për neglizhencën e treguar të shtetit, por do të tregoheshin më bujar në gjykimin ndaj deputetit-ministër, qeveria e të cilit e braktisi në fatin e vet Florencin.

Nuk mjafton dialekti për të qetësuar shpirtrat e trazuar e gati në shpërthim të rinisë shqiptare brenda e jashtë vendit, për mundësitë e pakta në kufijtë zero që dheu amë ju ofron për shkak të politikave të mbrapshta qeveritare. Nëse në këtë ngjarje fatkeqe, nuk do ishte dikush që do të kishte postuar një video, me siguri Bushati i pari dhe pastaj opinioni, as që nuk do ishin ndërgjegjësuar. Madje do ta kalonin në një heshtje me shprehjen e njohur “larje hesapesh”, duke përdhosur e vrarë për të dytën herë djaloshin 23 vjeçar.

Por a është rasti i djalit nga Shkodra, një fenomen i izoluar?

Për këtë mistri Bushati, duket të flas pastër e qartë, pa u sforcuar në përdorimin e dialektit. Duhet të na japi saktësisht sa është shifra e atyre që ndodhen në kampe, që janë integruar në shoqëritë e vendeve evropiane, që presin të ekstradohen, që janë të pasigurt, ty dëshpëruar deri në marrjen e  vendimeve ekstreme. Duhet të na tregojë se sa herë gjatë tureve të tij jashtë vendit si dhe të kolegëve e tij qeveritar, punonjësve të MPJ, ambasadave dhe zyrave konsullore, janë bërë vizita tek këta qytetarë shqiptar, si një detyrim kushtetues, për të ndjekur dhe monitoruar situatën e tyre jashtë vendit? Ministri duhet të jetë i gatshëm, të na shpalos se cilat janë masat, plani i veprimit, që ai do t’i mbushi mendjen tëpashpresëve, kryesisht të rinj se vendi i tyre ofron disa mundësi për ta. Ministri duhet të na tregojë më tej se cili është plani i tij dhe i qeverisë për riintegrimin e personave që deportohen nga vendet e Bashkimit Evropian dhe kthehen në vendlindje? Cilat janë mundësitë e shkollimit, punësimit, kreditimit për hapjen e një biznesi etj.? Këtë Ministri Bushati mund të na i thotë pa ngut, pa droje, pa frikë, pa dialekt, pa stërmundim duke mësu e kuptu mandej, se qeverisja nuk është privilegj, por përgjegjësi. Madje mund të na tregojë nëse qeveria ku ai bën pjesë, përveç ambasadave e mbledhjeve të përbashkëta me qeverinë e Kosovës, takimeve të përzemërta me Vuçiç, në “shërbim të interesit kombëtar”, do të merret ndonjëherë gjatë punës së saj edhe me situatën e emigrantëve, të krijuar në shumicë prej “reformave shtet formuese” të marra nga kjo qeveri.

Pas kryerjes së këtyre detyrimeve që detyra ja kërkon, pas kryerjes së detyrimeve ndaj qytetarëve që i besuan votën, ministri-deputet, mund të shkojë e të flas në dialekt të qytetit të vet, sa herë dëshiron. Të rrëmbejë mikrofonin e të këndoj çfarë i do zemra. Të lumturojë përkrahësit e tij me fjalët e hershme që përdoren në qytet. Mund t’i bëj të gjitha këto edhe thjesht për të shtuar ca vota, me justifikimin se kjo është politika dhe ai vetëm sa i përshtatet kushteve dhe mjedisit ku ajo zhvillohet.

Por më parë të ketë kujdes dhe përgjegjshmëri morale dhe qytetare, për çdo veprim, ndaj votuesve të tij dhe shqiptarëve që e paguajnë me taksat e tyre. Nuk më intereson fjalori dhe dialekti që zgjedh ministri-deputet (i cili në përputhje me Kushtetutën e vendit duhet të përdor gjuhën zyrtare). Më intereson shumë të dijë nga ai dhe kolegët e tij: Kush po i çon të rinjtë drejt fatit të panjohur në rrugët e Evropës e një pjesë u kthehen kockat në qeset e zeza, apo të tjerë bëjnë udhëtimin e fundit të mbyllur në një arkivol hermetik?

Lini nje pergjigje