Taksisti rrëfen momentet e dhunës: Më futën në bagazhin e makinës sime dhe…

0
266

U nis nga Durrësi për të dërguar dy të rinj me taksi për në qytetin e Vlorës, e dhunojnë dhe i marrin automjetin gjatë rrugës.

Viktima e kësaj ngjarjeje është taksisti Bujar Elezi, i cili ka përjetuar një natë tmerri, ku sipas deklarimeve të tij dy autorët e kanë futur me dhunë brenda në bagazhin e makinës për rreth 30 minuta.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës në aksin rrugor Levan-Vlorë. Ka qenë vetë shoferi i taksisë, 48-vjeçari Elezi, i cili i ka telefonuar policisë dhe e ka lajmëruar për atë që kishte ndodhur.

Pasi është nisur nga Durrësi, rreth orës 12:00 të mbrëmjes, bashkë me dy të rinjtë, pasagjerët janë treguar të sjellshëm deri në momentin kur kanë mbërritur pranë autostradës Levan-Vlorë. Pikërisht në këtë segment, të rinjtë kanë ushtruar dhunë fizike mbi taksistin duke e futur më pas në bagazhin e automjetit të tij.

Më pas, një prej autorëve ka marrë drejtimin e taksisë dhe kanë udhëtuar drejt fshatit Bunavi dhe Kërkovë. Pasi kanë ndaluar makinën, autorët e kanë nxjerrë nga bagazhi dhe pasi kanë ushtruar sërish dhunë fizike mbi të, janë larguar duke i marrë makinën. I mbetur në mes të rrugës, Elezi ka kërkuar ndihmën e policisë.

Uniformat blu, pasi mbërritën në vendin e ngjarjes, e kanë gjetur 48-vjeçarin në rrugë pranë fshatit Kërkovë. Ka qenë policia ajo që e ka shoqëruar drejt spitalit rajonal të qytetit të Vlorës, ndërsa ka shpallur në kërkim dy autorët e ngjarjes së rëndë.

Ndërkohë mësohet se, pasi ka marrë ndihmën mjekësore, taksisti Bujar Elezi është larguar në drejtim të qytetit të Durrësit, ndërsa mjekët e spitalit rajonal të qytetit të Vlorës kanë konfirmuar se e kanë lejuar 48-vjeçarin që të largohet, pasi ky i fundit ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

Nga mjekët mësohet se Elezi kishte marrë disa plagë në trup, por që nuk ishin serioze. Ndërkaq, burime nga grupi hetimor kanë nisur hetimet për këtë ngjarje, ndërsa puna e parë ka qenë marrja e deklarimit nga vetë 48-vjeçari Elezi.

Shoferi i taksisë ka treguar se dy autorët i kanë kërkuar që t’i dërgojë drejt qytetit të Vlorës. Historia ka nisur në mesnatë në qytetin e Durrësit, ku Elezi, pasi nuk ka vërejtur asgjë të dyshimtë në kërkesën e të rinjve, ka pranuar të kryejë udhëtimin e gjatë.

Pasi kanë udhëtuar për rreth më shumë se dy orë, ndërsa po hynin në autostradën Levan-Vlorë, dy të rinjtë i kanë kërkuar të ndalë automjetin dhe më pas kanë nisur ta dhunojnë fizikisht.

Më pas e kanë kapur të dy peshë dhe me forcë e kanë futur në bagazhin e automjetit, në mënyrë që gjatë rrugës të mos binin në sy të udhëtarëve të tjerë. Elezi ka deklaruar se nuk kishte njohje të mëparshme me të rinjtë dhe se ishin thjesht pasagjerë të rastësishëm.

48-vjeçari nuk ka dhënë më shumë detaje, përveçse ka bërë një përshkrim të pamjes së tyre, ka dhënë dhe targën e makinës së tij për të bërë të mundur identifikimin. Në hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje, Policia e Vlorës po bashkëpunon me policitë e qyteteve të Gjirokastrës, Fierit dhe Durrësit./Panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here