Opozita dhe fryma e drejtësisë

0
198

Nga Feti ZENELI

Zgjedhja e Arta Markut në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, vetëm me votat e deputetëve të Partisë Socialiste, zyrtarët kryesorë të së cilës hyjnë e dalin sot në dyertë e organit të akuzës për dosjet e korrupsionit dhe krimit qeveritar, duket se e ka shtyrë opozitën drejt vendimarrjes unanime për nisjen e një vale protestash popullore, në ditët e para të vitit 2018, për të mos lejuar një parlamentarizëm fasadë.

Sipas kreut të PD-së, z. Lulzim Basha, me një veprim të tillë mazhoranca dëshmoi, se Parlamenti i dalë nga votat e blera të 25 qershorit, u deligjitimua plotësisht, në një kohë që pritej fillimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi, pas gati tre vjetë përpjekjesh të shumta kombëtare e ndërkombëtare për miratimin e saj, duke rrezikuar në këtë mënyrë; stabilitetin, demokracinë dhe integrimin europian të vendit. Reagimi opozitar është më se i përligjur, ndërkohë që fryma e drejtësisë ka filluar të ndjehet kudo.

Nëse arsyetimin filozofik të thënies së Bertold Brehtit, ku drejtësia cilësohet, si “shpresa e të varfërve”, pasi “të pasurit mbarojnë punë me padrejtësinë”, do ta përdornim në kontekstin tonë politik, dhe konkretisht për rastin e zbatimit të Reformës në Drejtësi do t’na rezultonte, se ajo duhet të jetë shpresa e njerëzve pa pushtet; pra e opozitës demokratike. Kur përmendim fjalën “opozitë”, më shumë se sa një stukturë të caktuar politike, kemi parasysh lirinë apo “frymën e së vërtetës”, të cilën shkrimtarja franceze, Simona Veal e përcaktonte si “një dhe e pandarë” me “frymën e drejtësisë”.

Janë të njohura botërisht, përpjekjet dhe kontributi i veçant i opozitës së djathtë parlamentare për miratimin sipas rekomandimeve të “Komisionit të Venecias” të Reformës në Drejtësi, por problematika e zbatimit të saj duket sikur sapo nisi, me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Shkaku i këtij ngërçi ka të bëj, veç të tjerash, me vështirësitë  e krijimit të strukturave përkatëse për zbatimin praktik të saj, dhe konkretisht me KLP-në. Ashtu si çdo stukturë tjetër e Reformës në Drejtësi, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë u konceptua dhe u krijua sipas “lojës kungulleshka”.

Besoj,  të gjithë e kemi parasysh, qysh nga fëmijëria këtë lojë: “Kam një kungulleshkë, dhe do ta ndaj në dy pjesë. Po, pse dy? Po, sa? Tre! Po, pse tre? Po, sa? Katër! Po, pse…?, e kështu me radhë”. “Kungulleshka” e KLP-së është parashikuar të luhet me 11 “lojtarë”, por “de facto” në fushë kanë dalë vetëm 10 prej tyre. Mungon lojtari i Shoqërisë Civile, që të kompletohet skuadra. Ky lojtar mungon prej javësh, dhe asgjë e sakt nuk dihet, se kur do t’u bashkohet shokëve. Por mungesa e tij, në një moment kaq deçiziv për shtetin e së drejtës në Shqipëri, sikundër është ky i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, mund t’i kushtoj skualifikimin e turpshëm Reformës në Drejtësi.

Sipas perifrazimit të mësipërm të Bertold Brehtit, që është tepër aktual për moralin e demokracisë shqiptare, mazhorancës socialiste apo “kanabiste”, siç etiketohet rëndom, këto kohët e fundit, nuk ka ç’i duhet drejtësia, sepse mbaron punë “me padrejtësinë”. Ja, ashtu siç bëri me Tahirin e shokët e tij. Opozita parlamentare me në krye Partinë Demokratike, për të cilën mungesa e drejtësisë, është mungesa e shpresës për të vërtetën; pra mungesa e shpresës për të ardhmen, po bën një luftë të pashembullt politike, duke u përplasur edhe me “miqtë ndërkombëtarë” të qeverisë, por nuk arriti ta ndal zgjedhjen e Kryeprokurorit shqiptar, që u bë vetëm me votat e deputetëve socialistë; pra në kundërshtim me Kushtetutën. Ndërkohë, mazhoranca vazhdon qetësisht në rrugën e nisur për të mbaruar punë “me padrejtësinë” e kartonit parlamentar të shumicës, madje duke synuar, që me këtë mënyrë, ta bëjë vendin kandidat për anëtar të BE-së, ndërkohë që siç thotë bamirësja Kolete, qysh në shekullin e 14-të: “Drejtësia i nevojitet një populli, mbase më tepër, edhe se qytetërimi”. Por paralajmërimet e opozitës për organizimin e protesave të fuqishme demokratike kundër këtij “puçi kushtetues”, siç e quan ajo me të drejtë, zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm, pa vetting dhe me shumicë të thjeshtë votash në Parlament, nuk janë “e vërteta në veprim”, siç e cilësonte drejtësinë, filozofi i njohur francez, Zhozef Zhuber.

Nga ana tjetër, siç ka rezultuar edhe në të shkuarën, protestat, si forma të ushtrimit të demokracisë nga qytetarët, kanë filluar, që këto vitet e fundit, të mos japin më rezultat në terrenin shqiptar. Po, atëherë, ç’duhet bërë, mund të pyes dikush në mënyrë retorike, të bëhet marrëveshje politike me mazhorancën, siç kërkon kryeministri? Jo! Të gjendet zgjidhja e duhur, duke e vrarë mendjen dhe jo duke lodhur fytin; siç u bë me “Çadrën”, fjala vjen, në fillim të këtij viti, pavarësisht se dhe ajo ishte një lloj proteste, por rrëzoi gjysmën e qeverisë, ama, duke filluar me Ministrin Tahiri. Ndërkohë opozita duhet të njoh më mirë forcën e radhëve të saj, pasi janë mbi 100 parti politike në këtë krah, që duhen bashkuar “pa dallim feje, krahine dhe ideje” nën flamurin e shpresës, për një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë. Fjala këtu, nuk është për t’u bashkuar në tryeza politike, po për t’ju bashkuar zgjidhjeve reale dhe efektive, që mund të jepen në këto raste, duke treguar vëmendje e vlerësim maksimal ndaj çdo propozimi, që vjen në krahun opozitar. “Aftësia për të vlerësuar paraprakisht reagimin shoqëror ndaj veprimeve të ndryshme, formon thelbin e sukseseve politike”, thoshte dikur Karl Libkneht.

Parë në këtë këndvështrim, vlerësimi paraprak i reagimit shoqëror nga opozita është jo vetëm nuhatje politike por edhe ofertë besimi për zgjedhësit shqiptarë. Vënia e të drejtave qytetare në plan të parë, po aq sa tregues i emancipimit politik është edhe tregues i besimit tek një e ardhme më e mirë për të gjithë në gjirin e familjes europiane, aty ku duhet të kishim qënë prej kohësh.

Pozicioni i mazhorancës sërish në llogoren e vjetër të luftës politike, pa e vrarë fare mendjen për zgjidhje ligjore të çështjes, përveçse rrezikon që ta fus vendin në kaos, bllokon edhe implementimin e Reformës në Drejtësi, pasi siç dihet, nga mos krijimi i KLP-së pengohet krijimi i SPAK-ut dhe BKH-së, që do të luajnë rolin e njësisë hetimore të korrupsionit dhe krimeve të rënda. Opozita e kishte paralajmëruar me kohë, se kur të vijë momenti i zbatimit të Reformës në Drejtësi, do dalë në sipërfaqe problematika e keqhartimit të qëllimshëm të saj nga shumica socialiste, për të mos lejuar dhe për të mos u përballur asnjëherë vetë me drejtësinë e vërtetë në këtë vend.

Me sa duket, kemi të bëjmë me një Reformë në Drejtësi, “… si rrjeta e merimangës, që kap mizën dhe lë të kalojë skifteri”, siç thonë spanjollët, sepse është një drejtësi që nuk fillon nga vetja për të mbërritur, në fund, tek një drejtësi për të gjithë. Sipas Ciceronit, “egzistojnë dy norma të drejtësisë: së pari, të mos dëmtosh asnjeri, dhe, së dyti, t’i sjellësh dobi shoqërisë”. Por këto dy norma të shenjta të një drejtësie të vërtetë, që janë shinat ku ecën treni i zhvillimit ekonomiko-shoqëror të çdo vendi demokratik, nuk po shtrohen si duhet në realitetin shqiptar, të këtyre kohëve të fundit. Inicimi para tre vitesh i Reformës në Drejtësi u pa si një mundësi për shtrimin e këtyre shinave edhe në vendin tonë, por ngjarjet që pasuan miratimin dhe zbatimin e saj praktik, treguan se parimin “të mos dëmtosh asnjeri”, socialistët e zvendësuan me “të mbrosh vetveten”, dhe atë për “t’i sjell dobi shoqërisë”, ndoshta me, për “t’i sjell dobi partisë”, që është aktualisht në pushtet. Nga ana tjetër opozita, si mbrojtëse e paepur e interesit publik duhet të nxjerrë “mësime edhe nga pësimet” që i kanë ndodhur në të shkuarën këtij vendi nga një drejtësi me vese politike, pavarësisht se në parim ajo duhet të jetë “virtyti më i lartë”, siç na mëson Ciceroni. Dhe siç dihet, mbrojtja e interesit publik, nuk mund të bëhet pa qënë vetë i drejtë dhe i vërtetë.

Nëpërmjet një sjelljeje të tillë, opozita duhet të synojë që t’i bëjë njerëzit për vete, duke u përpjekur t’u ngulis atyre në mendje, se politika dhe posti publik janë vende sakrificash për të mirën e përgjithëshme të qytetarëve të thjeshtë dhe jo “vënde pëllumbash” për përfitime të shtetarëve. Kësisoj, sipas saj, rruga e vetme drejt pushtetit politik, duhet përshkuar me ndershmëri dhe duke e mbajtur ballin lart. Nga ana tjetër, kjo është rruga e vetme për të bërë shtet, i cili kurrësesi nuk mund të tregojë forcën e vetë duke u marrë shpirtin njerëzve të thjeshtë apo binzesit të vogël.

Shteti i vërtetë ligjor fillon të funksionojë kur objekt i hetimit, gjykimit dhe ndëshkimit, bëhen “të fortët” e politikës, biznesit dhe banditët e të gjitha niveleve. Vetëm në këtë mënyrë, qytetarët shqiptarë do dëgjojnë shumë shpejt për vendime gjykatash të formës së prerë, ku “iks” president, kryeparlamentar, kryeministër, ministër apo çfardo lloj zyrtari tjetër i lartë u prangos për shkelje të ligjit, keqqeverisje, favorizime dhe abuzime me fondet publike, etj., dhe u dënua me shumë vite burg, duke ju sekuestruar njëkohësisht edhe pasuritë e paligjshme, siç ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht në Rumani e Kroaci.

Po për të mundësuar një drejtësi të tillë duhen mobilizuar të gjitha burimet e duhura njerëzore, teknike dhe financiare në shërbim të hapjes së një faqeje të re për shtetin ligjor në Shqipëri, në përputhje me standardet që pritet të arrihen nga një vend i cili aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Krijimi i një kuadri ligjor modern penal duhet të prek dhe vet trupën gjyqësore, për të mos mbetur tek morali i shprehej: “Bëni si them unë e mos bëni si bëj unë”. Për këtë, më shumë se sa të ulin kokën për të parë “orën e shtenjtë” që mbajnë gjyqtarët në dorë, siç thotë ambasadori Lu, të ngremë nivelin europian të legjislacionit tonë, duke bërë ligje të ashpëra për të luftuar korrupsionin, papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë profesionale të tyre.

Europa dhe bota, këto standard i kanë sanksionuar me kohë. Mjafton të kujtojmë një nen nga Kodi i Hammurabit, rreth 3760 vjetë më pare, në të cilin thuhej: “Nëse një gjyqtar që shqyrton një rast, merr një vendim që e paraqet me shkrim, nëse më vonë i rezulton i gabuar, për faj të tij, atëherë ai duhet të paguaj 12-fishin e gjobës që pati vendosur në gjykim, dhe hiqet publikisht nga posti i gjyqtarit, dhe asnjëherë më nuk do të japi gjykime”. Europa këtë lloj përgjegjësie e ka dokumentuar qysh me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kurse Gjykata jonë Kushtetuese e rrëzoi propozimin ligjor për një sanksion të tillë ndaj gjyqtarëve, duke arsyetuar, se për këtë shkelje kemi “shpërdorimin e detyrës”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here