Analiza e Andi Tepelenës: Ministria e Kulturës, e sheh artin dhe kulturën si mjet propagande

0
322

Jeta kulturore përgjatë vitit 2017 është përballur me shumë probleme. Edhe pse ka pasur një rritje të aktiviteteve kulturore dhe një gjallëri në këtë aspekt, nuk kanë mbetur pas dhe problemet. Sektori ka një paqëndrushmëri të theksuar. Mbështetja nga fondet publike dhe private janë gjithnjë e më shumë me pikatore. Ajo që shihet sot është se përballë pasionit dhe punës së artistëve, nga Ministria e Kulturës gjithmonë e më pak ka vëmendje. Festivale me dimension ndërkombëtar që shuhen apo mezi mbijetojnë, projekte që financohen gjithmonë e më pak nga buxheti që ndan Ministria e Kulturës, problemet e theksuara në fushën e trashëgimisë kulturore kanë shoqëruar edhe këtë vit jetën artistike dhe kulturore. Menaxher kulture, kurator dhe përfaqësuesi i Skenës së Pavarur të Artistëve vjen në këtë intervistë për gazetën “Standard” për të folur rreth situatës së artit dhe kulturës në vitin 2017, ku kemi prekur të gjitha sektorët në kulturë. Gjithashtu Tepelena ka folur se çfarë duhet bërë për të ndryshuar situatën dhe gjendjen kulturore sot.

Intervistoi: Irini Meçe

Jemi në përfundim të vitit 2017. Sipas jush si ka qenë gjendja e artit dhe kulturës përgjatë këtij viti?

Duket sikur gjithmonë ankohemi dhe gjërat shkojnë gjithmonë keq, por në të vërtetë ka një lloj gjallërie në Tiranë me aktivitete kulturore, kjo falë pasionit dhe vullnetit të operatorëve kulturorë në tregun e artit dhe kulturës. Por nëse bëjmë njëfarë analize për punën e institucioneve, shohim që fatkeqësisht vazhdojnë vuajmë nga të njëjtat probleme. Nuk mund ta mohoj që ka pasur disa shfaqje të mira në Teatrin Kombëtar,por Teatri vazhdon të vuajë ende nga mungesa e dramës shqipe. Kurse trashëgimia kulturore ka pasur probleme më të rënda këtë vit. Po përmend ndërtimin tek Parku i Butrintit ku ka pasur një mungesë totale transparence në lidhje me një ndërtim i cili shkel kategorikisht konventën e Unesksos dhe ligjin  Shqiptar për trashëgiminë kulturore. E njëjta situatë, ose më mirë të themi i njëjti skenar, ku nuk merren për bazë ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ka ndodhur në Durrës me projektin“Veliera”, ku u betonizua zona arkelogjike, në shkelje flagrante mbi ligjin për zonat e mbrojtura.Ligji për trashëgiminë kulturore ka qenë i paqartë, i komplikuar dhe i pakonsultuar me grupet e interesit dhe specialistët e fushës.

Një problem tjetër gjatë këtj viti ka qenë situata e Cirkut Kombëtar, që në një mënyrë arrogante dhe të papritur u dha një urdhër që Cadra e Cirkut të hiqej prej aty. Por u desh rezistenca e vetëartistëve, e cila bëri që ata të qëndronin sërish aty ku artistët japin shfaqje për fëmijët prej dekadash.

Galeria e Arteve ka pasur një kalendar interesant, veçanërisht ekspozitat e artit bashkëkohor. Por problemet juridike me atë institucion që ende vazhdon të ketë një status të dyfishtë midis ‘Galerisë së Artit’ dhe ‘Muzeut të Artit’, reflektojnë paqartësinë dhe mungesën e vizionit të politikbërjes kulturore me atë institucion dhe në përgjithësi për institucionet e tjera muzeale në vend. Sektori muzeal vazhdon të vuajë nga një mungesë strategjie dhe keqmanaxhim. Ende nuk po arrin të fusë metoda bashkohore të menaxhimit. Produkti dhe cilësia e vizitueshmërisë mbeten për fat të keq ende shumë larg ofertës dhe praktikave më të mira muzeale për publikun sikurse nuk është atraktiv për turizmin kulturor.Për këtë lipset një strategji  dhe kuadër ligjor që rregullon statusin juridik të tyre, autonominë financiare. Muzeumet duhet të unifikohen në rrjet, në mënyrë që të ndihmojë aksesin e audiencës ‘on-line’.Gjithashtu për të përmirësuar situatën e menaxhimit, lipsen njerëz të mirë-arsimuar dhe trajnuar, dhe fonde që të sigurojnë ruajtjen e objekteve dhe veprave sipas standartave të duhura, dhe promovimin e tyre pasi po degradojnë me kalimin e kohës. Eshtë bërë një punë e mirë për regjistrimin elektronik të biletave, e cila bën të mundur formalizimin, shmagien e abuzivizmit dhe transparenën. Një tjetër shembull pozitiv ka qenë dhe krijimi i Muzeut “Marubi” në pedonalen e Shkodrës me parametra bashkohorë menaxhimi dhe vizitueshmërie.

Një shqetësim tjetër që ka vazhduar edhe përgjatë këtij viti ka qenë mungesa e strukturave për të mbështetur artistët e rinj.

Këtu kemi një problem me mentalitetin e politik-bërësve tanë. Për shembull Skena e Pavarur Kulturore, e cila ka si prioritet të vetin ka dhe angazhimin e të rinjve në tregun e kulturës, më shumë se sa një partnere shihet si konkurrente e institucioineve shtetërore të Kulturës. Kjo vjen nga një mentalitet i vjetër dogmatik që hapjen e kulturës ndaj tregut e sheh më shumë  si problem se sa mundësi. Skena e Pavarur Kulturore ka si mision kryesor t’a fusë artin dhe kulturën në shinat e tregut në mënyrë që të ketë një pavarësi sa më të madhe nga fondet publike dhe tu japë mundësi të rinjve krijues, artistëve, menaxherë të operojnë pranë insitucioneve kulturore të pavarura. Kurse institucionet kryesore të kulturës, in primis, Ministria e Kulturës, e sheh artin dhe kulturën si mjet propagande.

Gjithashtu kemi një mungesë transparence për sa i përket projekteve artistike. Ende  nuk bëhet publik fondi për projektet kulturore, nuk jepet një informacion në faqen e internetit të Ministrisë.E dyta nuk ka  një listë prioritetesh të sektorëve kulturorë. Kjo vjen për faktin se ka një problem komunikimi me Ministrinë e Kulturës nuk konsultohet me grupet e interesit. Drejtuesit e saj nuk e kuptojnë që ëshë Ministria e artistëve dhe jo e zyrtarëve apo militantëve partiakë të punësuar.

Ju në një shkrim keni theksuar se rritja ekonomike vjen nga rritja kulturore dhe anasjelltas. Sa vend ka zënë pikërisht kjo gjë këtë vit?

Sigurisht që kur ka rritje ekonomike ka dhe rritje kulturore, sepse në një farë mënyre kultura pasqyron zhvillimin ekonomik. Është njëlloj si një sipërmarrës i cili është në gjendje të mirë ekonomike, por për ‘status’ shoqëror investon në art dhe në kulturë. Kështu është dhe shteti në konceptin modern të tij. Mos harrojmë që arti dhe kultura janë imazhi i një shteti. Ne kemi një fond nën nivelin e 0.5%  të Prodhimit të Brendshëm Bruto, (PBB), i cili është më i ulti jo vetëm në rajon por dhe në gjithë Europën, ndërkohë që nevojat dhe dinamikat kulturore janë shumë herë më e larta. Investimi në kulturë e bën jetën ekonomike shumë me dinamike. Rreth ngjarjave kulturore punësohen më shumë të rinj, përftotjnë shërbimet rreth ngjarjeve kulturore, e bën më atraktiv qytetin për vizitorët e huaj.  Në këtë aspekt iniciativat për industrinë krijuese do të ishin çelsi i suksesit për rritje të qëndrushme kulturore që sjell direkt rritje të numrave në punësim dhe të ardhura.

Pse mendoni që ka një mungesë vëmëndje nga Ministria e Kulturës apo dhe nga institucionet kulturore?

Kjo i ka rrënjët në trashëgiminë komuniste të polit-bërësve të kultuërs. Në komunizëm kultura është parë si mjet propagandë dhe lavazhi të trurit, dhe për këtë investoheshin shuma të mëdha .Çdo vepër që krijohej shkonte gjithmonë kah kësaj qasjeje. Kurse me hapjen e Shqipërisë pas viteve 90’, kultura e ka humbur rolin e saj parësor propagandistik, duke iu përshtatur ligjeve të tregut sipas parimit kërkesë/ofertë. Cilësinë artistike tashmë nuk e vendosin organizmat e partisë, por tregu. Në këtë aspekt edhe administratorët e kulturës të cilët për fat të keq trashëgojnë një mentalitet të vjetër e shikojnë kulturën si një problem që rëndon buxhetin e shtetit dhe jo si një oportunitet rritjeje ekonomike dhe punësimi. Pritej diçka më ndryshe nga Kryeministri Rama duke qenë se është edhe vetë artist, por ai Ministrinë e Kulturës e sheh si ‘Ministria e Eventeve Qeveritare’. Nuk mbështet prodhimin e artit dhe kulturës së pavarur që do të nxisnin krjimtërinë veçanërisht tek të rinjtë. Sot akoma nuk kemi një fond për krijmtarinë. Artistët e rinj nuk orientohen dot pasi mbarojnë akademitë,  nuk sigurojnë kurrëfarë mbështetje. Industria krijuese, një koncept komplet i paqartë për drejtuesit e Ministrisë së Kulturës, mund të bëhet nje nga sektorët me vitalë të ekonomisë shqiptare. Mjafton të përmendim faktin që industria krijuese në Europë zë vendin e katërt, nder sektorët e tjerë, për nga rritje ekonomike.

Në gjykimin tuaj çfarë ndryshimesh pozitive dhe negative ka pasur Ministria e Kulturës gjatë këtij viti?

Një gjë pozitive në dukje, më duket programi“Edukimi nëpërmjet kulturës”,çka bën të nxisë rritjen e audiencës kaq shumë të nevojshme në fushën e artit dhe kulturës. E rëndësishme  mos të mbetet thjeshtë një nismë që shërben për qëllimet propapandistike të politikës së ditës.

Personalisht jam i mendimit që kishte ardhur koha për rikonstruksionin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit,tashmë me një infrastrukturë të degraduar, pasi kështu do t’i japë një prestigj atij institucioni. Sikurse jam tejet kritik për mungesën e një proçesi te hapur këshillimi konceptual,  dhe problemet në lidhje me transparencën financiare nga ana tjetër kemi probleme me Teatrin Kombëtar në lidhje me zhvendosjen e pritshme të tij tek skena e Turbinës.Ekziston një rrezik, jo pa bazë, që godina aktuale e Teatrit Kombëtar të shembet njëherë e mirë dhe në atë vend të ndërtohet një kullë e ndonjë klienti të Qeverisë. Të paktën kjo është parashikuar dhe në planin e ri urbanistik të Tiranës. Në këto kushte aktorët dhe punënjësit e këtij insitucioni duhet të jenë vigjilentë dhe të gatshëm të përballen me një skenar të tillë të mundshëm.Përpos institucione kulturore që përmenda, vazhdojnë problemet shumë të rënda me marrëdhëniet kontrataktuale me artistët. Tek Teatri i Operas dhe Baletit, pjesa me e madhe e artistëve kanë kontratë punësimi deri në muajin Korrik. Po pas Korrikut do të hidhen rrugëve artistët? Pra në këtë aspekt nuk ka kurrëfare mbrojtje sociale për artistin, sikur të ishtë një militant partie që punësohet për periudhën që partia e vet është në pushtet. Ky është një problem i thellë social-ekonomik. Flitet jo vetëm për mbijetesën profesionale, por dhe ekzisteciale. Ta trajtosh artistin në këtë mënyrë është poshtëruse.

Sa vlerësohen sot artistët si nga ana finaciare dhe nga ana artistike?

Në aspektin e suksesit dhe vlerësimit estetik nga ana e publikut, një vepër e mirë flet vetë. Marr shembull shfaqjen e vënë së fundmi në skenë në Teatrin Metropol, “Nata e dymbëdhjetë”.Ishte një shfaqje e mrekullueshme dhe tejet emocionale ku ndërthureshin elementët të trashëgimisë historike shqiptare me konteksin social kulturor aktual. Këto shfaqje kaq të mira bëhen të mundura falë pasionit dhe vullnetit të vetëkrijusesve dhe artistëve. Por nga ana tjetër të vjen keq për mënyrën sesi trajtohen ata nga ana finaciare. Pagesat e tyre janë gati-gati qesahrake. Kur ne nuk vlerësojmë artistin nuk vlerësojme veten si shoqëri.

Ministria e Kulturës më datë 4 dhjetor ka hapur thirrje për projekt-propozime në art, kulturë dhe trashëgimi për vitin 2018, por vihet re një mungesë transparence në lidhje me fondet. Çfarë keni për të thënë në lidhje me këtë?

Ende nuk ka transparencë mbi fondin total dhe kjo është skandaloze. Ata duhet të bëjnë transparente çdo qindarkë të taksapaguesve shqiptarë. Është detyrim ligjor që buron nga e drejta e publikut për informim. Dhe nuk është e nevojshme që gazetarët të trokasin ku në të shumtën e rasteve marrin përgjigje arrogante, por duhet të jenë të afishuara në faqen zyrtare e internetit të Ministrisë së Kulturës. Por kjo mungesë transparence me sa duket vjen nga mungesa e vullnetit dhe paaftësia për të përkrahur artin dhe kulturën e pavarur në vend.

Çfarë duhet bërë dhe cilat janë hapat konkretë që duhen ndërmarrë për të ndryshuar situatën e artit dhe kulturës?

Për të ndryshuar këtë situatë nuk ka rrugë tjetër se të mobilizohen vetë artistët, si ato që janë të punësuar pranë insitucioneve, por dhe ata që operojnë në kuadër të Skenës së Pavarur Kulturore. Duhet të fillojnë një proçes hapjeje dhe komunikimi mes tyre, të ketë takime më të shpeshta midis tyre, dhe të dalin më një qëndrim të përbashkët ndaj politikbërjes. Së dyti duhen forcuar mekanizmat që krijojnë një treg arti dhe kulture të qëndrueshëm, të pavarur nga fondet publike. Sa më shumë profesionistë dhe menaxherë kulture të kemi, aq më shumë do të forcohet industria krijuese duke rritur kështu mundësitë e angazhimit dhe punësimit pranë sektorit privat.

Dhe për ta mbyllur sa optimiste e shihni situatën për ndryshimin e gjendjes sot në kulturë?

Për hir të vërtetës, për aq kohë sa është ky mentaliteti i politikbërjes për ta parë kulturën jo si prioritet dhe oportunitet ekonomik,mbetem pesimist. Do të bëhem optimist vetëm kur të shoh një mobilizim të komunitetit artistik në tërësi dhe të fillojë të reagojë ndaj kësaj gjëndje të mjerueshme ku ndodhen krijuesit dhe artistët në vend.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here