Opozita dhe qytetarët “Para Ligjit”

0

Nga Feti Zeneli

Loading...

Miratimi para pak muajësh i Reformës në Drejtësi, nisur edhe nga rezultatet që e kishin shoqëruar një proces të tillë në vendet e tjera të rajonit, dukej sikur do t’i jepte fund paligjshmërisë, që politika shqiptare e këtyre 27 viteve tranzicion, instaloi kudo në shtetin dhe shoqërinë tonë. Por kjo atmosferë shpresëdhënëse filloi të zvenitej, menjëherë sapo u vu re, se qasja postreformë e mazhorancës po regjistronte raste të devijimit praktik, nga normat ligjore dhe parimet morale të së drejtës kushtetuese. Dy rastet më të fundit ishin; mosdorëzimi i shi-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri në duartë e organit të akuzës, për lidhjet e tij me bandat e trafikut të drogës dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, ndonëse të përkohshëm, vetëm me votat e deputetëve socialistë në Parlament, pa kaluar më parë vettingun. Kjo ishte arsyeja kryesore, që në emër të interesit qytetar dhe misionit opozitar, kreu demokrat, z. Basha artikuloi shprehjen trishtuese, se “Reforma në Drejtësi ka vdekur”!

Nuk është hera e parë, që sapo shihen shenja shpresëdhënëse për ndryshimin e realitetit të trishtë shqiptar, ndodh diçka, jo e rastësishme, por e qëllimshme, për t’na kthyer në vendnumëro. Kësisoj qytetarit i duhet të pres, me sytë nga opozita, e cila është shpresa e ndryshimit të situatës. Dhe hapi i parë, që pritet të hidhet në raste të tilla është ndërgjegjësimi i publikut për gjendjen e krijuar, pasi siç thotë Mark Aurel, “jo gjithmonë padrejtësia lidhet me ndonjë veprim të caktuar; shpesh herë ajo kryehet pikërisht duke mos vepruar”. Mos votimi i kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Tahirit nga Grupi Parlamentar i mazhorancës dhe mos respektimi i Kushtetutës për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm janë padrejtësi që lidhen me mosveprimin. Por t’i rrish sehirxhi mosveprimit, do të thotë t’i nënshtrohesh absurdit të pritjes pa fund, si ai fshatari “Para Ligjit” të Kafkës. Kanë kaluar plotë 27 vjetë, që qytetarët tanë pengohen, madje manipulohen e abuzohen nga rojtarët paranojak të politikës shqiptare, për të hyrë në shtëpinë e ligjit dhe të së vërtetës.

Tregimi i Kafkës është një metaforë e fuqishme për çdo qënie njerëzore, që kërkon të përmbush aspiratat e tij për drejtësi, liri e mirëqënie shoqërore. Në emër të këtyre aspiratave u ngritën masivisht shqiptarët në fillim të viteve ’90. Thirrjet e tyre për të bërë Shqipërinë si gjithë Europa, ishin po aq çiltra e të motivueshme, sa dhe ato të “Fshatarit” të Franc Kafkës, ndërsa pengesat e njëpasnjëshme që krijoi politika e viteve të tranzicionit, janë po aq absurde, të pakuptueshme e sabotuese, sa dhe ato të “Rojtarit” që rri “në portën e ligjit”. Ashtu si në tregimin e shkrimtarit të njohur, edhe në realitetin shqiptar, shtëpia e ligjit ka shumë ambjente, ku “… çdo sallë ka derëtarin e vet, njeri më i fuqishëm se tjetri, As unë nuk i bëj ballë të tretit”. Qytetari shqiptar, ashtu si “Fshatari” i Kafkës, “nuk e priste këtë lloj vështirësie. Ligji duhet të jetë i lirë që të hyjë brenda cilido, në çdo rast, mendon ai, po duke e parë mirë derëtarin veshur me gëzof, me hundën e madhe me majë, mjekrën e gjatë, të zezë prej tartari, bindet se është më mirë të presë derisa të marrë lejen për të hyrë…”. Të paktën shqiptarëve, për gati 3 dekada tranzicion, t’u ishte mundësuar hyrja në “sallën” e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si dhe në atë të drejtësisë për të gjithë. Në këto kushte, gjithkush mund të pyes, se ç’është kjo dreq demokracie, me roje e porta Kafkiane, që lançon zyrtarë të paaftë dhe mbron qeveritarë të korruptuar ?!.. Edhe sa kohë do të vazhdojnë shqiptarët “në portën e ligjit”, duke soditur të tmerruar skena të panumërta të një politike të vazhdon të jetoj për vete, për interesat e qejfet e saj? Kur do të marrë fund ndarja e pushteteve në vendin tonë? Kur “do gjejnë qetësi” SHBA-ja dhe SHBE-ja, siç deklaronte ambasadori Lu, në kohën që të gjithë ishin “përqendruar tek reforma në drejtësi, për shkak të udhëzimit direkt nga zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit”?!… Me sa duket këto pyetje do vazhdojmë t’i bëjmë ende, përderisa miratimi i Reformës në Drejtësi “…ishte loja” për të lënë opozitën dhe qytetarët “në portën e ligjit”, dhe jo “prioriteti numër një i Qeverisë Amerikane në Shqipëri”, për të mbështetur “reformat e nevojshme për pranimin e vendit tonë në Bashkimin Europian”, siç shprehej z. Lu në atë kohë. Në se perifrazojmë Edmond Burke, i cili thoshte, se “një vend pa mjetet e reformës, është pa mjetet e mbijetesës”, rezulton, se zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm pa zbatuar Kushtetutën; pra pa vetting, rrezikon mbijetesën e Reformës sonë në Drejtësi. Mbase tek kjo lloj filozofie mbështetej edhe kreu demokrat, Lulzim Basha, kur e cilësoi të vdekur një reformë në drejtësi, e cila qysh në rastin e parë të implementimit të saj, nuk i shërben zgjedhjes në mënyrë ligjore të Kryeprokurorit të vendit. Kësisoj, besimi që prisnim tek drejtësia, rikthehet sërish tek partia. Po kështu, veprime të tilla institucionale janë një zhgënjim i madh për të gjithë qytetarët shqiptarë, që mezi prisnin vendosjen e drejtësisë ndaj zyrtarëve të korruptuar, të cilët janë pasuruar përmes pushtetit politik dhe na kanë privuar ne të tjerëve nga një shoqëri vlerash demokratike, mirëqenijeje ekonomike dhe sigurie juridike për të gjithë. Siç dihet korrupsioni dhe krimi i organizuar janë shkaku kryesor që vendi dhe ekonomia jonë humbasin çdo ditë oportunitete të rëndësishme nga bota e qytetëruar, duke u zhytur gjithnjë e më shumë në mjerim, anarshi dhe pasiguri. Janë pikërisht këto fenomene, që përveç problemeve të tjera, mund të rrezikojnë seriozisht të gjitha zhvillimet dhe arritjet tona demokratike, përgjatë këtyre 27 viteve. Bëhet fjalë për një korrupsion kapilar, i përhapur gjerësisht si nje kancer me metastazat e tij, në të gjithë nivelet e qeverisjes, i cili kërkon të gëlltisë gjithëçka dhe të kontrollojë çdo gjë. Si rezultat i korrupsionit të zhvilluar ekzistojnë sot pushtete shumë të fuqishme të krimit, në atë masë sa që arrijnë t’i diktojnë qeverisjes së vendit, se ç’duhet të bëjë ende në interes të tyre dhe jo të qytetarëve, duke frenuar ecurinë e reformave integruese për t’u bërë pjesë e familjes së përbashkët europiane. Në këto kushte, qytetarët e ndershëm janë të gjithë të detyruar të paguajnë “taksën e korrupsionit” për të zgjidhur edhe një problem sado të vogël në jetë. Kësisoj, korrupsioni bëhet, jo vetëm një faktor varfërues, por edhe një fenomen traumatizues për njerëzit e thjeshtë. Problemi ka agravuar së tepërmi nga që reagimi qytetar është lënë “në portën e ligjit’, kur shihej që një individ, i cili fillonte punë me përgjegjësi në administratën shtetrore, sidomos në doganë, tatime, zyrat e prokurimit publik, në polici, gjykatë, etj., jetesa e tij dhe e familjes ndryshonte dukshëm. Brenda viti këta individë hipin e zbresin nga makina luksoze, visheshin me “firmato”, frekuentonin lokale bosash, blenin shtëpi e ndërtonin vila të shtrenjta, i shkollonin fëmijët jashtë shtetit, paguanin shërbëtorë e bodiguardë, blenin diploma e çertifikata trajnimi për të garnatuar vendin e punës, etj. Ata do vazhdojnë t’i gëzojnë ende privilegjet e korrupsionit, për arsye se Reforma në Drejtësi rezultoi “shumë zhurmë për asgjë”, qysh në rastin e parë të përballjes së saj me realitetin. Ajo mund të ishte një iniciativë dobiprurëse nëse  arrinte të prangoste personat përgjegjës dhe të rikthente në buxhetin e shtetit pjesën e të ardhurave publike që u është grabitur qytetarëve në mënyrë të paligjshme.

Duke vazhduar paralelizmin me subjektin e tregimit të Kafkës, opozita dhe qytetarët “në derën e ligjit” shohin rojtarët paranojak të mazhorancës socialiste, që në vend t’u krijojnë atyre mundësinë e hyrjes kontribuese tek Ligji, tek e Drejta, tek Liria dhe tek e Përbashkëta, i pengojnë ata në mënyrë absurde e primitive. Në këto kushte nuk duhet pritur pafajshmërisht “në derën e ligjit”, si ai i porsalinduri përballë Botës, i cili në njerën dorë mban frikën dhe në tjetrën kurreshtjen. Mosbindja dhe frika, ingranazhet e ciklit orvajtje-tërheqje-orvajtje, i japin kuptim kohës, por jo veprimit politik, ndërkohë, që siç thotë bamirësja Kolete, qysh në shekullin e 14-të: “Drejtësia i nevojitet një populli, mbase më tepër, edhe se qytetërimi”. Paralajmërimet e opozitës për organizimin e protesave të fuqishme demokratike kundër këtij “puçi kushtetues”, në fillim të vitit të ardhshëm, nuk janë “e vërteta në veprim”, siç e cilëson drejtësinë, filozofi i njohur francez, Zhozef Zhuber. Nga ana tjetër, siç ka rezultuar edhe në të shkuarën, protestat, si forma të ushtrimit të demokracisë nga qytetarët, kanë filluar, që këto vitet e fundit, të mos japin më rezultatet e dikurshme në terrenin shqiptar. Po, atëherë, ç’duhet bërë, mund të pyes dikush, të rrihet në pritje të marrëveshjeve, si “Fshatari” i Kafkës, deri sa të jesh kërrusur, shikimi të të tjetë dobësuar dhe veshët të jenë mbyllur, për t’ju lutur pastaj, “pleshtave” të gëzofit të pushtetit, që të hysh tek “Ligji”?! Natyrisht, jo! Të mendohet për zgjidhje efektive duke e vrarë mendjen dhe jo duke lodhur sytë; siç u bë me “Çadrën”, fjala vjen, në fillim të këtij viti, pavarësisht se dhe ajo ishte një lloj proteste, por rrëzoi gjysmën e qeverisë, ama, duke filluar me Ministrin Tahiri. Ish-kreu i Partisë Demokratike, z. Berisha, i cili e vret vazhdimisht mendjen për të mos ju nënshtruar lehtë rojeve dallkauke të pushtetit, e dha një zgjidhje, fill sapo u emërua Kryeprokurori vetëm me votat e Grupit Parlamentar të “Rilindjes”, që ishte “djegja e mandateve” të opozitës. Nga ana tjetër, opozita duhet të njoh më mirë forcën e radhëve të saj, pasi janë më shumë se 100 parti politike në këtë krah, që duhen bashkuar “pa dallim feje, krahine dhe ideje” nën flamurin e shpresës, për një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë. Fjala këtu, nuk është për t’u bashkuar në tryeza politike, po për t’ju bashkuar zgjidhjeve reale dhe efektive, që mund të jepen në këto raste, duke treguar vëmendje e vlerësim maksimal ndaj çdo propozimi, që vjen në krahun opozitar. Megjithatë, kur përmendim fjalën “opozitë”, më shumë se sa një stukturë të caktuar politike, kemi parasysh lirinë apo “frymën e së vërtetës”, të cilën shkrimtarja franceze, Simona Veal e përcaktonte si “një dhe e pandarë” me “frymën e drejtësisë”. Por e vërteta dhe drejtësia kanë kohën e vet, që s’mund të jetë pa fund, përndryshe opozitës dhe qytetarëve shqiptarë do t’u duhet t’i përgjigjen thjeshtë për kurreshtje pyetjes, “çfarë kërkon të dish më?”, që “Roja” i bën “Fshatarit” të Kafkës, ndërkohë që atë “… e lënë fuqitë…, shikimi i dobësohet dhe ai nuk e di më a mungon drita, apo e gënjejnë sytë”…

Loading...

Lini nje pergjigje