“Mishi i dobët” i shoqërisë dhe iluzionet e individit…

0

Nga Gëzim Tushi

Është e vërtetë që tendenca dominante e zhvillimeve në shoqërinë shqiptare, kohët e fundit ka ravijëzuar fare qartë, tendencën imponuese të ndryshimit të thellë të raporteve, duke zhbalancuar dukshëm rolet dhe përgjegjësitë e vjetra, tipologjitë sociale që kanë ekzistuar në shoqërinë tradicionale në mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve midis individit dhe shoqërisë. Kjo tendencë e forte përmysëse e turbulente është shoqëruar në ditët tona me pasoja të shumta sociale, është e shoqëruar pasiguri, paqartësi konceptuale dhe keqkuptime të natyrave individuale e sociale. Nganjëherë edhe me praninë e konflikteve me natyrë artificiale dhe realisht të pazgjidhshme.

Me fjalë të tjera, epoka postmoderne në Shqipëri ka sjellë ndryshime që kanë përfshirë themelisht shoqërinë dhe individin. Postmoderniteti është faktori bazal që në shoqërinë tonë u bë ferment i gjërë social, që solli ndryshime e transformime të thella të lidhjeve sociale e gjithckaje të trashëguar nga e kaluara. Ritmi me të cilat po ndryshojnë raportet e shoqërisë me individin në kohën e sotme është i pashëmbullt, në se atë tentojmë ta krahasojmë me ndonjë nga periudhat historike të së kaluarës tonë. Format, mjetet dhe modelet e jetës postmoderne janë përveshur një sulmi integral për ndryshimin e shumckaje të trashëguar nga e kaluara. Megjithse jo rrallë madje shume shpesh ky sulm për shkak të natyrës totale, merr karakter nihilist dhe mohues të gjithckaje të ardhur nga shoqëritë shqiptare të së kaluarës për raportet shoqëri-individ.

Unë mendoj se zhvillimet e vrullshme, ndryshimet dinamike që kanë ndodhur në shoqërinë shqiptare, e kanë bërë imperative nevojën që të ndihmojmë njerëzit, në mënyrë që ata të largohen me këmbëngulje dhe vendosmëri nga iluzionet sociale, mbi mundësinë e ekzistencës së “Shoqërisë së Madhe” dhe të bashkëekzistencës së përputhur të individit me të. Në vend të iluzioneve sociale, është e udhës të riorientojmë besimin e individit në fuqinë e pamposhtur të energjive të tij njerëzore, si kapacitete që i ka të sigurta “brenda vetes” dhe në një masë të caktuar pavarësisht dimensioneve sociale e resurseve humane të shoqërisë.

Nuk është problem dëshire por është cështje orientimi jetik të njerëzve tanë, largimi pa hezitim i utopive sociale, që jo vetëm nuk janë më të mundura si dikur, por tashmë ato kanë marrë karakter reaksionar dhe kanë filluar të bëhen pengesë serioze për njeriun që ka vullnet të realizojë bazuar kryesisht në forcat dhe energjitë e tij “Projektin Personal”.

Besoj se ka mjaftuar kjo kohë për të na bindur, që ne jetojmë në një shoqëri që jo vetëm është komplekse por dhe e paqëndrueshme. Në vlerësimin e problemeve që ka sjellë situate e sotme, e bëjmë me parametrat e vjetër të humanizmit dhe socialitetit arkaik të shoqërisë së dikurshme tradicionale shqiptare, kjo do të thotë se ende nuk e kemi gjetur “busullën” që na duhet për të ndihmuar njerëzit tanë të gjejnë rrugën e duhur. Shoqëria shqiptare e epokës së “socializmit” ka qënë një “shoqëri e thjeshtë”, fare pa ndërlikimet e jetës postmoderne individualiste, asocial, me tregues të dukshëm të dehumanizmit. Ajo kishte mundësi për të krijuar lidhje humanitare dhe “cetat e vogla” të lidhjeve dhe marrëdhënieve komunitare me koherencë sociale të qëndrueshme edhe pse e vuri individin përballë një realiteti të ngurtë social.

Personalisht më duket tejet paradoksal fakti që edhe pas tri dekadave të ndryshimeve të thella të raporteve midis sociales dhe individuales, midis njeriut privat dhe komunitetit në rrudhje, në shoqërinë shqiptare ka me shumicë njerëz që jo vetëm nuk kanë kuptuar përgjegjësinë e vetes, por mbi të gjitha vazhdojnë të ngulin këmbë, të kenë iluzione për rolin dhe përgjegjësitë e zmadhuara e të pamundura të shoqërisë. Nuk ka dyshim që tani duhet të kuptojmë se jetojmë në një kohë të vështirë nga pikëpamja sociale dhe humane. Vërtet koha që jetojmë është moderne por është njëkohësisht edhe e vrazhdë, e dehumaniziar në të cilën as individi, as shoqëria por as marrëdhëniet midis tyre nuk janë më aq të qëndrueshme si dikur.

Shoqëria jonë e ka të nevojshme mbështetjen e një “revolucioni mental”, që të bëhet bazë logjike për ndryshimin dhe rindërtimin e raporteve të reja midis individuales dhe sociales, te vecantës dhe të përgjithshmes. Tendenca e sigurt e zhvillimeve në shoqërinë tonë po tregon në mënyrë të pakundërshtueshme, prirjen se individi apo qënia e personalizuar, do të qëndrojë më lart se koncepti i vjetër i të “përgjithshmes sociale”. Kjo do të thotë që sa më moderne do të bëhet shoqëria jonë, aq më e fortë do jetë shfaqja e individualizmit dhe e mbivlerësimit të vetes. Në të njëjtën kohë kjo po ndodh tani kur edhe kornizat dhe shtrëngesat sociale po të vijnë duke u zbutur. Sepse sikurse arsyetojnë filozofët liberalë dhe sociologët e postmodernitetit, në fund të fundit, prioriteti i qytetarit mbi shoqërinë, përbën padiskutim thelbin e pandryshuar të lirisë.

Është e frikshme kjo situatë, që pengon në të njëjtën kohë forcimin e besimit të individit tek vetja dhe shoqërinë që të ridimensionojë rolet dhe përgjegjësitë e saj në përputhje me kërkesat standarte të shoqërisë postmoderne, e cila është në të gjitha rastet dhe për të gjitha aspektet e jetës, me përgjegjësi sociale të reduktuara. Nuk ka më nevojë shoqëria për iluzione sociale. Asaj i duhet thënë e vërteta, se në kohën e sotme ka vetëm një rrugë: forcim të rolit dhe përgjegjësive të individit, nga që gjithnjë e më shumë “mishi social” i shoqërisë vazhdon të dobësohet. Kjo do të thotë që në vend që të “mbjellim iluzione” të kota sociale, është më mirë të mësojmë njeriun që të përshtatet me këtë jetë që zhvillohet pikërisht në rrethin e përbashkët të “shoqërisë së rrezikut”.

Është absolutisht e vërtetë, që në kohën e sotme ka shumë arsye dhe shkaqe që e detyrojnë shoqërinë shqiptare të “zhvishet” nga humanizmi i tepërt, nga socialiteti dhe solidariteti i pamundur dhe pengues. Kjo është e vërtetë që evidentohet duke analizuar situatat sociale që zhvillohen aktualisht në shoqërinë shqiptare, dhe që lidhen ngushtë me ndryshimet që po ndodhin intensivisht në gjirin e shoqërisë shqiptare. Është ca e vështirë që sot të diskutojmë problemet sociale të jetës, duke patur në mendje konceptin apo përkufizimin e vjetër për “shoqërinë e mire” solidare dhe të humanizuar.

Në fakt ndryshimet epokale që kanë ndodhur, i kanë nxjerrë jashtë përdorimit shumë përkufizime të shoqërisë së vjetër me natyrë mbihumane e supersociale. Në këtë kontekst, për të qënë realist dhe analog me situatat e vërteta që zhvillohen rreth nesh, ndoshta do të ish e udhës të punojmë dhe synojmë, jo aq “shoqërinë e mirë” por me shumë një model të “shoqërisë së pranueshme”, si një raport i ri midis sociales dhe individuales. Sepse në kushtet e sotme është vështirë të formatosh idenë e “shoqërisë së mire”, duke llogaritur zhvillimet sociale të kohës së sotme dhe realitetet që po jetojmë. Është më mirë të ripërkufizojmë dhe të përpiqemi të ridimensionojmë konceptin e zmadhur të “shoqërisë së mirë”, duke gjetur konturet e reja të “shoqërisë së pranueshme”, si një ekuacion i ridimensionuar i raporteve midis nivelit të zvogëluar të humanizmit dhe solidaritetit të shoqërisë dhe përgjegjësive të rritura të njeriut si “qënie private”.

Vetëm përmasat e një shoqërie të pranueshme, pa tepërime e butafori sociale mund të synojë të krijojë kushtet për të qënë e shëndetshme duke ruajtur natyrën individuale dhe diversitetin human të saj. Ne duhet të bëhemi koshientë, që rruga postmoderne dhe zhvillimet sociale në Shqipëri i kanë dhënë goditje të pariparueshme, e ka bërë pothuaj të pakthyeshme mundësinë e “rindërtimit” të ndonjë lloji tjetër të “shoqërisë së madhe”. Vendin e saj doemos nuk mund ta zërë tërësisht “antishoqërorja” dhe kundër socialja”, por e sigurt është që gradualisht po mësohemi dhe përshtatemi me një tjetër lloj shoqërie që padyshim është me e “rudhur” dhe më e “ngushtë”.

Vetë jeta ka favorizuar njeriun individualisht të suksesshëm, me karrierë të shpejtë, ndonjëherë edhe amoral. Të gjitha këto në shikimin me optikë tradicionale, mund të vlerësohen në mënyrë të gabuar duke menduar se ato tregojnë se jo vetëm shoqëria shqiptare është e “sëmurë” por dhe marrëdhëniet e njeriut me tjetrin dhe shoqërinë janë patologjike. Problemi është në se ka mundësi shoqëria postmoderne të gjejë “ilacin” e duhur që të mund të shërojë këto sëmundje të reja të shoqërisë dhe individit privat. Kjo nuk është e lehtë, madje është shumë e vështirë. Sepse si shoqëria edhe individi po ecin me kokëfortësi në rrugën e tyre, pa u ndalur dhe aq më tepër pa e kyhyer fare “kokën pas”.

Në këto kushte solidariteti, humanizmi, partneritetet komunitare do vazhdojnë tyë dobësohen së tepërmi. Madje gjithnjë e më shumë duket se instrumenet e rregullimit të raporteve sociale të njeriut me jetën shoqërore janë vënë në “gjumë”, nga që njeriu vet jeton i përgjumur nga ethet e parasë, suksesit dhe konsumit personal. Për pasojë shoqëria jonë nuk mund të shpëtonte nga prirja universale e dehumanizimit, që tashmë është fare i prekshëm. Duam apo nuk duam, na vjen mirë apo hidhërohemi me të “vërtetat e reja” të kohs sonë, duhet të pajtohemi me realitetin dhe idenë e shumë sociologëve të postmodernitetit të cilët duke analizuar fenomenologjinë e e kësaj dukurie janë të mendimit, se jemi përballë një procesi konstant desolidarizimi dhe me tregues që flasin për thellim të dimensioneve të dehumanizimit.

Nuk është e udhës që të mos themi të vërtetat apo të përpiqemi të mbulojmë rreziqet që ka për njeriun në këtë kohë. Ky është paradoksi. Shoqëria shqiptare është bërë më moderne, me fuqi më të mëdha njohesë dhe realizuese, por në të njëjtën kohë po ravijëzohet si një botë e cila shoqërisht vazhdon të shpërbëhet. Një shoqëri e cila ashtu si edhe shoqëritë e tjera analoge, është bërë njëkohësisht e rrezikuar nga pikëpamja sociale dhe e rrezikshme për fatin individual të njeriut. E cila i ka të gjitha mundësitë, që edhe duke qënë jashtë kornizave të grandomanisë sociale dhe pretencioziteteve për humanizëm dhe super solidaritet, ka mundësi të konfigurohet si nëj “shoqëri qytetare e shëndetshme”.

Është e vështirë sot të bësh parashikimin se si do të jetë në të ardhmen struktura sociale e shoqërisë, në se procesi i përshpejtuar i individualizimit të jetës, i shoqëruar nga ndarja dhe vecimi i njerëzve nga shoqëria dhe lidhjet humane me njëri tjetrin do të thellohen pambarimisht…

Lini nje pergjigje