DETAJE/ Burgu i Peqinit i dha leje shpërblyese, si vrau për borxhin 30 mijë euro pas pazareve të drogës

0
257

Vrasja e 32-vjeçarit në Shkodër ndodhi për një borxh të pakthyer prej 30 mijë eurosh.

Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas veprimeve hetimore, kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim, si autor i dyshuar për vrasjen e Angjelin Shkambit, të shtetasit Artan Koçeku, 27 vjeç, banues në fshatin Pog, Shkodër.

Autori i dyshuar mësohet se ka qenë me leje shpërblimi nga burgu i Peqinit, ku vuan dënimin për veprën penale “vjedhje me armë”, ngjarje e ndodhur në vitin 2013. Vrasja e 32-vjeçarit Shkambi ndodhi në varrezat e Stom Golemit në Shkodër, rreth orës 11:00 të 17 dhjetorit. Sipas Policisë së Shkodrës, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një konflikti për shkak të një borxhi prej rreth 30 mijë eurosh që autori i dyshuar Artan Koçeku i ka pasur viktimës Angjelin Shkambi.

Policia bëri të ditur se autori ka pasur një komunikim në telefon me viktimën përpara se të ndodhte ngjarja dhe të dy bashkë janë takuar te varrezat e Stom Golemit për t’u sqaruar me njëri-tjetrin. Pas një debati mes tyre në makinën e viktimës, Artan Koçeku dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të Angjelin Shkambit. 32- vjeçari mori tre plumba, dy në kokë dhe një në shpatull, çka i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Policia nga ana e saj po punon intensivisht për përcaktimin e vendndodhjes dhe kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Borxhi prej 30 mijë eurosh që autori i kishte viktimës sipas burimeve policore dyshohet se është për shkak të pazareve të drogës.

Viktima Angjelin Shkambi, në prill të këtij viti u arrestua si pjesë e operacionit “Early Spring”, ku në pranga ranë 17 persona të akuzuar si autorë të parcelave me rreth 100 mijë rrënjë kanabis sativa të asgjësuara nga Policia në Dukagjin. Më pas, nga “arrest me burg” në Shkallën e Parë, Gjykata e Apelit dha masën lehtësuese “detyrim me paraqitje”. Ndërkohë, autori i dyshuar kishte marrë leje për 4- 5 ditë në Burgun e Peqinit dhe më 18 dhjetor (një ditë pas krimit) ai duhej të kthehej sërish në institucionin e vuajtjes së dënimit. Nga sa mësohet, edhe në ditët përpara autori dhe viktima kanë shkëmbyer biseda rreth borxhit, deri sa kanë lënë vendin e takimit që përfundoi me vrasjen e 32-vjeçarit. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se autori i dyshuar Artan Koçeku është një person i skeduar si kontigjent krimi për policinë e Shkodrës.

Në vitin 2013 sëbashku me tre persona të tjerë u arrestuan me akuzat e “vjedhje të pasurisë”, “vjedhje me armë në bashkëpunim” dhe “shkatërrim prone” me eksploziv. Koçeku është i akuzuar për vjedhjen me armë të një pike karburanti që gjendet në rrugën nacionale Shkodër – Lezhë. Aty janë vjedhur shuma prej rreth dy milion lekë të vjetra si dhe dy telefona celular.

Po ashtu kanë tentuar të vjedhin me armë pikën e shpërndarjes se një karburanti i cili ndodhet në Bushat. Një tjetër vjedhje me armë e Artan Koçekut dhe tre personave të tjerë janë dy pika te shpërndarjes së karburanteve në fshatin Piraj të Lezhës, karburantin “Ada” në Shkodër, karburantin “Boka” në Vrak të Malësisë së Madhe, karburantin “Ada” në Dobraç të njësisë Rrethina, karburantin “Ada” në lagjen “28 Nëntori” në Bahçallek në Shkodër, karburantin “Elda” në lagjen “Mark Lula”.

Këta shtetas kanë vjedhur edhe dy automjete “Reno Klio” me targë SH 3870 E, në pronësi te shtetasit D. Mirashi, si dhe automjetin “Ford Fiesta” me targë LE 9844 A, e vjedhur në fshatin “Spiten” të Lezhës në pronësi të shtetases V. Lleshi. Shtetasi Artan Koçeku rezulton të jetë autor i vjedhjes së 12 dyqaneve. Ai akuzohet edhe për një ngjarje së ndodhur më 19 shkurt 2013 ku iu vendos lëndë eksplozive automjetit të punonjësit të policisë Pavlo Vuksani, i cili po merrej me hetimin e tij për vjedhjet e kryera. /Panorama/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here