Hetimet: Biznesmeni do vritej në ecje, filmohet momenti i vendosjes së tritolit

0
146

Autorët e vendosjes së lëndës shpërthyese në makinën e biznesmenit Endrit Sadedini kanë pasur qëllim vrasjen e tij. Në këtë përfundim kanë arritur ekspertët hetimorë në vendin e ngjarjes, pasi konstatuan se në mjetin e 30- vjeçarit ishte vendosur një sasi prej 500 gramësh tritol, shpërthimi i së cilës do të shkaktonte vdekjen e sigurt të shënjestrës. Fatmirësisht, Sadedini e ka pikasur në kohë pakon e dyshimtë dhe njoftoi policinë.

Sipas burimeve nga grupi i hetimit, 30-vjeçari është marrë në pyetje në lidhje me dyshimet që ai mund të ketë për sasinë e lëndës plasëse në mjetin e tij. Por, sipas të dhënave, ai nuk ka dhënë emra të dyshimtë duke deklaruar se nuk ka konflikte me asnjë person.

“S’kam pasur konflikte të mëparshme dhe as kam hasmëri me persona të tjerë. Nuk kam marrë ndonjë kërcënim gjatë kësaj periudhe, ndaj nuk di se ku mund të dyshoj. Pres që të jeni ju të policisë që të zbardhni të plotë ngjarjen”, ka deklaruar para grupit hetimor Sadedini.

Të premten në darkë, specialistët e Njësisë Speciale Antieksploziv të ardhur nga Tirana kanë kryer shpërthim të kontrolluar, ndërsa pikërisht nga këta të fundit është konfirmuar se sasia e pakos me lëndë eksplozive (tritol), ishte në një sasi rreth 500 gramë. Lënda ishte punuar në mënyrë artizanale, teksa bomba ishte lidhur me një celular dhe më pas ishte mbështjellë me një qese të zezë duke ia vendosur automjetit tip “Benz” me targa AA 233 0X në pronësi të 30-vjeçarit Sadedini. Po verifikohet tashmë edhe celulari i lidhur me bombën dhe karta SIM, e cila sipas uniformave blu rezulton të jetë blerë në tregun e zi. Grupi hetimor ka nisur hetimet për ngjarjen në fjalë, ndërsa konfirmohet se është shtatë numri i personave të shoqëruar deri më tani në polici.

Burime nga grupi hetimor kanë saktësuar se veç shoqërimit të shtatë personave, për të marrë të tjera detaje që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, apo identifikimin e autorit/autorëve, janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së lokalit që është në pronësi të biznesmenit, por që ky i fundit rezulton se e ka dhënë me qira.

Në pamjet e siguruara dallohet një person, i cili i afrohet mjetit të biznesmenit rreth orës 16:45, kohë në të cilën mendohet se është vendosur lënda eksplozive, pasi rreth 30 minuta më vonë i riu ka lëvizur mjetin e tij dhe fatmirësisht ka ndjerë kur pakoja e dyshimtë ka rënë. Në pamje sipas burimeve nga grupi hetimor dallohet një person, i cili është i pa maskuar, por identifikimi i tij mbetet i vështirë për momentin, për shkak të rrezes së kufizuar të pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe errësirës në zonë. /Panorama/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here