Skandali në Itali, 200 mijë tonë mbetje toksike fshiheshin si mbetje urbane

0
160

“Po, edhe kjo na duhet, fëmijët që shkojnë në spital. Ende s’kanë vdekur, nuk më intereson fare nëse ndihen keq. Të ishte për mua, plehrat i hidhja edhe në mes të rrugës”.

Personi i regjistruar duke nxjerrë nga goja të tilla fjalë ka përfunduar në pranga, bashkë me 5 individë të tjerë, në vazhdën e një aksioni policor në Itali në kuadrin e një hetimi të gjerë mbi më shumë se 200 mijë tonelata mbeturina toksike, që kaloheshin për mbetje normale.

Kontrollet nisën në Firence e Livorno për t’u shtrirë pastaj edhe në pjesë të tjera të vendit. Po të mos ishte për disa fëmijë të një shkolle që paraqesnin të njëjtat simptoma: sy të skuqur e acaruar dhe dhimbje fyti, personat e prangosur, të cilët hidhnin plehra të dëmshme në afërsi të saj, mund t’i kishin shpëtuar drejtësisë.

Bashkëbisedimi i regjistruar mes dy prej të arrestuarve, njëri nga të cilët edhe qesh me të madhe kur flitet për dëmin e shkaktuar, është kthyer në simbolin e hetimit të Drejtorisë vendase Investigative Antimafia, të njohur si DIA.

Në lupën e saj kanë përfunduar edhe 30 të dyshuar të tjerë, të cilët po verifikohen imtësisht. “Me dhjetëra ndërmarrje italiane, – shkruan “Corriere della Sera”, – i pastronin mbetjet e tyre toksike, në të cilat kishte dhe shumë mërkur, përmes disa sipërmarrjeve toskane falë manipulimeve administrative, por edhe një paaftësie shqetësuese të autoriteteve kompetente për të kontrolluar situatën.

Duke ndryshuar kode e dokumente, ata arrinin t’i maskonin substancat tejet toksike, si plehra të thjeshta, një metodë kjo e përdorur më parë edhe nga “Camorra”. Biznesi, verifikimi i të cilit vazhdon, i kapërcente – sipas të përditshmes italiane, – 26 milionë eurot.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here