Franca kërcënon me kthimin e vizave: Emigracioni dhe krimi shqiptar janë kthyer në problem kombëtar

0
183
Ministri i Brendshëm francez i ka bërë qeverisë shqiptare një pasqyrë kritike të gjendjes së krimit dhe emigracionit shqiptar në Francë.

Burime diplomatike franceze bënë të ditur për Exit.al se Collomb ka qenë i prerë se nëse nuk do ketë një ndryshim të gjendjes së tanishme, nuk do të ketë hapje të negociatave për anëtarësimin dhe Shqipëria rrezikon të ballafaqohet me kërkesën për rikthimin e vizave.

Burimi u shpreh se qëllimi kryesor i Ministrit Collomb ishte sigurimi i bashkëpunimit të qeverisë shqiptare për një sërë masash të nevojshme, ndaj deklaratat e tij publike patën nota përgëzuese për mirëkuptimin që pala shqiptare tregoi me shqetësimet franceze.

Sidoqoftë, në takimet jashtë kamerave me drejtuesit e qeverisë ai ka qenë i prerë: rrjetet kriminale shqiptare që veprojnë në Francë, veçanërisht ato të trafikut të qënieve njerëzore, duhet të shkatërrohen dhe vala e emigrantëve duhet të ndalet. Kjo lloj qasje u duk edhe në mesazhin e Collomb në Twitter pas takimit:

View image on TwitterView image on TwitterView image on Twitter

Gjendja që ministri francez ka paraqitur për palën shqiptare nuk ka nevojë për shumë komente.

Numri i nënshtetasve shqiptarë që vuajnë dënime në burgjet franceze është pesë herë më i lartë se në vitin 2011. Shumica e këtyre dënimeve janë për trafiqe dhe krime të rënda.

Grupet kriminale shqiptare janë aktive në tregtinë e drogës. Ndërkohë, shqetësim serioz janë grupet e përfshira në trafikun e qenieve njerëzore, përfshi disa që mundësojnë trafikimin e njerëzve nga Franca drejt Mbretërisë së Bashkuar

Ndërkohë, shifrat e emigracionit të paligjshëm shqiptar në Francë janë të larta. Shqiptarët vazhdojnë të kenë numrin më të lartë të kërkesave për azil në Francë, duke lënë pas sirianët, afganët, sudanezët dhe irakenët—vende në gjendje lufte ose në buzë të katastrofave shoqërore e njerëzore.

Në vitin 2016, sipas Zyrës Franceze të Mbrojtjes së Refugjatëve dhe Personave pa Shtetësi (OFPRA), 7 432 shqiptarë kërkuan zyrtarisht azil në Francë.

Ndërsa gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, nga janari në shtator, janë regjistruar rreth 7 mijë azilëkërkues të rinj shqiptarë, pa llogaritur këtu numrin e fëmijëve shoqërues të tyre, që do të thotë se numri i azilkërkuesve deri në fund të vitit do të jetë më i madh se gjatë vitit të shkuar dhe Shqipëria do të mbetet vendi i parë në botë për numrin e azilkërkuesve në Francë.

Sipas qeverisë franceze presioni migrator nga Shqipëria mbetet “shumë i fortë” edhe pse gjatë tre mujorit të tretë të këtij vitit ka patur një rënie të lehtë.

Sipas zyrës franceze të refugjatëve, shqiptarët aktualisht kanë zënë 20 për qind të gjithë kapaciteteve strehuese që Franca ka për mbajtjen e refugjatëve deri në vendimin mbi statusin e tyre.

Aktualisht, janë rreth 12 357 azilkërkues për të cilët është marrë vendimi i përzënies nga Franca dhe pritet që të kthehen në muajt e ardhshëm.

Sikurse raporton Slate, emigracioni shqiptar ka qenë një ndër problemet e rëndësishme që qeveria e re franceze ndeshi sa erdhi në pushtet në Maj 2017. Situata qe e tillë sa Ministri i Brendshëm Collomb kërcënoi me rikthimin e vizave për shqiptarët.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u thirr urgjentisht në Paris në korrik 2017, vizitë gjatë së cilës ai premtoi bashkëpunim të plotë të Shqipërisë për problemin e krimit dhe të emigracionit, duke paraqitur edhe një plan veprimi.

Por duke qenë se pala shqiptare kishte premtuar edhe më parë të njejtën gjë dhe nuk kishte dhënë asnjë rezultat, sikurse Exit.al ka shpjeguar këtu, Ministri i Brendshëm francez erdhi vetë në Tiranë me qëllime të qarta: të bjerë dakord me qeverinë shqiptare për një sërë masash ligjore dhe teknike për ndalimin e emigrimit shqiptar drejt Francës dhe për luftimin e kriminalitetit shqiptar në Francë.

Pikat kryesore që u ranë dakord gjatë vizitës:

– Krijimin e një strukture të përbashkët për koordinimin e përpjekjeve mes dy vendeve në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, përfshi trafikun e qenieve njerëzore.

– Vendosjen e katër oficerë të policisë shqiptare në Francë për të ndihmuar në përpjekjet kundër organizatave kriminale shqiptare që veprojnë në Francë dhe për përpjekjet e azilantëve.

– Ardhjen e herëpashershme të ekspertëve francezë të luftës kundër krimit për të ndihmuar policinë shqiptare.

Një qëllim i rëndësishëm i vizitës ishte konsultimi me parlamentarët shqiptare për reformën që qeveria franceze po përgatit në sistemi e të drejtës dhe trajtimit të kërkesave për azil në Francë, debatet për të cilën priten të fillojnë në Asamblenë franceze në muajin mars 2018.

Kjo ishte arsyeja që Ministri i Brendshëm francez shoqërohej nga gjashtë parlamentarë francezë tre prej të cilëve anëtarë të komisionit të ligjeve.

Është e qartë se muajt e ardhshëm do të jenë vendimtare për bindjen e Francës së qeveria shqiptare do të jetë serioze në luftën reale ndaj krimit dhe emigracionit të paligjshëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here