Shezai Rrokaj: Disa pavërteta për zgjedhjet në Fakultetin Histori-Filologji që lidhen me emrin tim

0
349

Nga Shezai Rrokaj

E them me gojën plot se nuk jam pjesë e asnjë “komploti” në garën për dekan që u zhvillua në FHF. Herë nëpër kafene e herë duke shpërdoruar postin disa kolegë janë ngutur të bëjnë pohime se gjoja paskam favorizuar njërin apo tjetrin kandidat. Kanë nxitur studentë apo ‘miq’ të shtypit për të botuar të pavërteta, me të cilat ndotin figurën e pedagogut dhe vetë fakultetin. I bëj me dije këta kolegë se statusi im i deputetit e ndalon rreptësisht përfshirjen e politikës në autonominë universitare. Shumë syresh e dinë se, bashkë me ta, unë kam bërë “beteja” për autonominë universitare, kur isha rektor i tyre dhe më pas dekan dhe nuk mund të shkel parimet e mia, përveçse e kam të ndaluar me ligj.

Dhe nëse kanë fakte për shkelje të këtij statusi i inkurajoj t’i drejtohen prokurorisë. Shumë prej kolegëve, më kanë votuar në garat e mia, ku kemi siguruar fitore gati plebishitare. Gjithashtu, jam i gatshëm të përballem me këdo, përfshirë dhe kandidatët, t’ua them të vërtetat e mia sy për diell, pa pasur nevojën të bëjnë rolin e strucit a të skuthit apo të dikujt që e ka zakon të grindet me këmishën e vet.

Tani, këto paranoja e marifete inatçinjsh, që kur jemi bashkë: si ti s’ka dhe kur garojmë përballë apo kur je jashtë procesit, thonë ti je i këtillë apo i atillë, pale ca zhurmë mizash që bëzajnë kafenesh, më kujtojnë atë shprehjen se ligësia nuk ka nevojë për shkak. Por përtej kësaj ka një të vërtetë: se doktor, profesor i asociuar apo profesor bëhesh, nuk lutesh të të bëjnë. Gjithashtu, dekan, rektor bëhesh përditë nëse punon dhe ke tipare për lidership dhe e përfaqëson profesoratin, nëse i bind dhe shumica e kolegëve kanë besim te ti, nëse heq dorë nga sfinat dhe klanet pa parim e bëzania e kafeneve bashkë me shkrimet ndotëse portaleve. I ftoj kolegët t’i largohen mendësisë së gjuetisë së shtrigave dhe të marrin përgjegjësinë që u ngarkon misioni i tyre në njërin nga tempujt ku kultivohet Albanologjia.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here