Bilanci i sezonit turistik… të huajt sollën 1.3 mld euro, por edhe shqiptarët lanë 1 mld jashtë

0
192

Nga jugu në veri, Shqipëria ka qenë këtë vit e mbushur me turistë, që kaluan pushimet në bregdet, vizituan qytetet turistike, apo u mahnitën nga bukuria e maleve shqiptare. Ky fluks turistësh ka dhënë efektet pozitive në ekonominë shqiptare.

Sipas të dhënave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga udhëtimet arritën për 9 mujorin një nivel rekord prej 1.3 miliardë eurosh, me një rritje prej 13% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur nivelin më të lartë rekord. Fluksi më i lartë ishte në tremujorin e tretë, që përkon me kulmin e sezonit turistik. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të tretë të 2017-s, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 588 milionë euro. Rritja vjetore e të ardhurave u ndikua nga rritja e numrit të vizitorëve të huaj (jo rezidentë) në vend (rreth 3%), sëbashku me rritjen e shpenzimeve mesatare të këtij grupimi (me 16%).

Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë për periudhën janar-shtator ishte rreth 4.2 milionë persona, me një rritje prej 5.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kryesojnë turistët nga Kosova, ndonëse në rënie të ndjeshme, me 1.5 milionë hyrje, të ndjekur nga maqedonasasit me 510 mijë hyrje, grekët (351 mijë), italianët (294 mijë). Në vlerë absolute shtetasin italianë kanë shënuar dhe rritjen më të madhe për 9 mujorin, me 94 mijë. E dukshme ka qenë rritja e polakëve, që ishin dhe risia më e madhe e këtij viti. 104 mijë  turistë nga Polonia erdhën për 9 mujorin, me një zgjerim prej 66% me bazë vjetore.

Shqiptarët lënë jashtë 974 milionë euro

Por, ndërsa të huajt po vijnë në Shqipëri, të nxitur nga shkrimet e pafund të mediave të huaja, vetë shqiptarët po ikin gjithnjë e më shumë jashtë për pushime apo për turizëm kulturor, duke zgjatur edhe qëndrimet. Po sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e shqiptarëve jashtë për 9 mujorin ishin 974 milionë euro, edhe ky një nivel rekord. Fluksi më i larë ishte në tremujorin e tretë. Sipas Bankës, në tremujorin e tretë udhëtarët rezidentë (shqiptarë dhe të huaj) kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 407 milionë euro. Në baza vjetore, numri i rezidentëve që kanë udhëtuar jashtë është rritur me 5% dhe në të njëjtën kohë këta të fundit kanë rri-tur ditë qëndrimin. Ndërkohë, koeficienti i shpenzimeve mesatare vlerësohet lehtësisht në rënie.

Bilanci është pozitiv

Mes të huajve që vijnë në Shqipëri dhe shqiptarëve që ikin jashtë, bilanci është përmirësuar vitet e fundit, duke u kthyer në pozitiv dhe duke arritur nivelin më të lartë të viteve të fundit. Për 9 mujorin, ekonomisë shqiptare i mbetën neto 337 milionë euro (1.3 miliardë euro që shpenzuan të huajt në Shqipëri minus 974 milionë euro që shqiptarët shpenzuan jashtë) , një nivel rekord ky./Monitor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here