Opozitë dhe drejtësi “…në kohërat e kolerës”

0
191

Nga Feti ZENELI

Ish-kryministri kanadez, i cili e qeverisi vendin për dy dekada rresht, Uilliam Lion Mekenzi King thoshte: “ Shumë më tepër është bërë për mirëqënien dhe progresin e njerëzimit duke ndaluar veprimet e këqia, se sa duke bërë të mira”. Fjala këtu është për të ndaluar veprimet e këqia të qeverisë dhe individëve të lidhur me të, që kanë të bëjnë me korrupsionin, kriminalitetin, arbitraritetin, etj. Në një sistem demokratik, dy prej institucioneve më të rëndësishme për të ndaluar këto lloj veprimesh, janë opozita dhe drejtësia. Këtë rol të opozitës në shtet dhe shoqëri kishte parasysh Uollter Lipman, teksa nënvizonte: “Në një demokraci opozita nuk tolerohet vetëm sepse është kushtetuese, por duhet të mbahet sepse është e domosdoshme”. I njëjti vlerësim filozofiko-politik vlen të thuhet edhe për drejtësinë, mendoj unë. Natyrisht, kur flitet për “tolerancë” dhe “mbajtje” të këtyre dy institucioneve të rëndësishme, fjala është për respektimin e rregullave të lojës politike në rastin e opozitës dhe respektim të shtetit ligjor në rastin e sistemit të drejtësisë. Me sa duket, qëndrimi real ndaj opozitës politike dhe sistemit të drejtësisë, është “vija e demarkacionit”, që ndan demokracinë e vërtetë me demokracinë virtuale. Në realitetin e sotëm shqiptar, kjo vijë, çuditërisht, është shndërruar në një rreth për të shënjestruar me armët e pushtetit, opozitën dhe drejtësinë, si përgjegjëse për situatën e vështirë që po kalon vendi në periudhën e tranzicionit. Ka të paktën 4-5 vite rresht, që ky rreth është bërë lak mbytës në qafën e opozitës dhe drejtësisë, ku mazhoranca apo pushteti sheh përgjegjësit e vetëm të “veprimeve të këqia”, që kanë ndodhur në Shqipëri. Kjo është arsyeja, që edhe pas një mandati të plotë qeverisës, kryeministri Rama, në vend të jap llogari për mosrealizimet e veta, vazhdon të justifikohet me “gropën financiare” apo treguesit e tjerë negativ të Sali Berishës në pushtet, që gjasme ndikojnë ende në keqqeverisjen e sotme të vendit. Kjo histori vazhdon me të njëjtin stil rrëfimi edhe pas ardhjes në krye të PD-së të z. Basha, i cili me vizion të qartë lidershipi, ka shpalosur platformën e tij qeverisëse për një “Republikë të Re”, që synon ta nxjerrë Shqipërinë nga humnera e drogës dhe krimit ku ka rënë, tashë së fundi. Dekriminalizimi dhe kushtetueshmëria e Reformës në Drejtësi janë dy prej hapave të parë që Parlamenti hodhi drejt vendosjes “de jure” të një shteti ligjor në vendin tonë, i detyruar nga misioni i vërtetë opozitar i PD-së, të udhëhequr nga z. Lulzim Basha. Të gjithë e kemi parasysh debatin që prodhoi, dhe “kryqëzimin” ku përfundoi lideri demokrat, në momentin e debatit parlamentar për Reformën në Drejtësi, për shkak të këndvështrimit qeveritar të çështjes nga mazhoranca e majtë dhe disa përfaqësues sorosian të komunitetit ndërkombëtar. U arrit deri atje sa z. Basha të quhej si “jo fleksibël”, dhe të anatemohej; si “antieuropian”, “antiamerikan”, “prorus, “antiveting”, deri dhe “antishqiptar”, etj., vetëm se beteja e zhvilluar prej tij në këtë rrugë politike tejet të vështirë, përveç të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, kishte si qëllim, edhe mbrojtjen e parimit të shenjtë të kushtetueshmërisë, se “…askush në këtë vend nuk mund të ketë pushtet pa pasur llogaridhënie”.

Nga ana tjetër, në mënyrë paradoksale, po bëheshin po kaq përgjegjëse për treguesit ekonomiko-social të qeverisjes socialiste, edhe organet e sistemit të drejtësisë. Ndërkohë, kriteret dhe kërkesat kushtetuese të liderit demokrat për reformën, cilësoheshin nga mazhoranca e majtë si “pretekste” për mbrojtur “drejtësinë e korruptuar”. Qëllimi i vërtetë i ngutjes dhe presionit qeveritar ndaj opozitës ishte kapja e drejtësisë, ndonëse në mënyrë demagogjike, përfaqësuesit e “Rilindjes” e konsideronin miratimin e reformës në drejtësi, si “shpëtimtare për vendin dhe demokracinë”, ku sa hap e mbyll sytë, Shqipërinë do ta pushtonte bollëku dhe njerëzit do përjetonin një lumturi, gati qiellore. Po kështu, sipas tyre, në të njëjtën mënyrë, do merrnin fund të gjitha padrejtësitë social-ekonomike në vend. Tashmë ka kaluar më shumë se një vit nga miratimi i Reformës në Drejtësi, por atdheu ynë i dashur po lëngon dhe më shumë nga droga, krimi, korrupsioni, pasiguria, padrejtësia, papunësia, blerja e votës qytetare, pushtetimi i institucioneve të pavaruara, mungesa e zhvillimit të qëndueshëm ekonomik, varfëria ekstreme, emigracioni masiv e kështu me radhë. Por ajo që shqetëson së tepërmi, lidhet me faktin, se ndryshe nga ç’këshillonte dikur Benxham Dizraeli, për “…një opozitë të fortë” në raste të tilla, ndërkomëtarët tanë të sotëm, herë direkt dhe herë tërthorazi, kërkojnë jo vetëm një opozitë fasadë, që t’i bëjë fresk qeverisë, por edhe një drejtësi në duartë e ekzekutivit. Mbështetja e hapur dhe pa ekuivoke, që përfaqësuesit më të lartë të Brukselit zyrtar, Junker dhe Mogerini, i dhanë kryministrit tonë, këto ditë, pavarësisht kontestimeve të shit-blerjes së votës në zgjedhjet e 25 qershorit dhe daljes, pak javë më parë në sipërfaqe, të majës së ajzbergut kriminal për përfshirjen e ish-ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri, apo një pjese të mirë zyrtarësh të lartë të Policisë së Shtetit; në kultivimin, përpunimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës, është një veprim tejet demoralizues për veprimin opozitar dhe hetimin penal në Shqipëri. Por më shumë se gjithëçka tjetër, opozitën dhe shqiptarët e ndershëm, i ka lënë pa fjalë motivacioni i kësaj mbështetje europiane; “për reformën në Drejtësi”, që ende s’ka filluar, dhe për “luftën me efikasitet ndaj kanabisit”, që vendin tonë cep më cep e ka mbuluar! Ndërkohë përfaqësuesit e tyre teknik e diplomatik në Shqipëri shkojnë edhe më tej në mbështejen ndaj qeverisë së “Rilindjes”, lidhur me rekomandimet që japin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Përkohshëm shqiptar, vetëm me votat e socialistëve, duke injoruar Kushtetutën dhe ligjin; pra Reformën në Drejtësi. Mbështetje dhe deklarime të tilla nuk ngjajnë serioze as në sytë e publikut vendas, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, Shqipëria është cilësuar prej mediave më prestigjioze në arenën ndërkombëtare si “Kolumbi e Europës”, dhe në daljet e ndryshme publike të përfaqësuesve më të rëndësishëm diplomatik në vendin tonë është folur; për “4 klane të rrezikshme kriminale, që kontrollojnë 20 familje mafioze”, apo për “kapjen dhe burgosjen e peshqve të mëdhenjë të krimit”. Ata, të paktën, nuk po tregohen “diplomat”, as sa vetë kryeministri Rama, që e fton opozitën për “…një Pakt Kombëtar për Europën që duam…”, në mënyrë që, jo vetëm Prokurori i Përgjithshëm “…të mos zgjidhet më shumicë të thjeshtë…” votash në Parlament, por dhe “…për të mos i lënë asgjë mangut përpjekjes për të çelur negaciatat e anëtarësimit…” të Shqipërisë në BE. Ndërsa z. Basha u kujton të gjitha palëve, të rreshtuar në krahun tjetër, se “i vetmi pakt për të cilin ka sot nevojë Shqipëria është pakti me Kushtetutën dhe shtetin ligjor”, sikundër u kujton, edhe “zhbllokimin e menjëhershëm të reformës në drejtësi dhe krijimin e KLP-së, për t’i hapur rrugë krijimit të SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimit, për të zgjedhur në mënyrë kushtetuese Prokurorin e Përgjithshëm, me tre të pestat e Kuvendit, pasi të ketë kaluar vetingun”. Duke preferuar zgjidhjet kushtetuese dhe duke refuzuar ato politike për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Basha dëshmon jo vetëm lidership, por dhe vullnet të qartë opozitar për konkretizimin e reformës në drejtësi, si një ndër kushtet kryesore, që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Të zgjedhësh një prokuror politik, ndërkohë, që prej më shumë se një viti ke miratuar Reformën në Drejtësi me 140 vota deputetësh dhe nuk po e bën atë të zbatueshme, do të thotë se kërkon të vësh nën kontroll organin e akuzës, në një moment që është duke u hetuar për trafik droge ish-ministri i brendshëm dhe mjaft ish-zyrtarë të lartë të qeverisë tënde së bashku me grupet kriminale të Habilajve e Balijave, dhe janë denoncuar për lidhje me krimin e bandat mafioze, kryebashkiakët e tu, në dy prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Në këto kushte, s’ka asnjë lloj diskutimi, që mbështetjen “dashamirëse” të opozitës e kërkon thjeshtë për fasadë demokratike dhe maskaradë politike në sytë e publikut. Dhe ç’është më paradoksalja, kryeministri shqiptar dhe disa ndërkombëtar që i mbajnë iso atij, kërkojnë një mbështetje “me puthje” të opozitës, ndërkohë që në raste të tilla, Çurçill, fjala vjen, këshillon një mbështetje “me shkelm”, që mund t’i jepet qeverisë në rrethana të caktuara”, madje, dhe kjo lloj mbështetjeje, sipas tij, “…duhet ndërprerë në momentin më të parë të përshtatshëm”.

 

Nëse gjithë këtë histori do t’ia kishim treguar Markezit të madh, para se të vdiste, me siguri do të shkruante për një tjetër “dashuri në kohërat e kolerës” politike, kjo jo dhe aq për faktin se politikani kryesor i tranzicionit shqiptar është një mjek, ashtu si personazhi kryesor i romanit artistik, por sepse ky mjeku ynë politik dhe pasardhësi i tij në krye të opozitës shqiptare po pengohen, me lloj-lloj burokracish vendase dhe të huaja, që të kryejnë misionin e tyre demokratik lidhur me shëndoshjen e shoqërisë, ekonomisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri, në luftë me “kolerën” e drogës, që ka plasur anë e mban vendit. Në politikë dhe qeverisje, kjo lloj epidemie prek trurin e kokës, ndryshe nga sëmundja e vërtetë, që tek njerëzit, prek zorrët e barkut. Është ngjitëse, dhe me shtrirjen që ka marrë duket, se i prekuri i parë, ka qënë vetë kreu i qeverisë, i cili për shkak të kësaj sëmundjeje flet për një realitet virtual, ndërkohë që qytetarëve u shfaqet, para syve tjetër gjë, raliteti i vërtetë tragjik. Këtu, nuk e kam fjalën për vesin e konsumit individual të lëndëve narkotike, po për “shembullin personal” që përhapet tek njerëzit e thjeshtë si “kolerë”, duke mbytur zërin e opozitës kritike. Natyrisht, mbushja e Shqipërisë me drogë, këto dy vitet e fundit, nuk është çështje konsumi, por çështje prodhimi e fitimi si në kohën e firmave piramidale. Një raport sekret i agjencive ligjzbatuese në vendin tonë, listonte para pak muajësh plot 363 zona, në të cilat kultivohej hashash. Kjo është arsyeja, që Shqipëria konsiderohet sot, një prej prodhuesve kryesor të kësaj bime narkotike në Europë, në sasira të tilla, që, momentalisht, i kanë kaluar mbi një mijë tonët në vit. Paratë e lira të industrisë së kanabisit, por dhe ato që disponohen nga veprimtaria korruptive dhe “të fortët” e lidhur me pushtetin e “Rilindjes”, qenë aq të shumta në prag të zgjedhjeve, sa që u vu re edhe fenomeni i mbiçmimit të monedhës vendase, gjë që tregoi për ofertën e pazakontë monetare të euros në Shqipëri. Masivizimi i kultivimit të hashashit në një kohë që prej vitesh po flitet për nevojën e një modeli të ri ekonomik në Shqipëri, duket se e ka tronditur nga themelet ngrehinën e brishtë të ekonomisë sonë kombëtare, ku të ardhurat nga sektorët ekonomiko-financiarë tradicionalë kanë rënë ndjeshëm. Tashmë ka ardhur momenti, që asnjë lloj alibie e justifikimi nuk pi ujë. Në këtë situatë, media duhet të reflektoj e para, për të mos mbështetur më tej një qeveri që e ka zënë “kolera e drogës” dhe ua ka dorëzuar vendin narkotrafikatëve dhe kriminelëve të tjerë të infektuar mga kjo epidemi. Një gjë e tillë duhej të kishte ndodhur në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit, për të mos e lënë vetëm Lulzim Bashën dhe alternativën e tij qeverisëse për “Republikën e Re”, megjithatë asnjëherë s’është vonë. Nga ana tjetër, opozita nuk duhet të mjaftohet me entusiazmin e takimeve zyrtare, por duhet të zbres në bazë, për të shpëtuar njerëzit e prekur nga kjo lloj epidemie. Pavarësisht se shumica dërrmuese e tyre i ka shpenzuar paratë e mëditjes së drogës dhe shitjes së votës, ata ende vazhdojnë të jenë të hutuar nga “ç’u kanë parë sytë e ç’u kanë dëgjuar veshët” për 4 vite me radhë, lidhur me mbjelljen e trafikun e hashashit nën “kujdesin atëror” të policisë, tregun e shit-blerjes së votës, fotot krahqafë të ministrave dhe deputetëve me trafikantë e kriminelë, rënien e avionëve të huaj të drogës si zogj të vrarë, zbulimin e laboratorëve të kokainës dhe goditjen e makinave të policisë në Elbasan, penalizimin nga Prokuroria të denoncuesve dhe shpalljen të pafajshëm të kriminelëve, e kështu me radhë, sepse media proqeveritare dhe disa përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare vazhdojnë t’u mbushin mendjen qytetarëve, se “qeveria aktuale është e keqja më e vogël” dhe “opozita s’ka kauzë”. Mpirja e reagimit qytetar është dëmi më i madh që “kolera” e drogës i ka bërë demokracisë në Shqipëri. Si rezultat i këtij qëndrimi, me qytetarët tanë po ndodh si në eksperimentet e shkencëtarit Martin Seligman, e quajtur “Teoria e Pafuqisë”, e cila u referohet situatave, në të cilat besojmë, mendojmë apo e marrim të mirëqenë, që nuk mund të bëhet asgjë për të kontrolluar apo për të përmirësuar një gjendje të caktuar. Për këtë arsye ne priremi ashtu si edhe kafshët, që të mos tentojmë më, pasi jemi lodhur me emigrime, rrebelime, votime, ndarje dhe bashkime; duke dëshmuar se i kemi provuar të gjitha mënyrat për t’i shpëtuar këtij ambjenti mizerabël, ku elektroshoku ndaj nesh është politika, dhe ne jemi kaviet e shkencëtarit Seligman. Në këto kushte targeti i opozitës është pikërisht reagimi qytetar dhe jo vlerësimi ndërkombëtar, që po ndan dekorata moniste të tipit “hero i punës socialiste” për qeverinë e kultivimit dhe trafikut të drogës, si në asnjë vend tjetër të botës. Vetëm në këtë mënyrë opozita do t’i rikthehet misionit të saj historik “për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”, por më parë, ashtu siç ndodh në romanin e Markezit, ata duhet të grisin “flamurin e kolerës”, sapo të hipin në këtë anije, me qëllim që t’i garantojnë popullit, e jo vetes, një jetë të qetë, të lumtur e të begatë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here