Të “pavarur” nga të tjerë dhe të varur nga vetvetja deri në skllavëri

0
281

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

Nuk ka asnjë të keqe të jesh patriot, atdhedashës, siç i thonë shqip. As të festosh me flamuj, veshje kombëtare, vjersha e copëza rreshtash nga rilindësit e shek. XVIII-XIX. Madje edhe të jesh i lumtur me mendimin e rrënjosur thellë në tru e lehtësisht i gënjeshtërt, “se ne vumë përfund turqit, për të shkuar drejt perëndimit dhe vendeve më të përparuara”. Natyrisht që drejtimi nga perëndimi i shqiptarëve, ishte një ëndërr e kahershme e të gjithë ideologëve dhe patriotëve shqiptarë në shek. XIX-XX. Por në realitet ajo mbeti një ëndërr në sirtar. Diku humbi çelësi për ta hapur e për të gjetur se çfarë kishte në zarfin e ëndrrave  në sirtar dhe si mund të kthehen në realitet e diku e këmbyem sirtarin e perëndimin me dollapin plot, erë myku e krimba të lindjes.

Po pse e gëzojmë atëherë kaq shumë pavarësinë?

Mbase ngaqë na pëlqen të harrojmë zullumet, fajet, gabimet, masakrën, krimet, injorimin dhe indiferentizmin e pashoq që kemi për njerëzit tanë, vendin tonë, atdheun që e duam vetëm njëherë në vit. E duam kaq shumë ditën e pavarësisë se duam të mburremi e të dukemi tjetër njerëz, përpara kujt? Përpara vetes sonë, por duke i bërë njëkohësisht kashirllëk, fqinjëve që “na kanë halë në si”. Për të kënaqur me demek, fëmijët dhe rininë me ndjenjën e  atdhedashurisë e më pas t’i lemë të qetë në dhunën e përditshme, drogën, maskarallëkun, lakuriqësinë dembellëkun, seksizmin e shfrenuar e pa kufi,  e në fund, t’i shtyjmë ta lenë këtë vend e të ikin sa më larg. Të rinjtë shpresa jonë e madhe në letër, nxitet çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë të iki nga sytë këmbët dhe të mos kthejë më kokën mbrapa. Arsyeja është fare e thjeshtë: Vendi që ka shpallur pavarësinë 105 vjet më parë, që i griu Italinë, nazistët gjermanë, monarko -fashistët grekë, revizionistët rus dhe imperializmin amerikan, nuk po bënë gjënë më të thjeshtë: T’u japi pak kurajo, frymëzim dhe perspektivë qytetarëve që banojnë në atdheun e vete, që janë katandisur “si kokoshi një thelë”. Ne u mburrëm me pavarësinë, dhe pas dy ditësh na mbytet gjysma e vendit e na rrezikohen jetë njerëzish. Përse? Nga se?, për dy ditë shi që bie me intensitet normal. Ne mund të mburremi me pavarësinë, tonë edhe kur mbetemi pa drita me ditë të tëra, pa larë, pa ngrënë e në dot të Zotit, se robi i qeverisë na ka harruar me kohë. Ne mund të mburremi se bëmë shtet të pavarur këtu e 105 vjet të shkuara dhe e zhvatëm sa të mundnim, ku të mundim e si të mundim. Ne gëzojmë se vilat, makinat luksoze, bukuria femërore, qejfet më të mëdha në botë, bëhen vetëm në vendin tonë të bekuar, 105 vjet i pavarur, ku mund të blesh me para e gjithçka, nga jeta e deri tek vdekja. Shprehja e hershme, “vetëm nënë e babë nuk gjen”, tani ka rënë përfundimit dhe është shndërruar në një realitet krejt ndryshe: Mjafton të kesh para dhe gjithçka është në dorën tënde. Prandaj ne i gëzohemi shumë pavarësisë, edhe ndoshta për faktin se një i huaj protektor, mund t’i dhimbsej më shumë vendi tonë se vetë ne shqiptarët.

Shumë njerëz nën zë kujtojnë se gjyshi i kishte folur plot nostalgji për kohën e Italisë, kur panë me sy bukë të bardhë, kur u hapën ca vende pune dhe kur u ndërtuan rrugë të reja, bulevarde, pallate etj. Nuk kam ndërmend të mburr më tej fashizmin, edhe pse e di që  këto pak fjalë do të tingëllojnë jo mirë e do tirren e thuren llok historish e thuhen plot broçkulla, për të endur rrjetën e ligësisë, marrëzisë e hipokrizisë patriotike.

Po në fund të fundit një pyetje e lind vetiu: Nga kush u pavarësuam dhe u çliruam që festojmë me kaq bujë?

Nga të huajt, turqit osmanë prej të cilëve u liruam të fundit në Ballkan, prej italianëve që u çliruam në 1943, kur kapitulluan, prej gjermanëve në fund të 1944-ës. Ashtu sikundër duhet të pranojmë me zë të lartë, se fqinjët nuk është se na deshën kaq e shumë e ishin korrekt me ne, pale më miqësorë. Evropianëve të mëdhenj në jo pak raste nuk ju interesoj fati jonë prej fundit të shek. XIX e deri në dhjetëvjeçarin e fundit të shek. XX-të. Por në fund të fundit edhe ne bëmë jo pak të skllavëruar veten tonë. U vranë, u internuan, u burgosën, u sakatuan, u përdhunuan e u dhunuan me mijëra familje shqiptare, jo prej të huajit prej barbarisë vendase që kishte emrin e madh sistemi i diktaturës së proletariatit.  Po të bësh një bilanc, ngre një seri pyetjes: Kush luftoi për pavarësinë e si e çmuam këtë vepër që të parët na i lanë me plot shpresë e mundim? Luftuam kundër armikut në Luftën e Dytë Botërore. Shumë mirë. Por çfarë ndodhi më pas? Si u varfërua ky vend që ne e mburrim për vit, si më të bekuarin në glob? Kush e dëmtoi më shumë vendin  ata që e pushtuan dhe lanë ndonjë vepër për të cilën ne mburremi sot më kot, apo ata që do ta ndërtonin themelet e Shqipërisë së re dhe ja nxorën nga dheu dhe një fije hekuri të ngulur sagllam, për të mos e kthyer asnjëherë në binarët e duhur? Në fund të fund të fundit a kemi të drejtë të shajmë vetëm të huajt apo të shajmë më parë veten tonë? Ndoshta një analizë të tillë nuk do bëjmë kurrë, pasi duket herezi e madhe të ofendosh një popull që ka luftuar në shekuj. Po as më thoni ne të zotët e këtij vendi tani e 105 vjet, ku e kemi kartën pse nuk e gjejmë dot kartën origjinale të Aktit të Pavarësisë, po rrinë e nxjerrim çdo vit nga një histori për të engledisur miletin?

Mbase kjo analizë modeste, mund të ketë kundërshti të mëdha, mungesë patriotizmi e kushedi se çfarë mund të mendoj kushdo, por unë e them fare pa droje, ndoshta i huaji do ta donte më shumë këtë vend, se pseudopatriotët shqiptar me ide rilindëse,  që janë gati t;i venë zjarrin vendit sa herë kanë nevojë, gëzohen për sy të popullit që i ndjek nga pas si skllavi të zotin njëherë vaktit, për sy të botës, e që duan të tregohen trima me kostume “Armani”, përpara një masë të madhe njerëzish që mezi mbushin zorrën. Ja pse e duam pavarësinë, ja pse jemi kaq shumë të kënaqur ditën që vjen 28 nëntori. Thjesht për të kënaqur epshet tona për më shumë pushtet, dëshirë për para, femra e pasuri, por jo për vendin që lëngon në buzë të greminës ku e çuam me bujarinë tonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here