Vlonjatët revoltohen me kryebashkiakun, policia e merr në mbrojtje

0

Dritan Leli, kryetar i Bashkisë së Vlorës priste ta falenderonin në Novoselë, kur u shkoi banorëve të përmbytur me makarona, sheqer dhe miell. Në vend të kësaj, u përball me irritimin e vlonjatëve që i kërkuan llogari për përmbytjet që përsëriten vit pas viti në Vlorë. Madje kryebashkiaku u gjend në një situatë të vështirë, kur u rrethua nga banorët e zonës që i bërtisnin në fytyrë duke i kërkuar të mos i gënjente me makarona.

Që në fillim të takimit, vlonjatët ia bënë të qartë Lelit se donin pastrimin e kanaleve kulluese, thellimin e lumi dhe marrjen e masave që përmbytjet të mos përsëriteshin. Në videon që ka siguruar Lapsi.al duket se përgjigjet arrogante të Dritan Lelit, ndonjëherë edhe fyese e kanë acaruar situatën. Banorët akuzuan direkt Kryetarin e Bashkisë se ishin pikërisht njerëzit që e shoqëronin atë që kishin ndërtuar shtëpitë mbi kolektor dhe kishin bllokuar kanalet kulluese.

Situata është tensionuar deri në pikën që Dritan Leli e ka parë të arsyeshme ta mbyllë gojën dhe të mos i përgjigjet më banorëve, duke menduar se do të ishte më mirë që të ikte nga takimi. Në momentin që u largua, pranë tij u afruan dy policë, që i qëndruan pranë për çdo të papritur. …©Lapsi.al

Lini nje pergjigje