Tronditet Erdogan, merr “shuplakën” e parë në Athinë nga homologu i tij

0

Presidenti turk Erdogan është duke zhvilluar në këto momente takimin e parë zyrtar në Athinë me homologun e tij, Prokopis Pavlopoulos. Ky i fundit, gjatë pritjes në Pallatin Presidencial nënvizoi se Traktati i Lozanës ëshë i panegociueshëm dhe një gur themeli i miqësisë mes dy popujeve që prej kohës së Venizelosit dhe Qemal Ataturkut.

“Në mënyrë që të arrihen objektivat dhe të quhet një vizitë historike, të gjitha ligjet ndërkombëtare të BE-së duhet të respektohen nga çdo vend kandidat për t’u anëtarësuar. Për të qëndruar te ligji ndërkombëtar, unë do të kthehem te vizita e organizuar nga Venizelos, Ataturk dhe Inani”, tha presidenti grek, duke shtuar se baza e miqësisë të dy popujeve është “Traktati i Lozanës’, i cili nuk ka nevojë të negociohet apo ndryshojë”.

Në një intervistë për televizionin privat “SKAI”, Erdogan tha dje se marrëdhëniet e këqija midis dy vendeve i përkasin së shkuarës, por ka kërkuar një rishikim të “Traktatit të Lozanës”, duke parashtruar përsëri kërkesën për deportimin e 8 ish-ushtarakëve turq, që u arratisën pas grushtit të dështuar shtetit, për në Greqi.

E menjëhershme ka qenë përgjigjja e Athinës zyrtare, në të cilën theksohet se, “Traktati i Lozanës” është guri themeltar dhe i panegociueshëm, mbi të cilin mund të ndërtohet bashkëpunimi i sinqertë i të dyja vendeve. “Raportet mbi rishikimin e tij nuk kontribuojnë në klimën që përpiqemi të ndërtojmë në rajon”.

Qeveria greke synon në këtë vizitë të presidentit turk të mbajë të hapura urat e komunikimit me fqinjin e saj, duke marrë edhe një rol negociues midis Turqisë dhe BE-së, në një periudhë kur shumë qeveri europiane shprehen kundër integrimit të Ankarasë në BE.

Gjithashtu, Athina kërkon përveç zgjidhjes së çështjes qipriote, edhe një bashkëpunim të ngushtë për krizën e refugjatëve, si dhe për marrëdhëniet ekonomike.

Programi i presidentit turk përmban edhe takimin me udhëheqësin e opozitës, Mitsotakis, si dhe një darkë zyrtare mbrëmjen e së enjtes nga homologu i tij grek Pavlopoulos. Të premten, Erdogan viziton krahinën verilindore të Trakës, ku jeton pakica myslimane në Greqi

Lini nje pergjigje