I rrezikohet jeta po qëndroi në qeli? Gjykata merr një vendim për gjyqtarin Shkëlqim Mirin

0

Gjyqtari i pezulluar i Apelit, Shkëlqim Miri kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me masë më të butë, për arsye shëndetësore.

Pasi u njoh me këtë kërkesë, Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur të caktojë dy ekspertë të mjekësisë ligjore për të vlerësuar gjendjen e tij shëndetësore, nëse i rrezikohet apo jo jeta po të qëndrojë në qeli.

Ai u ndalua gjatë operacionin policor të koduar “Një vrasje e dytë” me akuzat për “Korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Gjyqtari Miri, ishte nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda prej të paktën 6 muajsh. Ai dyshohet se ka marrë një shumë parash për të lënë në fuqi vendimin e dënimit që favorizonte një të dënuar për vrasje, (Gentian Doda) të cilit i ishte ndryshuar akuza nga vrasje në plagosje të rëndë me dashje.

Pas hetimeve dhe përgjimeve, prokuroria krijoi bindjen se gjyqtari e kishte marrë këtë shumë parash, pasi vendimi i dhënë prej tij ishte ai që pritej nga familjarët e të dënuarit.

Për të provuar këto dyshime, organi i akuzës kërkoi leje nga gjykata për kontrollin e banesës së gjyqtarit Shkëlqim Miri.

Dhe në fakt kontrolli rezultoi efikas, pasi gjyqtarit ju kapën rreth 300 milionë lekë në banesë. Konkretisht atij iu sekuestruan 174 mijë e 810 euro, 1 milion e 149 mijë lekë dhe 1 mijë dollarë.

Lini nje pergjigje