Urgjenca e qeverisë në QSUT, t’i mbyllin gojën mjekëve për gjendjen e spitalit

0

Rilindja e urgjencës së QSUT-së nga një ambjent kaotik “ku pacienti vinte gjithmonë i fundit” në një “institucion modern” ka qenë një nga ato histori suksesi për të cilin Edi Rama përgatiste video-montazhe propagandistike, si ky që tregohet në videon më poshtë.

Por lajmi për dorëheqjen e 8 mjekëve të Urgjencës së QSUT-së, ka rrëzuar të gjithë makinerinë e propagandës dhe reagimi i parë nga qeveria ishte mohimi i skandalit. Urgjencën e qeverisë për të manipuluar ngjarjen e tregon një prej mjekëve që nënshkruan peticionin, Petrit Vargu.
Është skandaloz fakti që drejtuesit e spitalit u morën me mjekët, duke i kërkuar llogari se si doli letra në media, në vend se të shqetësoheshin për të sëmurët që dergjen nga 5 apo 6 veta në një dhomë, apo për rreth 60 të tjerë që presin stolat e spitalit për të marrë mjekim.
“Në fillim kanë kundërshtuar që ekziston një letër e tillë e më pas kur nuk kishin më se çfarë të thoshin, nxorën variantin sesi ka arritur kjo letër te mediat. Si mund të reagojnë kur pacientët janë nga 5-6 veta në një dhomë në zonën e kuqe dhe nga 4 veta në zonat e tjera. Kjo është antihigjienike, edhe në burg nuk qëndrohet ashtu” u shpreh Vargu në një intervistë për Gazetën Shqiptare.


“Ne, mjekëve të Urgjencës së QSUT-së na vret ndërgjegjja, sepse çdo ditë që kalon, ka më pak medikamente. Dhomat nga dyshe, kanë kaluar në dhoma katërshe. Na vret ndërgjegjia sesi njerëzit që vijnë në Urgjencë rrinë nëpër stola e presin me ditë për t’u shtruar në spital. Sipas shifrave që kam siguruar nga kolegët, janë mbi 60 kartela që janë në pritje për t’u shtruar e mbas këtyre numrave fshihen jetë njerëzish që presin ndihmë” tregon Vargu.
Sipas Vargut, edhe shefin e Urgjencës e nxorrën të japë intervista për ta mohuar largimin e mjekëve, megjithëse ai nuk e kishte firmosur peticionin për largimin nga puna. Zv.ministrja e Shëndetësisë nuk takoi asnjë prej mjekëve që do të dorëhiqen, por shkoi në spital vetëm për t’u siguruar se skandali nuk do të përshkallëzohej në media.

Në shkresën e firmosur nga 8 mjekët të QSUT-së listoheshin arsyet e dorëheqjes për drejtorin e përgjithshëm të kësaj qendre spitalore, Enkelejd Joti. “Kushtet e punës së stafit mjekësor nuk plotësohen bazuar në kontratën punëdhënës-punëmarrës. Mbingarkesa me të sëmurë të shtruar që qëndrojnë mbi 48 orë në Urgjencë për mungesë vendesh në pavionet e tjera e moszbatimi i urdhrave të nxjerrë nga drejtoria, kemi marrë vendim që të tërhiqemi nga pozicioni ynë i punës, duke lajmëruar 30 ditë përpara”, – citohet në shkresën dërguar edhe Presidentit, kryeministrit e ministres së Shëndetësisë. Respektivisht 8 mjekët që kanë dhënë dorëheqjen janë: Petrit Vargu, Elton Calliku, Petrit Gjorgji, Besmir Kocia, Jonida Kito, Eqerem Hasani, Afrim Yzeiraj dhe Etiomena Bracaj.©Lapsi.al

Lini nje pergjigje