E zbërthyer në detaje/ PS po e kthen reformën në drejtësi në një “organ qeveritar”. Prapaskenat e planit malinj

0

 

Nga Gezim Saliu

Neser sipas vendimit të kryeparlamentarit Ruçi do të hidhet shorti në Kuvend për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Opozita nga ana e saj akuzoi PS-në dhe kreun e Kuvendit se po shkel Kushtetutën me hedhjen e shortit, duke vënë theksin tek dy mangësi kryesore të procesit. Sipas PD e LSI, heqja nga kryeparlamentari e kritereve ligjore për të qenë kandidat për KED, duke lënë vetëm kriterin e mos pasjes së një mase disiplonore e kthen procesin në farsë dhe me mundësi të mëdha për ndikime politike. Po ashtu opozita vë theksin fort tek problematika e mungesës së dy organeve më të rëndësishme të reformës në drejtësi, sic janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshillit i Lartë të Prokurorisë. Pikërisht mungesa e këtyre dy organeve jetike për vazhdimësinë e reformës, hedh hije të forta dyshimi mbi një prapavijë politike, me synim kryesor kthimin e refomën në gjyqësor në një “organ qeveritar”.

 

KLGJ e KLP

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë janë dy ndër organet kryesore të reformës në drejtësi, të miratuar për t’u ngritur që nga votimi i paketës me ndryshime kushtetuese në verën e vitit 2016. Por kur kanë kaluar më shumë se 1 vit e gjysmë nga votimi me shumicë absolute në Parlament, dy institucionet e reja ende nuk janë ngritur dhe reforma ka mbetur në ngërç. Ky i fundit është shtuar edhe më shumë për faktin se nëse do ekzistonin KLGJ e KLP, debatet mbi Këshillin e  Emërimeve në Drejtësi nuk do ekzistonin, ashtu edhe ato për Kryeprokurorin e ri. KLGJ e KLP, janë organet,që sipas paketës me ndryshime kushtetuese, do të menaxhonin propozimet për kandidatët e KED, ashtu edhe për Prokurorin e Përgjithshëm. Por tw dyja kwto organe nuk janë ngritur ende pasi mungon një kandidat nga shoqëria civile për Këshillin e Lartë të Prokurorisë! Kjo arsye shton edhe më shumë dyshimet për një prapavijë politike në vonesën e reformës pasi ishte shoqëria civile, e përfaqësuar në 2016-ën nga disa shoqata sorosiane, që organizonte tubime para Kuvendit dhe mblidhte firma me tenda në mbështetje të reformës. Po tani kur kërkohet kontributi i saj për të çuar përpara reformën, pse shoqëria civile nuk mund dot të propozojë një kandidat me kriteret e duhura për të përmbushur ngritjen e Këshillit të Prokurisë ?!

Në kushtet e këtij boshllëku ligjor të krijuar artificialisht, përfitimet më të mëdha sigurisht që i ka partia Socialiste në mazhorancë, e cila tanimë ka mundësi të përfshijë ndikimin e saj politik si në filtrimin e anëtarëve të KED ashtu edhe në zgjedhjen e Kryeprokurorit të vendit. Me kapjen e KED-së e cila vlerëson anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, PS mundëson kontrollin politik në një pjesë të mirë të reformës në drejtësi.

Po ashtu me mundësinë e zgjedhjes së një Prokurori të Përgjithshëm me vota socialiste, në mungesë të KLP-së e KLGJ-së që do mundësonin menaxhimin e propozimeve për këtë proces, mazhoranca siguron kapjen për një kohë ta pacaktuar të organit të Akuzës. Aq më tepër që kjo kapje politike e drejtësisë po vjen në kohën kur skandalet qeveritare që përfshijnë lidhje të larta të qeverisë “Rama” me krimin dhe trafikantët e drogës po vërtetohen dita-ditës. Madje përflitet se organi Akuzës kishte disa dosje në zhvillim e sipër të përfaqësuesve të lartë të PS-së, që shkonin deri në nivel ministri. Por duket se këto hetime do mbesin të fashikulluara në dosje, pasi PS po ecën me hap të vrullshëm drejt kapjes së sistemit të drejtësisë.

Dhe e gjihtë kjo skemë përmbyllet edhe me vonesën e për krijimin e dy prej organeve që kanë detyra specifike në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Mungesa e Këshillit të Lartë të Prokurorisë shtyn gjithnjë e më shumë në kohë ngritjen e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, dy prej organeve kryesore në betejën ndaj “peshqve të mëdhenj”, të cilët nëse vazhdon kjo skemë, do vazhdojnë të notojnë në ujëra të qeta e ndërsa për qytetarët do luhet loja me kapjen e “cironkave”.

standard.al

Lini nje pergjigje